Në proces të reformimit të sistemit zgjedhor do të duhej të konsideroheshin seriozisht edhe argumentet për mbyllje të listave, si dhe për krijimin e zonave zgjedhore
Sistemi ynë zgjedhor ka përjetuar një transformim në formë dhe substancë që nga instalimi i OSBE-së pas luftës me zgjedhjet e para lokale më 2000 dhe ato parlamentare më 2001. U fillua me lista të mbyllura, por shoqëria civile inicioi një fushatë të suksesshme për hapjen e listave.
Argumentet ishin valide për kohën dhe ndryshimi solli një risi, ku instaloi garë pos mes partive edhe në mes të kandidatëve brenda partisë. Kjo solli përfitime në dinamizimin e procesit demokratik dhe lehtësisht mund të vlerësohet se e ka kryer funksionin e vet. Votuesi dukej se mori më shumë në dorë duke ua mundësuar edhe kandidatëve të vendosur poshtë në listë të shijojnë karrigen e përfaqësuesit të qytetarëve në Parlament, sado që kjo ishte e rrallë. Është krijuar një ide që hapja e listave është avancim dhe pakkush merret me rezultatin final në sistemin politik të listave të hapura. Pas shtatë palë zgjedhjeve me lista të hapura duket që diçka nuk po shkon dhe ka nevojë për një balancim.
Zbehja e rolit të liderëve nuk duket se ka ndodhur. Por problemi më i dukshëm natyrisht është vjedhja industriale e votave brenda partive. Në bazë të vlerësimeve të shumë vrojtuesve, përderisa vjedhja mes partive është minimizuar, vjedhja brenda listës së kandidatëve të partive ka ardhur duke u sofistikuar dhe rritur. Mund të supozohet me siguri të lartë se tanimë kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal të organizuar qoftë lart-poshtë (ku lidershipi i partisë do të shtyjë ose të ndalojë ndonjë kandidat) e qoftë poshtë-lart (ku ndonjë kandidat i shkathët organizon përvetësimin e votave nga kandidatët konkurrentë). Vrojtuesit ankohen që kemi të bëjmë me kandidatë nga cepa të ndryshme të vendit që shkojnë e korruptojnë komisionerët në lokalitete të largëta nga ata vijnë. Në pothuajse të gjitha kampet politike është zhvilluar ky lloj i karakterit që fushatën e orienton drejt blerjes/korruptimit të komisionerëve. Komisionerët në forma të ndryshme pastaj e drejtojnë votën për ata kandidatë pagues pikësëpari duke orientuar votuesin nëpërmjet listave pesëshe, pastaj duke plotësuar vetë numrin e atyre kandidatëve në lista pa votim të kandidatëve e deri te regjistrimi kriminal i votave të tjetërkujt në emër të kandidatëve pagues.
Por vjedhja nuk mbaron aty, ajo pastaj vazhdon edhe në Qendrën për Numërimin e Rezultateve. Askush nuk e di me saktësi se sa deputetë hyjnë nëpërmjet votave të përvetësuara nga komisionarët, por vlerësimet blanko përmendin shifra 20 e bile edhe 30%. Nëse kjo është e vërtetë, kjo është arsye për alarm dhe dëshmi që sistemi nuk ka funksionuar.
Sidoqoftë, ajo që dihet është që një numër kandidatësh dallaveraxhinj kanë ndërtuar sistemin dhe financojnë zgjedhje pas zgjedhjesh për të siguruar karrigen e tyre të deputetit. Ata kanë ndërtuar sistem kompleks që do të jetë e vështirë të identifikohet e të luftohet. Eliminimi i vjedhjes nëpër klasë e në QRN në masë të madhe është i mundshëm nëse ka vullnet politik. Sidoqoftë, ka edhe disa aspekte të tjera të listave të hapura që kanë deformuar demokracinë dhe nuk i shërbejnë më interesit publik.
1. Kemi një garë shpesh të egër dhe pa arbitër mes kandidatëve me shumë goditje nën brez. Vrojtuesit ankohen se kjo pastaj shpesh po e vështirëson punën ekipore pas zgjedhjeve përbrenda grupeve parlamentare. Si rezultat i kësaj beteje të pandërprerë, përbrenda partive është krijuar një ambient toksik, ku ka mungesë besimi të ndërsjellë. Kjo rezulton në vështirësi serioze në ndërtimin e politikave koherente përbrenda grupeve parlamentare. Edhe kur ndodhin aleanca të fshehura zgjedhore mes kandidatëve, ato aleanca krijohen për të siguruar vota për vete në kurriz të kandidatëve të tjerë.
2. Hapja e listave ka stimuluar protagonizëm të skajshëm personal të kandidatëve dhe deputetëve, gjë që jo gjithmonë dhe jo domosdo shpie te kontributi më i madh substancial në formulim politikash.
Deputetët, të vetëdijshëm që do të jenë në garë shumë shpejt në zgjedhjet e radhës, e kanë shndërruar foltoren e Kuvendit në një platformë të vazhdueshme elektorale për vete. Deputetët detyrohen të performojnë në foltore për të siguruar mbështetje për vete te votuesit brenda partisë së vet për të siguruar simpati për vete në kurriz të konkurrentëve brenda partisë. Ky aktrim ka çuar në fragmentim të skajshëm dhe zvogëlim të bashkëpunimit e konkurrencë jo të shëndoshë brenda grupit që nuk i shërben interesit publik.
3. Një numër kandidatësh të dëshmuar e premtues shpesh mbesin jashtë parlamentit në të gjitha kampet herë për shkak se nuk janë të aftë të bëjnë luftën e brendshme elektorale me keqbërësit elektoralë e shpesh edhe për shkak se vendosen në listën e zezë nga lidershipi i partisë, të cilët i përdorin për të mashtruar elektoratin, por jo për t’i futur në parlament dhe lidershipi i partisë angazhohet që kriminalisht t’ua transferojë votat te kandidatë të tjerë të preferuar. Të vetëdijshëm për këtë, shumë njerëz të tjerë të aftë vendosin të mos angazhohen fare politikisht.
4. Deputetët me shumë vota kanë fituar një konfidencë që jo gjithmonë i shërben interesit publik. Na është krijuar një hierarki jo e shëndoshë në Parlament, ku fjala e deputetit me më shumë vota ka më shumë peshë sesa e atij me më pak vota, megjithëse votat e tyre në vendimmarrje kanë të njëjtën peshë. Kjo hierarki përpos fryrjes së egos së deputetëve me shumë vota, nuk ia sjell asnjë benefit të dukshëm interesit publik.
5. Një përqindje e konsiderueshme prej rreth 5% e votave kanë dalë vazhdimisht të pavlefshme që tregon se edhe pas shtatë palë zgjedhjeve votuesi nuk e kupton sa duhet këtë sistem me dy gara njëkohësisht.
6. Edhe nëse eliminohet në tërësi vjedhja zgjedhore, orientimi i elektoratit nga personeli partiak nuk do të mund të kontrollohet. Kjo pikësëpari ndodh në vendosjen e kandidatëve në hierarki në listë zgjedhore. LVV e pati provuar të vendosë kandidatët në listë alfabetike me rezultat katastrofik. Por ajo çfarë ndodh në terren është imponimi i listave nga struktura partiake, ku njerëz të paguar nga kandidatët ose të inspiruar ndryshe shpërndajnë lista pesëshe te votuesit e njohur të partisë e ndonjëherë edhe lista me emrat e kandidatëve që nuk duhet votuar. Reforma zgjedhore është shtyrë vazhdimisht dhe që nga pavarësia zgjedhjet kanë ndodhur vazhdimisht para kohe. Diskutimet për rishikim të sistemit zgjedhor me siguri do të ndodhin së shpejti dhe atëherë do të ishte mirë të shoshitej se cili sistem zgjedhor do të ishte më i përshtatshmi për konsolidimin e sistemit tonë politik në dhjetë vjetët e ardhshëm. Nuk do shikuar dogmatikisht, sepse sistemi ideal zgjedhor nuk ekziston dhe sistemi zgjedhor proporcional ofron mundësi për shumë më shumë nuanca sesa mazhoritari, dhe ato nuanca performojnë ndryshe në kohë të ndryshme. Në botë ekzistojnë dy modele të sistemeve elektorale proporcionale.
Shumica e vendeve me sistem proporcional votojnë lista të mbyllura, një pjesë me lista rajonale dhe një pjesë me lista nacionale. Disa vende si Kosova kanë vendosur të hapin listat dhe të inkurajojnë garën edhe mes kandidatëve. Zvicra përbën një sistem të tretë unik duke shkuar një hap tutje, me mundësimin e votimit edhe të kandidatëve nga parti të ndryshme. Në proces të reformimit të sistemit zgjedhor do të duhej të konsideroheshin seriozisht edhe argumentet për mbyllje të listave, si dhe krijimin e zonave zgjedhore. Në fazën e zhvillimit demokratik të vendit kjo do të mund të ndihmonte në konsolidimin e grupimeve politike. Mbyllja e listave nuk do të ishte kthim prapa, por veprim për balancimin e sistemit politik në përputhje me nevojat e tanishme të vendit.