Ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka vazhduar ta ketë këtë rol edhe në seancën konstituive të sotme, ka folur për ngjarjet e ditës së sotme në edicionin special të Interaktivit në KTV.
Ai ka thënë se Xhavit Haliti dje e ka thënë se Kadri Veseli do të jetë kandidat për kryeparlamentar.
Madje, sipas tij, edhe marrëveshja brenda PAN-it është që Thaçi të mbetet aty ku është, Haradinaj kryeministrin, e Veseli kreun e Kuvendit.
“Përmes disa portaleve që ata i kontrollojnë ata kanë krijuar se nuk ka kurrfarë krize, dhe se i kanë numrat. Sot ra në ujë sepse u vërtetua se ata nuk i kanë numrat. Maksimalisht ata në Kuvend i patën sot 60 vota. Duke numëruar edhe Teuta Rugovën, dhe vota e saj për shtyrjen e seancës dhe rreshtimi pro PAN-it tregon se ajo është rreshtuar në atë anë. Ata nuk dëshirojnë të ndryshojnë kandidatin për kryeparlamentar”, ka thënë Konjufca.
Sipas Konjufcës, kur një koalicion nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, atëherë duhet të arrihet një konsensus që të kandidohet një figurë e pranueshme.
“Mund të ketë edhe të tjerë që janë të papranueshëm, por Veseli është më i papranueshmi. Nëse PAN-i e ndryshon kandidatin atëherë VV do të shqyrtonte mundësinë e votimit. Por PAN-i po duket e barrikaduar pas kandidaturës së Veselit”, ka thënë ai.
“Veseli e ka shndërruar Shërbimin e Inteligjencës në të mirat partiake, duke shantazhuar e duke eliminuar partiakët. Veseli edhe gjatë kohës sa ishte kryetar i Kuvendit ka kontribuar për rritjen e tensioneve, gjuha e tij ka kaluar edhe kufijtë e paimagjinueshëm moral. Fjalori që ka zgjedhur ai i përket një rrafshi njerëzor amoral. Ka edhe shumë pikëpyetje të tjera rreth figurës së tij. Ai bashkë me Thaçin janë arkitektët në atë që në e quajmë ‘kapje e shtetit’. Një rrjet politik i cili zhvat tenderë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se Mikullovci e ka përfunduar seancën për shkaqe shëndetësore.
“Ndonëse mund të ketë qenë dalje prej anës së procedurave, mendoj se këtë e ka bërë i shtyrë nga disa arsye tjera dhe jo i shtyrë nga PAN-i. Më pas i erdhi një shërbim shëndetësor, por u kthye në Kuvend për të vazhduar dhe në ora 15:00 PAN-i nuk u shfaq. Seanca nuk mund të mbyllet, ajo mund të ndërpritet për të vazhduar më pas. Seanca mbyllet vetëm atëherë kur të mbyllet krejt cikli”, ka thënë Konjufca.
Duke komentuar deklaratat e sotme të Blerand Stavilecit të PDK-së, se nuk shkojnë në seancën e nesërme të thirrur nga Mikullovci, Konjufca ka thënë se “është qesharake kur PDK-ja të akuzon për uzurpime”.
“Nëse analizojmë Kosovën prej vitit 2001, e sidomos prej 2007 kur PDK ka pasur kontrollin total të institucioneve, të gjitha ndërmarrjet i kontrollon PDK-ja”, ka thënë Konjufca.
Ai më tutje ka thënë se, “përgjegjësinë për bllokimin e institucioneve të vendit duhet të marrë PAN-i. Do të ishte krim i madh juridik kushtetues nëse nuk gjendet një figurë e pranueshme. Nuk po kërkojmë të jetë figurë nga VV-ja, le të jetë i tyre, por le të jetë i pranueshëm”.
Konjfuca ka thënë se ka edhe figura të tjera nga PDK-ja që janë të papranueshme, si, “Elmi Reçica nuk do të ishte i pranueshëm pasi është i njëjtë”.
Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se partia e tij do të shqyrtojë çdo figurë tjetër, dhe është e gatshme të votojë pro, nëse është e pranueshme.
“Mund të them se jemi të gatshëm të shqyrtojmë, dhe në momentin e parë kur të mësohet emri atëherë. VV do të ishte e gatshme ta votonte edhe nëse do të ishte i PAN-it se do ta votonte. Nuk po më kujtohet ndonjë figurë që do ta votoja me plot zemër. Ky kryetar i Kuvendit nuk duhet të jetë figura më e papëlqyeshme, siç është ajo e Kadri Veselit. Vet fakti që nuk i kanë votat për Kadri Veselin kjo deri diku tregon se edhe Ramushi nuk i ka votat”, ka thënë ai.
Më tutje Konjufca ka shtuar se, “Qeveria me VV-në do të kishte 2/3, nuk do të varej nga Lista Serbe, dhe ajo do të shfuqizohej plotësisht. E dini se çfarë kushtëzime kishte Lista Serbe, ajo do të kushtëzojë me Zajednicë, në përputhje me nënshkrimin që e ka qitë Vuçiqi në Bruksel. Ajo me siguri do të kërkojë të kenë kompetenca të plota në pushtetin komunal. Me kushtëzimin e tyre Lista Serbe do të shkonte drejt një autonomie brenda Kosovës. Disa prej pozitave i takojnë me kushtetutë komunitetit serb, mirëpo pa asnjë lloj kushtëzimi. Nëse ata duan ta ndihmojnë Kosovën dhe mund të na bashkohen pa kushte”.