Arbëri

Rritja e numrit të të prekurve me kancer për 100% në 2 vjet, kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”

Nga viti 2015 deri në vitin 2017, shifrat e rasteve të të prekurve me kancer, janë rritur 100%.

Për këtë sëmundje dhe shifrat e frikshme që janë në rritje, flet tema e javës në numrin special të së dielës në “Koha Ditore”.

Pjesë e shkrimeve për këtë temë, është edhe shkrimi ‘Përtej fuqisë që njohim’ si dhe intervista me zëvendësdrejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku, sipas të cilit nuk ka buxhet të mjaftueshëm për trajtimin e kancerit.

Për këtë sëmundje, në rubrikën ‘Kosovarçe’, rrëfehen nga Klinika e Onkologjisë pacientët, të cilët luftojnë me kancerin.

Te Bota, lexuesit e numrit special, mund të lexojnë për luftën e venezuelasve kundër urisë, dhe për nënat çminuese të Sudanit Jugor.

Libri lexohet, artet pamore shihen, aman - është rrëfimi i Bajram Sefajt për rubrikën e përjavshme ‘7 shkronjat’.

Për dëbimin dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova në luftën e fundit, në ‘Fejton’ mund të lexoni shkrimin “Fazat e realizimit të operacionit ‘Patkoi’”.

E në ‘Reportazh’ pasqyrohen këtë javë bukuritë natyrore të Deçanit, por edhe infrastruktura primitive që çon në këto bjeshkë.

Artisti që përplas dy kohë në kërkim të thirrjes për ndryshim dhe piktorja e lojës me portrete të papërfunduara, janë shkrimet në faqet e kulturës.

‘Monument’ këtë javë sjellë shkrimin për kullën e luftëtarëve të përjetshëm në Gjakovë.

Lutja që shpëtoi një karrierë, lëndimi i kolegut ‘dhuratë’ jetësore për Manxhollin, janë vetëm disa nga shkrimet që adhuruesit e sportit mund t’i lexojnë këtë të diel në ‘Koha Ditore’.

Bashkë me këto, mund të lexoni edhe shumë shkrime tjera nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër.