Arbëri

Thaçi paralajmëron formimin e shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Do të formojmë në të ardhmen e afërt edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë që të dëshmojmë se jemi një shtet dhe popull i besueshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në të ardhmen e afërt do të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe do të themelohen forcat e armatosura të Kosovës, ndërkohë që do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai këto komente i bëri me rastin e shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Finlandës, organizuar nga Ambasada finlandeze në Kosovë.

Thaçi ka thënë se Kosova dhe Finlanda kanë shumë ngjashmëri, dhe kanë një person të përbashkët Marti Ahtisaari, i cili kontribuoi që Kosova të çlirohet nga rreziku i okupimit.

Për më tepër shefi i shtetit tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të ratifikohet edhe marrëveshja e demarkacionit me kufirin me Malin e Zi.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur duke qenë gjithmonë mirënjohës për Finlandën që ka qenë prej shteteve që para që ka njohur Kosovën. Prandaj, ne duhet t’i japim fund izolimit tonë dhe marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi të kalojë nga Qeveria të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Faleminderit Haradinaj për përgjegjësinë”, ka thënë ai.

Për më tepër, shefi i shtetit ka paralajmëruar edhe formimin e asociacionit të komunave serbe dhe ushtrisë së Kosovës.

“Do të formojmë në të ardhmen e afërt edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë që të dëshmojmë se jemi një shtet dhe popull i besueshëm, do të themelojmë forcat e armatosura të Kosovës që të japin kontributin tonë modest në ruajtjen e paqes kudo në botë, do të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe pajtim, dhe sa më shpejt të arrijmë marrëveshjen e paqes si kusht për anëtarësimin e dy shteteve respektive në strukturat euroatlantike”, ka thënë Thaçi, raporton KP.

Ndërsa, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, ka thënë se pavarësia e Kosovës është një arritje e madhe dhe është një gjë fantastike për Kosovën për të pasur mundësinë për të ndërtuar shtetin e ri dhe se Finlanda mbështet perspektivën e saj evropiane.

“Finlanda ka paguar një çmim të madh në luftë për pavarësinë e saj. Sot ne dëshirojmë t’iu shprehim mirënjohje gjeneratave të kaluara, gjithë qytetarëve që kanë punuar dhe kanë bashkuar forcat për pavarësinë e Finlandës”, ka thënë diplomatja finlandeze.

Diplomatja finlandeze shtoi se shqiptarët e Kosovës njohin Finlandën më tepër nga ish-emisari Marti Ahtisaari dhe plani i tij që i hapi rrugën për krijimin e shtetit të Kosovës.

“Janë dhjetë mijë kosovarë që jetojnë në Finlandë dhe që festojnë së bashku me ne këtë përvjetor”, ka thënë Huhtamäki.

Ndryshe, Finlanda ka shpallur pavarësinë e saj nga Rusia në dhjetor të vitit 1917.