Kjo nuk është thjeshtë një metaforë, por e vërtetë. Trendi i turizmit malor për këtë stinë është drejt Valbonës, një bukuri natyrore e pashoqe.
Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në lindje të masivit malor të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës. Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, për të mbërritur deri këtu, më parë duhet të zgjedhësh rrugën që do të ndjekësh.
Njëra rrugë vazhdon përmes Rrugës së Kombit, drejt Morinës, nëpër Kosovë dhe futesh drejt Bajram Currit.
Një tjetër mund të ndiqet nëpërmjet Qafës së Malit, rruga e vjetër por e kalueshme dhe tepër piktoreske, ka dhe një rrugë që të çon nga Kukësi, Hasi, Viçidoli e del në Bajram Curri, por më e bukura dhe më mbresëlënësja është ajo nga Komani me traget drejt Fierzës.
Tragetet nisen pikërisht në Koman dhe kanë orare të ndryshme lëvizjeje. Në traget mund të ngarkosh dhe mjete transporti si makina, autobusë apo minibusë në mënyrë komode dhe të sigurt. Udhëtimi përmes liqenit malor është një befasi më vete.
Uji i kthjellët, pyje që ngrihen mbi shpatet malore në të dy krahët, plazhe të vegjël, lumenj e përrenj që derdhen në liqen, shpate të thepisur që të bien mbi kokë, një magji që ta heq lodhjen si me dorë. Unë udhëtova me “Alpinin”, një traget i madh ku akomodoheshin mbi 100 automjete dhe mbi 300 pasagjerë, i rehatshëm dhe komod.
Kishte të ardhur nga Tirana e rrethe të tjera të vendit, por mbi të gjitha kishte mjaftë turistë të huaj nga Gjermania, Austria, Anglia e mbi të gjitha nga Çekia.
Ata që vinin nga larg dhe ishin të lindur në këto anë dallonin nga gëzimi dhe hareja që demonstronin.
Dixhei i tragetit kishte kujdes të transmetonte sa më shumë këngë të zonës. Çiftelia kërciste gjithandej së bashku me vallet tropojane apo kuksiane… Rruga kaloi pa u ndjerë dhe si një festë e vërtetë.
Valbona, kurora e bukurisë shqiptare ndodhet 25 km larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e bukur dhe me një asfalt të ri.
Pamjet e mahnitshme që nisin me kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla guri 100 e 200-vjeçare, madje dhe më të vjetra. Në rrjedhë të Valbonës ndodhet një ujëvarë disa dhjetëra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.
Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish.
Por deri tani nuk kishte ndodhur ndonjëherë që vizitorët të mbeteshin përgjithmonë aty. Kjo ndodhi me Catherine Bohn, që erdhi nga Amerika e largët e u “shitua prej zanave”, të këtij vendi të egër. Por Catherine tani nuk është më e vetme.
Në luginën e Valbonës kanë zbritur çika të tjera nga Gjermania, Hollanda, Anglia që janë martuar me djem tropojan apo dhe nga Valbona, që kanë nisur jetën dhe biznesin e tyre në këtë vend të bekuar.
Një çikë gjermane kishte zbrit në këto bjeshkë dhe Skënder Ismaili, një djalë i kësaj zone që kishte punuar mbi 10 vjet në Angli dhe fitimin e vetë e kishte investuar në hoteleri së bashku me bashkëshorten gjermane.
Edhe vëllai i tij Fredi kishte bërë të njëjtën gjë. Pothuajse të gjithë djemtë dhe burrat e Valbonës kishin investuar në turizëm, hoteleri, restorante, kënde sportive etj.
Çikat e Europës dhe Amerikës, janë bërë njësh me zanat e maleve tona dhe bashkë jetojnë e punojnë në këto bjeshkë. Të flasësh sot për Valbonën, është e pamundur të mos përfshish në rrëfimet e tua Alfredin dhe Katerinën, Skënderi, Kol Gjonin që ngriti bujtinën e parë, doktorin, apo Gentin… të gjithë kanë investuar në turizëm dhe jo domosdoshmërisht por natyrshëm, janë njerëzit e parë që ju presin sapo shkelni në Valbonë, nëse keni ardhur aty për të gjetur mikpritje dhe aventurë. Por këta investitorë që po e kthejnë Valbonën në një “Zvicër” të vogël kanë dhe disa probleme që i shfaqin me mjaft politesë.
Duke folur me Skënderin, vëllain e Alfredit, më solli shqetësimin e furnizimit me energji elektrike, që heraherës ndërpritet, po kështu u ndërpritet dhe shërbimi i klientave.
Një tjetër problem paraqiste dhe hapja e disa rrugëve dytësore që do të çonin në vende piktoreske dhe drejt aventurës shkëmbore si ngjitjet alpinistike, apo shtigje drejt lëndinave.
Po kështu problem për tu zgjidhur ishte dhe heqja e mbeturinave apo plehrave nga lugina turistike.
Bizneset tregonin kujdes që t’i grumbullonin por vendhedhjen dhe mjetet e transportit i kërkonin nga Bashkia e Bajram Currit. Ata ishin djem punëtorë dhe të pastër, por donin dhe pak dorën e pushtetit lokal që të mirëmbanin e të shtonin investimet e tyre.
Më bënë përshtypje shumë gjëra në këtë vend të bekuar ku jetojnë e punojnë dhe investojnë këta djem kaq punëtorë dhe që kishin bërë një “kod” të tyrin në ruajtje të mjedisit dhe ekosistemit të zonës.
Në bizneset e tyre ata nuk pranonin të fusnin në kuzhinë me shumicë troftën e lumit të tyre sepse abuzuesit e guetisë së saj, e vrisnin me mjete të shfarosjes në masë si klori apo mjete të tjera dhe kështu do ta përdornin për qëllime fitimi. Vetëm trofta e zënë me grep pranohej të gatuhej dhe ky ishte kod i të gjithë restoranteve.
Po kështu edhe mishi i dhisë së egër apo kaprollit refuzohej dhe denoncohej nga djemtë e Valbonës.
Ishin të ndërgjegjshëm në ruajtjen e faunës natyrore. Dhe në Valbonë nuk bridhte i lirë asnjë qen.
Nuk lejohej qen në këtë luginë, sepse duhej që turistët të flinin të qetë dhe të shëtisnin të qetë. Edhe kjo ishte inisiativë e banorëve të saj.
Lugina e Valbonës është kthyer në një qytezë turistike ku gjeje njerëz dhe dëgjoje gjuhët e gjysmës së botës.
Valbona të impresionon vërtetë. Kush e pa njëherë do të kthehet përsëri.