Arbëri

Gjikolli tregon pse kishte nevojë për një kontratë për Z Mobile

Milot Gjikolli, drejtor i Z Mobile, ka thënë se në kompaninë ku punon e kanë pasur si parim që të bëjmë punën e tyre, por ka thënë se konsideron se ka ardhur koha që disa sqarime të bëhen publike përmes medias.

Ka zgjedhur që ta bëjë këtë përmes KTV-së. Në “Interaktiv” ka thënë se ka vendosur që të shpalosin fakte që lehtë mund të vërtetohen, teksa ka nisur që të flasë për historinë e kontratës me PTK-në, e cila kësaj të fundit i kushtoi rreth 30 milionë euro në gjykatë të Arbitrazhit.

Ai ka thënë se në vitin 2007, kur në Kosovë kishte një penetrim prej diku më pak se 70 për qind të abonentëve.

“Në krahasim me regjionin Kosova ishte në nivel shumë të ulët të penetrimit të konsumatorëve, nën një. Dhe nën dy, kishim vetëm një operator që në njëfarë mënyre kishte monopol. Prej këtij, 70 për qindëshit kishim diku 19 për qind dominohej nga operatorët ilegalë që vepronin në Kosovë dhe ishte në prag dhënia e licencës për një operator të dytë legal”, ka thënë Gjikolli.

Në atë kohë, ka thënë më tej ai, politikë strategjike e shtetit në sektorin e telekomunikacionit ka qenë ndër të tjera liberalizimi i tregut, zvogëlimi i çmimeve, të rritet penetrimi i klientëve dhe qasja e klientëve në sa më shumë shërbime me çmime sa më të mira.

“Ka pasur nevojë për një kompani private e cila do të operonte shpejt, dhe në njëfarë mënyre do të ishte konkurrencë e operatorit të dytë që ishte në ardhje”, ka thënë Gjikolli.

Gjikolli ka thënë se nuk i kujtohet se kush ka qenë në kry të negociatave për arritjen e marrëveshjes nga të dyja palët, sepse ai është inkuadruar më vonë në kompani, por ka thënë se në anën e Dardafonit mund të ketë qenë Blerim Devolli.

“Me sa e di kanë qenë dy Task Forca e grupe punuese”, ka thënë Gjikolli.