Historianët e Deçanit, ultimatum Qeverisë për pronat e Manastirit të Deçanit Foto: Koha

Historianët e Deçanit, ultimatum Qeverisë për pronat e Manastirit të Deçanit

09 prill 2017 15:05

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, thotë se me shqetësim të madh është duke e përcjellë procesin kontestues në mes të qytetarëve dhe Komunës se Deçanit në njërën anë dhe Sava Janjiqit dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër për pronat kontestuese të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”.

Sipas LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan, tentativa e fundit për të tjetërsuar këto pronë në favor të Manastirit të Deçanit me vendimin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, është tentim i pa pranueshëm dhe i pazbatueshëm.

“Edhe përkundër që kemi bllokuar zbatimin e vendimit të Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, pastaj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës për të i kaluar në pronësi të Manastirit të Deçanit pronat dhe Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, ne jemi të vendosur që të vazhdojmë betejën tonë edhe ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare për Privatizim”, thotë kjo shoqatë përmes një komunikate për media.

Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, ua ka rikujtuar edhe njëherë të gjitha institucioneve tona se zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme për kontestin në Deçan është që pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” të rikthehen në menaxhimin e Komunës se Deçanit.

Po ashtu, LHK “Ali Hadri” edhe njëherë e ripërsërit qëndrimin se janë “kundër çdo tentimi për të jetësuar ligjet e Kosovës se Millosheviqit”.

Kryesia e LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, shprehet e shqetësuar se si Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, nuk janë marrë me këtë kontest që nga viti 2012 kur edhe u riaktualizua si problem nga ana e kësaj shoqate.

LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan, thotë se duke e parë se Qeveria e Kosovës nuk është gatshme që të merret me këtë problematik, në konsultim të ngushtë më gjitha strukturat e saja, i ka dhënë ultimatum Qeverise së Republikës së Kosovës.

Ultimatumi parasheh që deri më datën 21 prill 2017, Qeveria të nxjerrë një vendim të veçantë më të cilin pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” t’i shpall pasuri të veçantë kombëtare.

“Nëse deri me këtë datë nuk ndërmerret ndonjë veprim nga ana e Qeverisë se Kosovës, atëherë LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, do të organizojë bllokimin e rrugës që të dërgon në drejtim të Manastirit të Deçanit, Manastir i cili enden nuk e pranon realitetin e ri në Kosovë dhe në këtë institucion bëhet propaganda më e madhe kundër shtetit të Kosovës. Po ashtu, ne prapë përsërisim se pas gjithë kësaj katrahure të krijuar në Deçan është personeli i Manastirit të Deçanit”, thotë kjo shoqatë.

“Çdo eskalim i situatës së sigurisë në Deçan, pas datës 21 prill 2017, nuk do të jetë më përgjegjësi e jona, ajo do të jetë përgjegjësi e institucioneve qendrore të Kosovës të cilat as që kanë dashur të marrin vësh për këtë problem në Deçan”, potencohet më tej në reagimin e kësaj shoqate.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme