Arbëri

Mustafa: Zgjidhja e çështjes serbe në Kosovë, nyje e perspektivës sonë evropiane

Kreu në detyrë i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka shkruar në lidhje me deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mustafa përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për inicimin e dialogut të brendshëm në Serbi për zgjidhjen e problemeve me shqiptarët, duke shtuar se duhet shfrytëzuar diversiteti politik për të gjetur zgjidhje të përbashkët.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Zgjidhja e çështjes serbe në Kosovë dhe e problemeve me Serbinë është nyje e perspektivës sonë evropiane dhe e stabilitetit afatgjatë.

Askush nga ne nuk e shfrytëzon pozitën e fuqisë dhe dominancës politike (sepse as që e ka - dhe mirë që nuk e ka ), si rasti i Presidentit serb, për inicimin e dialogut të brendshëm por mund të shfrytëzojmë diversitetin tonë të mendimit politik për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përbashkët.

Janë disa tema, të cilat nuk mund ti përballojmë të ndarë dhe të fragmentarizuar. Temat e mëdha shtetërore zgjidhen me kujdes të madh dhe konsensus të gjere politik, me institucione të qëndrueshme dhe me njerëz që mendojnë për shtetin, në bashkëpunim me SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian.