Mali i Zi, një nga shtetet më të vogla evropiane, është i njohur për bukuritë e veta natyrore, por edhe për atë që në një hapësirë të vogël janë lindur shumë njerëz që edhe Jugosllavia e madhe i ka njohur si emra të dalluar në art dhe shkencë. Kufijtë kanë ndryshuar, standardet janë ngritur, tregu është bërë më kërkues. Lufta për një vend nën diell në secilin profesion nis qysh nga ditët e hershme shkollore dhe zgjat gjithë jetën.
Aktorin Momçilo Otasheviq dhe inovatorin Lazar Gjukoviq rajoni dhe Mali i Zi tashmë i njohin si njerëz të rinj, të suksesshëm. Ky është rrëfimi për cetinjasin 30-vjeç, i cili me rolet e tij bën për vete zemrat e publikut, dhe për inovatorin 16-vjeç, puna e të cilit qysh tash impresionon publikun malazias.
“Tung të gjithëve! Unë jam Momçilo Otasheviq, por këtu në Cetinë të gjithë më thërrasin Momo. Unë jam djalë, vëlla, bashkëshort, baba dhe kështu me radhë, dhe kështu me radhë, por jam edhe Dugodolan, Njegush dhe Cetinas’.
Momçilo Otasheviq ka kohë që punon në relacionin Cetinë-Beograd-Zagreb. Kështu edhe tani, derisa pret lindjen e fëmijës.
“Tani, para pak ditësh, gati që e kreva xhirimin e serialit – “Fletorja e shënimeve e profesor Mishkoviqit”, me regji të Miroslav Lekiqit, në Beograd. Kanë mbetur edhe dy ditë xhirimi dhe do të kompletohet edhe një serial. Pas pak ditësh shkoj në Zagreb, do të kem biseda me producentin, të shohim nëse do të vazhdoj të punoj menjëherë diç të re në Zagreb ose do të kem pak pushim, do ta shohim këtë. Por Momo tani e pret fëmijën, ja, më së thjeshti e kam ta shpjegoj këtë kështu”, thotë Otasheviq.
Momo tashmë është baba, ndërsa në skenë ka qenë edhe Batko, edhe Lluka edhe Ognjen. Ka aktruar në teatër, film dhe në seriale.
“Unë gjithmonë them se aktrimi është aktrim, unë dua të aktroj, andaj dhe gati se është njëjtë për mua. Jam shkolluar në Fakultetin e Arteve të Dramës për skenë, për teatër. Pastaj vijnë rrethanat, dhe e gjithë situata ka sjellë deri tek kjo që sot më shumë xhiroj sesa që punoj në teatër, edhe pse marr e punoj shfaqje kudo që mundem, që, siç them, të rigjenerohem. Shumë e dua atë procesin në teatër, atë punë, atë drejtpërdrejtshmëri, atë intimitet, aty nuk ka rrena, nuk ka mashtrim. Ti shkon për ta shikuar një fiksion, por unë aty nuk të gënjej, por këtë e punoj, me aktrim. Kështu, realisht më duket, më së shumti kënaqem në teatër dhe në atë momentin e tanishëm, në atë lloj arti”, shprehet ai.
Ndërsa projektet nuk ndalen edhe në kohën e koronës.
“Pres premierat e dy filmave. Njëri është “Pas dimrit” i Ivan Bakraçit, nikshiqas, shok i imi, që do duhej të dilte deri në fund të vitit, por çfarë është situata me koronën, askush nuk di më asgjë. Pres premierën e filmit kroat ‘Sipas tamburës’ të Stansilav Tomoqit, që është, do të duhej të ishte, një komedi e çmendur. Ja tani, në “Nëpunësi shtetëror” më keni parë në disa skena. Fundi i dimrit, fillimi i pranverës, do të nisë seriali “Fletorja e shënimeve”, të cilin e kam përfunduar në Beograd. “Mëngjesi dubrovnikas”, pastaj “Le të dalë ku të dalë” dy sezone, dhe kjo ndoshta është më e dashura për mua, aty jemi bërë bashkë unë dhe Jelena, pastaj “Emri tjetër i dashurisë”, “Në kufi” dhe “Dashuria e pastër”… M’u kujtuan të gjitha, edhe pse m’u desh pak kohë. Do të thotë, rreth një mijë episode në Kroaci”, thotë ai.
Në vendlindje, Cetinë, megjithatë e shohin si fytyrë të njohur nga TV-ekrani
“Nuk mund të ekzistojë kjo në Cetinë, a mund të fotografohemi dhe këto. Dua të them, mundet kjo me fëmijë, apo me këdo që duhet, dua të them se jam në shtëpi aty, por nuk ka aso raportesh. Unë edhe më tej jam Momo nga rruga ‘Nikola Lekiq’, mbase për ta jam ai Momo i vogël. Ndodh pas ndonjë interviste, ndonjë roli të mirë, më përmendin në qytet… kur eci nëpër qytet e duhet të ndalem, ta pi një raki, dy apo tri… nuk më bie të paguaj kafe, dhe kështu. Ndodhin këto në Cetinë, por kjo ndodh në një mënyrë tjetër. Nuk është sikur që ndodh në qytete tjera më të mëdha, ku njerëzit duan të fotografohen, të bisedojnë. Unë bisedoj gjithsesi, me të gjithë, sikur çdo ditë kur dal në qytet. Dhe këtë do t’ua kisha thënë të rinjve, sepse mendoj që mua së paku 40 për qind të roleve m’i kanë sjellë edukata, mundi dhe puna, jo talenti. Pikërisht këto tri gjëra. E talentin e ke, pak a shumë. Por talenti pa punë nuk është gjë. Nëse atë nuk e përpunon dhe nuk punon me vetveten, me miliona gjëra, asnjë nuk do të ndodhë. Zhduket”, thotë ai.
Nga Cetina shkojmë në Petrovac, ku na pret 16-vjeçari, inovator, i cili aktorin e preferuar e ka Momo Otasheviqin.
TON: LAZAR GJUKOVIQ – INOVATOR
“Tung, unë jam Lazar Gjukoviq, kam 16 vjet dhe vij nga Petrovaci. Në punëtorinë time të vogël punoj në projektet që lidhen me elektronikë dhe fizikë, për të cilat kam marrë shpërblime të ndryshme, prej të cilave më i madhi është vendi i dytë në garën ndërkombëtare Eko-Heroi, që organizohet nga ‘Action for Nature’”, thotë Lazar Gjukoviq, inovator.
Interesimin për shkencë dhe inovacione e ka shfaqur në klasën e 5-të të shkollës fillore. Me zbulime ia ka lehtësuar jetën gjyshit dhe gjyshes në fshat, e më pas edhe fqinjëve të tyre.
“Ai ishte projekt i organizatës ‘Action for Nature’. Ata kërkonin projekte inovatore nga e gjithë bota, lidhur me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Projekti im ishte i drejtuar nga ajo që t’u ndihmoja gjyshes dhe gjyshit, që jetojnë në fshatin Illino Brdo. Projekti përbëhet prej dy pjesëve. E para është pompa për ujë, e cila punon në parimin e shtypjes, që do të thotë se nuk ka nevojë as për rrymë, as për karburant që të punojë, kështu që, ajo 24 orë në ditë e nxjerr ujin prapa shtëpisë. Pjesa e dytë ishte kolektori solar, prej të cilit furnizohen të gjitha shtëpitë në fshat. Jam i vetmi në Ballkanin Perëndimor që e ka fituar këtë çmim në 17 vjetët prej kur ai ndahet. Ka pasur numër të madh që janë lajmëruar, disa mijëra, dhe ky është projekt që përzgjidhet nga referë dhe lexues të pavarur”, thotë ai.
Pas suksesit të parë projektet vinin me radhë.
“Këtu kemi mbushësin solar për telefon, ai nuk ka bateri dhe në bazë të energjisë solare e mbush aparatin. Këtë e kam prezantuar në vitin 2017 në ‘Ditët e hapura të shkencës’. Këtu kam edhe disa projekte të papërfunduara, në të cilat ende punoj. Më pas, këtu kam radiotransmetues që mund të bart radiosinjalin. Ndërsa kam edhe disa elektropajisje, siç është multimatësi”, thotë Gjukoviq.
Lazar, këtu në punëtorinë tënde të vogël kam gjetur një pushkë interesante. A mund të na thuash se për çka është fjala?
Po, kjo është pushkë ajrore e punuar nga pjesët e ricikluara. Është shumë interesante, sepse atë e kam shfaqur në kuadër të projektit tim të emërtuar “Dëshmi për përdorueshmëri”, në “Ditët e hapura të shkencës”, në vitin 2017.
Pra, i gjithë materiali është asisoj që mund të riciklohet?
Po, siç e shihni, boca plastike është prej lëngut, ventili është prej gomës, pjesët e rëndomta janë të drurit, dhe një gyp i thjeshtë i instalimeve ujore.
Shkenca nuk është e vetmja gjë me të cilën merresh. Nëna jote më tregoi se ke dëshirë edhe të vizatosh?
Kur isha më i ri shumë dëshiroja të vizatoja dhe të pikturoja. Me kohë, kur kam nisur të merresha me shkencë, kjo është diç që ka mbetur tek unë, andaj dhe përpiqem që në çdo projekt timin të kem edhe atë anën artistike.
Lazar, shkolla, shkenca, sporti, vizatimi, je aktivist ekologjik, si i arrin të gjitha këto?
Përpiqem që të harmonizoj të gjitha aktivitetet, shkencën me shkollën, dhe që maksimalisht ta shfrytëzoj kohën e lirë.
Megjithatë, në fund, mbetet kohë edhe për aktorin e preferuar.
Mendoj që në botë nuk ekzistojnë vende të tilla… ose, së paku, nuk janë të shpeshta.