Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Qeveria mund të jetë partner i komunave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ngjarjen vjetore të ndarjes së çmimit për “Demokraci Lokale 2017”, organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Kryeministri Haradinaj, tha se në perspektivën e qeverisjes së secilit vend, por sidomos të vendit tonë, barra më e madhe dhe përgjegjësitë më të mëdha bien mbi qeverisjen komunale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Arsyeja është se ka pasur një shkëputje dhe vakuum të gjatë në qeverisje, dhe fillimi i qeverisjes në të njëjtën kohë ka qenë emergjencë, rindërtim, rregullim apo normim i jetës, kuptohet me kufizimet buxhetore dhe vështirësitë e mëdha me të cilat është përballë qeverisja komunale”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë për të qenë partnere e komunave, jo vetëm në ato pika që janë të parapara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por përkrahje të ndërsjellë me njohuritë nga niveli qendror.

Duke folur për reformat, kryeministri Haradinaj tha se në këtë drejtim duhet të ndërmarrim veprime konkrete, e po ashtu të marrim edhe njohuritë e vendeve të zhvilluara dhe t’i bartim ato në institucionet tona përmes përfshirjes së ekspertëve dhe marrjes së përvojave të tyre në qeverisje.

“Qeveria mund të jetë partner i komunave, i organizatave tjera dhe me këtë rast i falënderojmë qeveritë e vendeve mike, donatorët dhe të gjithë ata që përkrahin angazhimin që qeverisja komunale në vendin tonë të avancojë. Duke qenë kështu edhe unë shpreh gatishmërinë që në angazhimin tim ditor të marr rolin që qeverisja në komuna në vendin tonë të avancojë”, tha kryeministri.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, tha se ky ka qenë një vit i suksesshëm dhe në këtë fundvit shënojmë dy momente të caktuara, shpalosjen dhe gjetjet e hulumtimeve gjatë tërë vitit, e po ashtu ndarjen e çmimit vjetor për “Demokraci Lokale”.

Ai përmendi tri çështje kyçe që po reflektojnë si sfida zinxhirore për komunat tash e një dekadë. ”E para, lidhet me paqartësitë, dhe dykuptimësitë ligjore që janë duke e penguar qëndrueshmërinë dhe shërbimet nëpër komuna. E dyta, ka të bëjë me mungesën e financimit të qëndrueshëm dhe kapacitetet e dobëta në planifikim. E treta, lidhet me reformat që përfshin Administratën, efikasitetin dhe zgjedhjet”, tha Tahiri.