Dikur e drejta zakonore i njihte dhe konsideronte sjelljet e shteteve si doktrinë, siç i njeh edhe e drejta ndërkombëtare publike sot. Doktrinat, kryesisht u zhvilluan nga e drejta ndërkombëtare zakonore.
Nisur nga praktika e doktrinat shtetërore janë krijuar parimet fondamentale si “Pacta Sunt Servanda”, që nënkupton se marrëveshjet duhet të respektohen si ligj për palët, dhe “Rebus Sic Stantibus”, që nënkupton se marrëveshjet mund të pezullohen, anulohen, përfundohen apo tërhiqen prej saj. Këtë parim, si valvul sigurie, e njeh edhe Konventa e Vjenës mbi Marrëveshjet-Traktatet e 1969-s.
Pa dyshim, të aplikuarit e “Rebus Sic Stantibus” si valvul sigurie, paraqet një kuptim kompleks, por thirrja në argumentim ligjor dhe pragmatik politik, me konsideratë duhet edhe për Kosovën.
Si doktrinë e hershme qysh nga e drejta zakonore, shteteve për një marrëveshje apo traktat, u njihet e drejta që për shkak të ndryshimeve e rrethanave politike rrënjësisht të ndryshme nga ato të momentit të lidhjes së marrëveshjes, shteti ka të drejtë ta pezullojë, të anulojë, të përfundojë apo të tërhiqet prej saj. Pra, u mundëson shteteve si palë nënshkruese një përjashtim të drejtë për t'i ndihmuar në rirregullim të detyrimeve ligjore për shkak të ngjarjeve të shpeshta apo të rënda, që e bëjnë vazhdimin e respektimit të marrëveshjes edhe të padrejtë juridikisht e politikisht.
Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' si valvul sigurie është e pranuar si shmangie apo si mosrespektim, nga parimi i përgjithshëm 'Pacta Sunt Servanda'; mbase të kuptuarit e marrëdhënies ndërmjet këtyre dy doktrinave është gur themeltar i zgjidhjes së marrëveshjeve apo traktateve në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përcaktuar se shtetet kanë arritur dakordësi për marrëveshje të tyre për të promovuar stabilitet dhe besueshmëri me detyrime ligjore, e në veçanti kur palët janë shtete fqinje sikurse në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' i mundëson Kuvendit Republikan që për shkak të ngjarjeve të rënda e të përsëritura politike e edhe të agresionit ushtarak nga ana e Serbisë ta ndryshojë rrënjësisht thelbin e marrëveshjes (ve) duke vendosur interesa të pabarabarta dhe të dëmshme, si zhvillime shkatërruese të rregullimit shtetëror dhe unitar të Republikës së Kosovës. Andaj, thirrja në pretendimin ligjor e politik të jetësimit të këtij valvuli sigurie është për domosdoshmërinë e frymës së drejtësisë.
Në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare mund t'iu referohemi përcaktimeve të së drejtës zakonore dhe ndërkombëtare publike mbi detyrimet e zbatimit dhe të drejtën mbi pezullimin, anulimin, përfundimin apo tërheqjen nga marrëveshja me argumentimin se nuk jemi të detyruar ta zbatojmë marrëveshjen (19 prill, 2013) duke e shfuqizuar pjesërisht apo në tërësinë e saj; dhe dakordimin e shprehur publik për marrëveshje (27 shkurt, 2023), sepse mungojnë pritshmëritë fillestare dhe se rrënjësisht janë transformuar rrethanat politike e të sigurisë, për t'i vënë theksin fushatës kundër njohjeve dhe anëtarësimeve të Kosovës në organizma ndërkombëtarë; te rrëmbimi i dy zyrtarëve policorë në Komunën e Podujevës nga xhandarmëria e Serbisë, e më pas rrëmbimi i tre zyrtarëve policorë kufitar patrullues në Komunën e Leposaviçit; e duke kulmuar me agresion ushtarak serb më 24 shtator 2023 kundër rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës; të krijuara nga pala serbe si rrethana të paparashikuara nga pala e Kosovës, rrethana këto thelbësisht të ndryshme nga koha kur është lidhur marrëveshja. Prandaj, mbi këto premisa, deklarimi i mëtejmë për zbatim të marrëveshjes (ve) është bërë i rënduar, i vështirë edhe i rrezikshëm, me narracionin "normalizim marrëdhëniesh".
Doktrina 'Rebus Sic Stantibus' ka një hershmëri prej shekujsh te traditat ligjore, që ka përcaktuar histori në marrëdhëniet ndërkombëtare e deri te vendime arbitrazhi që e kanë njohur e zbatuar këtë doktrinë si ligj zakonor. Madje sot, kjo doktrinë është pjesë e shumë juridiksioneve të shteteve ndërlidhur me të drejtën ndërkombëtare publike, civile e kontraktuale. Kështu që, duke i konsideruar si të përmbushura kriteret e “Rebus Sic Stantibus”, mund ta rishikojmë marrëveshjen apo ta shfuqizojmë si detyrim të njëanshëm, që i kërkohet shtetit të Kosovës.
Të panumërta kanë qenë rastet që janë studiuar në marrëdhëniet ndërkombëtare që është shfrytëzuar kjo doktrinë e së drejtës ndërkombëtare, disa si në vijim; shtete të Amerikës Latine janë tërhequr nga disa marrëveshje gjatë viteve 1930 si rezultat e Depresionit të Madh në ShBA;, tërheqja nga disa marrëveshje nga ana e Norvegjisë dhe Suedisë si rezultat i transformimeve politike nga Lufta e Parë Botërore;, shfuqizimi dhe tërheqja e Gjermanisë nga detyrime të Traktatit të Versajës pas Luftës së Parë Botërore;, marrëveshja e Londrës e 1915-s për pavarësinë e Armenisë u pezullua dhe shfuqizua me marrëveshjen e Lozanës;, apo marrëveshja Clayton - Bulwer e 1919 ndërmjet ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar u shfuqizua duke u thirrur në 'Rebus Sic Stantibus'.
Republika e Kosovës u ftua të fillojë një proces dialogu që në marsin e 2011-s, dhe më 19 prill të 2013-s në Bruksel u nënshkrua dokumenti prej pesëmbëdhjetë (15) pikash, gjashtë (6) prej tyre për Bashkësinë e Komunave Serbe ("zajednicën") e cila në tregun politik vendor u shit si “marrëveshje ndërkombëtare” mbi arsyen se Prishtina politike, përkatësisht qeveria atëherë, kishte nxjerrë vendim (Ref; Nr.1/126) e në po të njëjtën ditë është votuar një rezolutë (Ref; Nr.04-R-10) me shumicë votash në Kuvendin Republikan si mbështetje të kësaj “marrëveshje” dhe më pas më 27 qershor, 2013 Kuvendi Republikan miraton Ligj (Ref; Nr. 04/L-199) mbi Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë - Serbi; që do të krijonin obligime shtetërore për Kosovën, veprime këto të njëanshme, pra, vetëm nga pala jonë, duke i shkelur kështu postulatet fondamentale mbi marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me tekst identik dhe veprime procedurale analoge ndërmjet shteteve si palë nënshkruese; e po ashtu, njëra palë nuk mundet njëanshëm të mungojë apo të shtoj ndonjë klauzolë. Prandaj edhe Prishtina politike, përkatësisht Kuvendi Republikan ta zbatojë “Rebus Sic Stantibus” si praktikë ligjore për t'iu shpëtuar detyrimeve të ligjit në fuqi.
Dialogimi me narracionin "normalizim marrëdhëniesh" është bërë edhe më i rënduar, më i vështirë e më i rrezikshëm, sepse pa një Serbi të normalizuar NUK ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, e pa Serbi të normalizuar NUK ka as paqe e siguri të rajonit.
Çfarë i duhet këtij procesi për një paqe të përhershme dhe fqinjësi, përmes emisarëve të rinj për këtë proces është të transformohet konteksti i dialogut që do të shpinte në një marrëveshje paqeje sikurse ai ndërmjet Sllovenisë e Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në korrik 1991 në Brijone, apo ai ndërmjet Kroacisë dhe Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në gusht 1996, që do të garantonte njohjen e ndërsjellë (të paktën përfaqësim diplomatik në nivel ambasadash), kthimin e të pagjeturve, dëmet e luftës dhe dëmshpërblimin e viktimave të luftës - për të arritur te normalizimi i marrëdhënieve si dy shtete fqinje.
(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)