Botë

Trump sërish viziton zonat e përmbytura të Teksasit

Presidenti Donald Trump ka shkuar sot përsëri për të vizituar zonat e përmbytura të Teksasit një ditë pasi i kërkoi Kongresit rreth 8 miliardë dollarë për përpjekjet e shpëtimit dhe të rimëkëmbjes.

Presidenti Trump shkoi fillimisht pranë Hjustonit dhe pastaj ai shkon në Lake Charles të Louisianës, për të parë dëmet e shkaktuara nga uragani Harvey.

Ai po takohet në këtë udhëtim me banorë dhe vullnetarë, gjë që nuk e bëri gjatë vizitës së tij në rajon të martën. Kjo shkaktoi kritika ndaj tij, për mosshprehje të dhembshurisë, ndaj njerëzve ndjenja që zakonisht shprehen në situata krize, raporton VOA.

Presidenti Donald Trump i dërgoi një letër Kongresit të premten, duke kërkuar gati 8 miliardë dollarë ndihma për përpjekjet e ndihmave dhe rimëkëmbjes në Teksas dhe Luiziana.

Kërkesa, e konsideruar vetëm një paketë e ndihmës së parë nga uragani Harvey, përfshin 7.4 miliardë dollarë për fondin e ndihmës për raste fatkeqësish të Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) dhe 450 milionë dollarë për pronarët e bizneseve të vogla të dëmtuara.

Presidenti Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e përcaktoi të dielën si një “Ditë Lutjeje” për viktimat e stuhisë Harvey.

Stuhia ka zhvendosur më shumë se 1 milion njerëz dhe ka marrë jetën e të paktën 39 të tjerëve.