Premierat e mëdha, filmat, duartrokitjet… përnjëherë gjithçka u ndal nga virusi. Jo edhe festivali i filmit dokumentar të metrazhit të gjatë “Underhill”. Sikur edhe shenja e tij karakteristike - luleradhiqja, ai mbijetoi nën kushtet më të papërshtatshme. Ç’është e vërteta, veç për një moment, kur shkurt ndodhi një heshtje e koronës. Nga 16 deri më 23 qershor 2020, me artin e shtatë Podgorica u ringjall.
“Ka qenë shumë sfiduese, viti në fund nuk ishte edhe aq ndryshe sa ne prisnim, e, nga ana tjetër, ne ishim përgatitur për një opsion krejt tjetër, për një “drive-in” festival. Dhe po të kishin mbetur në fuqi ndalesat ashtu si ishin, gati deri pak para nisjes, ne kemi dashur që ta mbanim festivalin, dhe në shumicë ishim të gatshëm. Kështu që ishte lehtësim kur ndalesat u zbutën, kjo ndodhi rreth 40 ditë, mendoj, pa një rast të ri, kur mundej të mbaheshin ngjarjet kulturore deri në 200 njerëz”, deklaron drejtori artistik i “Underhillit”, Vuk Peroviq.
“Edhe ajo luleradhiqja e bart atë forcën e vet të butë, që është disi e fuqishme, edhe pse e ndjeshme, e edhe nëse fryn era, ajo lëkundet por nuk thyhet, kështu që, nuk e di, për mua, nuk mund të them se ishte mirë që pati COVID, por unë i dua këto sfidat dhe këto gjërat e reja me të cilat duhet të përballemi”, thotë drejtoresha e “Underhillit”, Angjellka Neneziq.
Ndërsa lufta për publik, përkrahje dhe vendin e vet në hartën kulturore, për themeluesit e “Underhillit”, Angjellka Neneziqin, Sanja Jovanoviqin dhe Vuka Peroviqin, ka nisur para 11 vjetësh.
“Thjesht, në njëfarë mënyre, gjithçka u përputh, Angjellka, Sanja dhe unë njiheshim qysh herët, ato të dyja janë producente, unë jam gazetar, kritik i filmit, që tashmë isha në atë punë, që të gjithë kemi vizituar disa prej festivaleve më të vogla filmike botërore. E kemi ndier atë impuls që e sjell vala e re, do të thosha, e dokumentarizmit, pra një forcë e re u shfaq, numër i madh autorësh në gjithë botën, filmat dokumentarë u bënë pjesë e seleksionimeve të festivaleve botërore”, thotë Peroviq.
“Më së lehti është të vendosësh pëlhurën, karriget, por nëse nuk ju vjen publiku, nuk keni bërë kurrfarë pune. Ne ndoshta në ato vitet e para e kishim atë problem me publikun, por u përpoqëm dhe besonim se për shkak të atyre 20-30 vetave që vinin në projeksione, e kuptuam se kjo është e nevojshme për Podgoricën. Kemi nisur pikërisht në këtë kopsht, ku mund të mblidheshin rreth njëqind veta, ndërsa tash nuk kemi vend as për dyqind”, deklaron Neneziq.
“UnderhillFest”, me kohë, falë vullnetit të çeliktë dhe insistimit të themeluesve të tij, fitoi edhe përkrahjen institucionale. Vendimtarë megjithatë janë entuziazmi dhe qëndrueshmëria e individëve.
“Ky festival nuk do të mbijetonte nga përkrahja që e mori nga shteti dhe qyteti, por unë jam person shumë insistues dhe kisha njëfarë vizioni se kjo është vërtet kualitative. Së pari, duke u nisur nga seleksionimi, të cilin e bëmë Vuku dhe unë bashkë për pesë-gjashtë vjet, më pas Vuku vetë, thjesht, kjo për mua ishte më e rëndësishmja, që të kemi program të mirë, që të mund të sjellim mysafirë. Këto punët e tjera i kryenim përmes miqve, përmes “hajt na e kryeni këtë punë dhe ne do t’ju reklamojmë”, dhe thjesht njerëzit disi gjithmonë kishin mirëkuptim”, shprehet Neneziq.
As buxheti tejet i vogël që ndahet për kulturë nuk i ka dekurajuar. Përkundrazi…
“UndehillFest” thjesht u bë festival në të cilin të gjithë autorët rajonalë duan të vijnë, duan të jenë aty dhe duan që filmi i tyre të shfaqet pikërisht në këtë vend, që për ne ka shumë rëndësi. Nga ana tjetër, kemi edhe disa bashkëpunime interesante ndërkombëtare, që tregon se për këta 11 vjet, pa marrë parasysh rrethanat, të cilat konsideroj se kurrë nuk kanë qenë të mira, kemi arritur mjaft shumë gjëra”, thotë Peroviq. “Gjatë viteve kemi realizuar bashkëpunim të mirë me festivalet e shumta rajonale, kemi miq të shkëlqyeshëm nga ekipi i “Dokufestit” nga Prizreni, po ashtu të zonës së lirë nga Beogradi, Makedonski, disa shtëpi producente nga rajoni, që po ashtu kanë përvojë të shkëlqyer në organizimin e festivaleve. Me këmbimin e njohurive në vitet e fundit kemi arritur ta përparojmë festivalin”.
Të vetëdijshëm që roli i filmit dokumentar, mes tjerash, është edhe krijimi i qytetarëve kompetentë dhe aktivë, në “Underhill” është nisur një segment i veçantë kushtuar nxënësve të shkollave të mesme.
SINK: MIRO MINIQ, profesor i letërsisë dhe PR i “Underhillit”
“Unë përndryshe tash tetë vjet punoj në gjimnazin e Danillovgradit. Nxënësit e mi vijnë në “UnderhillFest”, natyrisht, jo vetëm të mitë, por edhe nxënësit nga shkollat e tjera. Para 5-6 vjetëve ka nisur “Dokushkolla”, që ishte gjë fenomenale. E di sa me rëndësi ishte ajo për ta, sa shumë kënaqeshin të dëgjonin për filmin dokumentar, si xhirohet ai dhe, që është më e rëndësishmja, në fund ata xhiruan një film. Kjo ishte gjë e bukur, që gjithmonë i organizuam ato projeksione në mbyllje të festivalit. Natyrisht që kishte dhe publik, andaj edhe ishte e rëndësishme për ta kur ua dorëzonim certifikatat”, deklaron profesori i letërsisë dhe PR i “Underhillit”, Miro Miniq.
I inspiruar me energjinë e filmit dokumentar, Mladen Ivanoviq, regjisor i ri malazias, vizitor i rregullt i “Underhillit” dhe momentalisht student i Akademisë së Arteve Dramatike në Zagreb, ka punuar dy filma ekologjikë prej të cilëve njëri është shpërblyer në festivalin e Suedisë.
“Në kulmin e parkingut, në rrugën “Mark Miljanovi”, kemi shikuar filmin “Five broken cameras”, që është punuar në kooproduksion izraelito-palestinez dhe e ka punuar një fermer – njeri që nuk ka përvojë me xhirim filmash. Me kujtohet një skenë e rëndë, në të cilën e vetmja gjë e vlefshme që e kishin ishin ullinjtë, të cilët digjeshin nga ushtarët. Në fund ai film në mua zgjoi shumë emocione e më kujtohet që në fund me lot duartrokita. Ai film më ndihmoi që ta kuptoja rëndësinë e tij dhe meqë asokohe i takoja një bote aktiviste, doja që të bëja diçka të ngjashme në Mal të Zi. Kështu që, një prej nxitësve për filmin që kam bërë për Beransello – “Mes lumit dhe njerëzve”, në fakt, ishte njëri prej tyre”, shprehet regjisori malazias Mladen Ivanoviq.
Prej studentëve të etur për njohuri, aktivistëve për të drejta të njeriut, deri te gazetarët dhe artistët që me vite i japin përkrahje të madhe festivalit, deri tek ekspertët, “Underhilli” me kohë e ka gjetur rrugën deri tek publiku, i cili nuk e ka lehtë të ndajë momentet më mbresëlënëse.
“Tek unë posaçërisht ka lënë përshtypje filmi “Linja e jetës” i regjisores së re Katarina Bullajiq, e cila këtë e kishte edhe punim diplome. Ajo ka xhiruar një rrëfim dokumentar për Vida Bullajiqin, njërën nga gratë e para që ishin viktima të “Goli Otokut” dhe ka dhënë një dëshmi të vlefshme çfarë nuk kemi pasur rast ta dëgjonim në film. Ajo që dihet pak është se shumë gra nga Mali i Zi ishin në Goli Otok dhe është një absurd që pikërisht ky robërim i tyre ishte tregues i manipulimit politik me gratë në këto hapësira”, deklaron drejtoresha e Qendrës për të Drejtat e Grave, Maja Raiçeviq.
“Kur bëhet fjalë për programin e këtij viti, natyrisht filmin “Toka e mjaltës”, që në mënyrë të përkryer e ka mbërthyer gjithë situatën, nuk e kam parë më herët, sepse e kam ditur që do të jetë në “Underhill”. E kam lënë që të jem e pranishme në një projeksion të tillë. Duhet ta pranoj që filmi ka nxitur shumë pyetje tek unë, që kanë rëndësi, që lidhen me bashkëjetesën e njeriut me natyrën”, thotë gazetarja Jelena Kontiq.
Që “Underhilli” të mbijetojë dhe të arrijë të bëhemi vërtet pjesë e botës, investime më të mëdha institucionale do të jenë të nevojshme. Me koronën apo pa të.
“Mendoj që duhet të mësohemi që korona të jetë këtu, ky është realiteti ynë. Tani vetëm pres që të kemi shumë filma me këtë temë, edhe artistikë, kështu që kultura, sikur edhe gjithçka tjetër, mundet dhe duhet të funksionojë. Kultura është ajo që në fakt na fisnikëron dhe na i shëron plagët”, deklaron drejtoresha e “Underhillit”, Neneziq.
https://www.facebook.com/portalikohanet/videos/1308984585938938