Arbëri

Fjalimi mbështetës i Engelit për Kosovën

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel ka mbajtur një fjalim të fuqishëm për Kosovën në seancën e fundit të Kongresit në SHBA.

Interaktiv në KTV sjell të plotë fjalimin e një prej anëtarëve më aktivë të Kongresit në mbështetje të çështjeve shqiptare:

Zoti udhëheqës i seancës: një medalje olimpike, konferenca të mëdha ndërkombëtare për tolerancën dhe bashkëpunimin ndërfetar; anëtarësimi në Bankën Botërorë, në FMN dhe në të tjera organizma ndërkombëtarë dhe njohje nga më shumë se 110 shtete. Këto janë vetëm disa nga arritjet e shtetit të ri të Kosovës, ose Kosova, siç unë e quaj shpesh.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ndër vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës dhe sot ne jemi përkrahësi i saj më i madh dhe me shumë të drejtë. E njohur së pari nga Presidenti Bush, marrëdhëniet vetëm sa u thelluan nën Presidentin Obama. Për këtë, Kosova me krenari është bërë shteti që më së shumti e përkrah SHBA-në në Evropë, me 85 % të mendimit të favorshëm.

Me këtë nuk duam të themi që Kosova është shtet perfekt. Ne nuk jemi shtet perfekt. Korrupsioni duhet të luftohet në Kosovë, reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe papunësia shkon mbi 30 %. Prandaj, ka punë të madhe për t’u bërë. Ka ende shumë punë për t’u bërë.

Por, unë e kam vizituar këtë shtet shumë e shumë herë dhe secilën herë, unë shoh progres dhe e di se vendi ka të ardhme të ndritshme. Unë shpesh e them se si amerikan, unë mund të shkoj kudo në botë, por kurrë nuk përshëndetem me më shumë dashuri dhe miqësi sesa në Kosovë. Njerëzit atje i duan me të vërtetë amerikanët dhe gjithçka amerikane.

Prandaj, mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën është nëpërmjet një mbështetjeje të vazhdueshme dhe të fortë, ashtu siç e ka bërë SHBA-ja për shumë vjet. Por, shumë pengesa ka në rrugë – shumë prej tyre vijnë nga kufijtë jashtë Kosovës.

Për shembull, Kosova e dëshiron atë që shumica në rajon e duan: të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt dhe të integruar dhe dëshiron anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por, ka 5 shtete evropiane që e pengojnë përparimin e Kosovës. Dhe, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në OKB, rruga e Kosovës përpara bllokohet nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Në fakt, Serbia kërkon ta bllokojë Kosovën në secilën lëvizje dhe së fundi tensionet kanë eskaluar. Të dyja, si Serbia ashtu edhe Kosova, duan që të shkojnë në Bashkimin Evropian dhe unë i përkrah të dyja që të hyjnë në BE. Por, njëra nga këto shtete nuk mund ta bllokojë shtetin tjetër dhe Serbia vazhdimisht ka provuar t’ia vështirësojë Kosovës që të hyjë në BE dhe të bëjë gjërat tjera mirë.

Serbia së fundi e dërgoi në veri të Kosovës një tren propagandues, të mbështjellë me fjalinë “Kosova është Serbi”, të shkruar në 21 gjuhë, për të nxitur emocionet e popullatës së vogël serbe në Kosovë. Gjithashtu mbështeti ndërtimin e një muri në Mitrovicë, një qytet i vogël që vuan ende nga ndarja ndëretnike në Kosovë. Derisa ky mur u rrëzua, gjurmët mbesin ende. Serbia vazhdon t’ua mohojë drejtësinë të afërmve të qindra viktimave të fushatës së saj të spastrimit etnik, duke përfshirë 3 qytetarë amerikanë, vëllezërit Bytyqi. Dhe, janë të gjitha këto ofendime, sikurse puna e trenit dhe të ngjashme, propaganda e Serbisë kundër Kosovës, që çon në eskalimin e tensioneve sesa në uljen e tyre.

Si rezultat i një fletarrestimi serb të Interpolit, autoritetet franceze së fundi e arrestuan ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tashmë është shpallur dy herë i pafajshëm nga një gjykatë ndërkombëtare. Ju e dini, ne në SHBA e kemi këtë gjënë e mrekullueshme të shmangies së rrezikut të dyfishtë. Nëse shkon në gjykim dhe shpallesh i pafajshëm, nuk mund të gjykohesh sërish për të njëjtën gjë. Kjo nuk ndodh në shumë shtete. Prandaj, Ramush Haradinaj, i akuzuar për krime lufte, shkoi në Hagë, kaloi atje javë dhe muaj të tërë, u shpall i pafajshëm dhe pastaj u akuzua sërish. Iu desh të shkonte sërish në Hagë për një tjetër gjykim, në të cilin sërish u shpall i pafajshëm. Tani, Serbia po e manipulon INTERPOLIN, duke provuar që të organizojë një gjykim të tretë për të njëjtat akuza, për të njëjtën çështje për Ramush Haradinajn. Për mua, kjo është e papranueshme dhe tregon gjykim shumë të dobët nga ana e qeverisë serbe.

Serbia e luftoi edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, një akt vetëshkatërrues, sepse në mesin e institucioneve më të çmuara kulturore në Kosovë janë kishat ortodokse serbe të shekullit XIII. Kosova nuk u anëtarësua në UNESCO. Dështoi për tri vota dhe sërish lobimi serb luajti rol të madh në parandalimin e Kosovës që të hyjë në UNESCO. SHBA-ja luftoi për ta futur Kosovën në UNESCO, por dështoi në fund për tri vota.

Kosova dhe Serbia janë ulur në tavolinë të përbashkët në bisedimet e mundësuara nga Bashkimi Evropian. Këto negociata kanë treguar progres. Kanë rezultuar me marrëveshje për normalizim. Unë, madje, në atë kohë pata nominuar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, bashkë me ish-përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE-së, Baroneshën Catherine Ashton, për Çmimin Nobel për Paqe.

Fatkeqësisht, sot unë vë në pikëpyetje sukseset. Cili normalizim përfshin futjen e tensioneve në mesin e popullatës minoritare të fqinjit dhe pengimin e njohjes ndërkombëtare të fqinjit.

Këtë po e bën Serbia ndaj Kosovës dhe kjo duhet ndërprerë menjëherë.

Dhe, sa i përket Ramush Haradinajt, përpjekjes për ta gjykuar sërish, unë nuk e kuptoj qëllimin e Serbisë për të ngjallur luftërat e Ballkanit, të para 20-30 viteve.

Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme në luftë dhe gjëra të tmerrshme për të dyja palët, por ky njeri u shpall i pafajshëm dy herë dhe kjo nuk është asgjë më shumë sesa abuzim nga ana e qeverisë Serbisë.

Mund t’ju duket si befasi zoti Kryesues, por edhe pas nëntë viteve si shtet i pavarur dhe i lirë, Kosova ende nuk ka ushtri. Kjo është e vërtetë: një shtet-komb i pavarur pa ushtri. E ka një Forcë Sigurie të vogël dhe të armatosur lehtë, por kjo nuk ngjan aspak me ushtrinë serbe të armatosur nga rusët, përtej kufirit.

Më herët gjatë këtij muaji, Kosova ndërmori një hap të vogël drejt krijimit të ushtrisë; ligji iu prezantua Kuvendit. Sikurse edhe procesi legjislativ këtu në SHBA, prezantimi i ligjit është vetëm nota fillestare e një pjese më të madhe muzikore, që përfshin konsultim me partnerët rajonalë, bashkësinë ndërkombëtare, minoritetet vendore, dhe OJQ-të.

Ne të gjithë e dimë se si ecën ky proces. Ka batica e zbatica. Mbështetësit dhe kundërshtarët janë të mirëseardhur në arenën e diskutimit, të gjitha palët duhet të dëgjohen. Procesi duhet të marrë parasysh shqetësimet e të gjithëve, në një formë a në një tjetër.

Por, çka ka në këtë propozim? Si do të dukej ushtria e Kosovës?

Do të jetë shumë-etnike, sikurse edhe Forca e Sigurisë e Kosovës dhe Policia e Kosovës. Do të ketë partneritet me shtetet e tjera perëndimore dhe me shpresë edhe me NATO-n, në kërkimin për më shumë stabilitet rajonal dhe ndërkombëtar. Do të ishte mbrojtëse dhe nuk do të paraqiste kërcënim për fqinjët e Kosovës.

Zoti Kryesues, do të ishte pikërisht siç SHBA-të duan ta shohin një partner të vetin.

Dhe derisa Kosova ngadalë po ecën drejt krijimit të forcës së saj të vogël mbrojtëse, Serbia po e rrit ushtrinë e saj me mbështetje të plotë ruse. Tashmë ka pranuar tankse T-72, aeroplanë luftarakë MIG-29 dhe sisteme antiraketore S-300, të gjitha dhurata nga Moska dhe Vladimir Putini.

Prandaj, jam pak konfuz, zoti Kryesues.

Kosova, një shtet që ne e përkrahim dhe që na përkrah, dëshiron atë që secili shtet në botë e ka: një ushtri të thjeshtë, të cilët do t’i shërbenin shtetit të tyre, qytetarëve dhe me siguri do të shërbenin përkrah ushtrisë sonë, nëse do t’u jepej rasti. E çka bëjmë ne? Ne japim kundërshtime dhe kërcënime diplomatike. E bëjmë të qartë që nuk përkrahim krijimin e ushtrisë së Kosovës në këtë kohë. Kjo është absolutisht absurd dhe është një pozicion të cilin duhet ta ndërrojmë dhe ta ndërrojmë shpejt.

Dhe, në ndërkohë, armatimi rus po hyn me shpejtësi në Serbi, dhuratë e Vladimir Putinit. Dhe, me sa e kam parë unë, SHBA-ja ka heshtur për këtë.

Pavarësisht kësaj, zoti Kryesues, marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja është e ndritur. Ne duhet të rrimë në këtë rrugë. Kosova është shtet i ri dhe unë kam qenë atje, shumë, shumë herë. Nuk i ka mbushur ende 10 vjet. Ne e dimë më mirë se kushdo që ndërtimi i një demokracie është punë e vështirë. Ndonjëherë do të ballafaqoheni me sfida. Ndonjëherë do t’ju duhet një dorë që ju ndihmon. Prandaj, përkrahja amerikane është më e rëndësishme se kurrë. Prandaj, SHBA-ja duhet të punojë për të thelluar marrëdhëniet tona, për të pasuruar mirëkuptimin tonë të përbashkët dhe të vazhdojmë të sjellim stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit. Prandaj, kjo është rruga drejt një Kosove multietnike, demokratike dhe prosperuese dhe kjo është rruga për të parë një rajon në Ballkan të lirë, në paqe dhe pjesë e Evropës së bashkuar.

Ndërkohë, Franca duhet të lirojë Ramush Haradinajn dhe ta kthejë në shtëpi. Tashmë është bërë e tepërt. Nuk mund ta durojmë më këtë marrëzi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i qëndrojnë Kosovës pranë. Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur. Për shumë vjet, njerëzit atje janë ushqyer me gënjeshtra të të gjitha llojeve për SHBA-në, në kohën e regjimit komunist në vitet 50,60 dhe 70, por e dini çka? Populli i Kosovës nuk e besonte asnjë fjalë të vetme. Prandaj, ju them kolegëve të mi, miqve të mi dhe të gjithë qytetarëve amerikanë, kur të vizitoni Kosovën, do të jeni krenarë që jeni amerikanë, sepse njerëzit vijnë tek ju në rrugë, duan t’ju prekin, duan të flasin me ju, duan të bëjnë gjithçka dhe të jenë gjithçka që është amerikane. Dhe, të tillë miq na duhen.

Amerika bën shumë për shumë, shumë njerëz në botë, për shumë kombe dhe ndonjëherë duket sikur kjo nuk çmohet. Por, kjo nuk ndodh në Kosovë. Gjithçka që SHBA-ja ka bërë për këtë shtet çmohet nga të gjithë, që nga kryeministri e Presidenti, njerëzit në qeveri deri te qytetari i thjeshtë në rrugë. Shumë shpesh njerëzit më vijnë në rrugë, flasin me mua, më njohin. Më thonë, “Faleminderit. Faleminderit Amerikës që qëndroi pranë nesh për pavarësinë tonë. Faleminderit Amerikës që është e fortë dhe na mban neve të fortë”. Prandaj, të tillë janë miqtë që unë dua t’i kem. Këta janë llojet e njerëzve që unë dua t’i kem.

Prandaj, i them popullit të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës: Shtetet e Bashkuara janë me ju dhe gjithmonë do të jenë pranë jush. Dhe, dua t’i them qeverisë së Serbisë: ne e përkrahim aspiratën tuaj dhe të popullit serb për të hyrë në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalë bllokadën ndaj Kosovës. Serbia duhet të ndalojë lëvizjet e saj agresive në raport me Kosovën. Të dyja shtetet duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s gjithashtu. Dhe, asnjëherë nuk duhet ta ndalojë dhe pengojë, por duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën.”