OpEd

Terrori i përditshëm politik i Kosovës

Përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, shou me një pizeveng politik të Beogradit, rrëmbimi i shtetasve turq: klasa sunduese politike e Kosovës po mbijeton falë prodhimit të krizave e aferave.

Në një natë dhjetori ambasadorët perëndimorë u alarmuan. Papritur para deputetëve u gjend projektligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kuvendi i Kosovës u bë një arenë intrigash, kërcënimesh, britmash, intervistash e prononcimesh dramatike. Gjatë asaj nate të dhjetorit pati kërcënime nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë me tërheqje të KFOR-it nëse vazhdon aventura për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Projektligji u prezantua pasi, siç thuhej, dikush nga krerët e shtetit ishte frikësuar se Gjykata Speciale mund ta përfshijë çdokënd, sepse askush nuk ka imunitet. Gjykatën po përpiqeshin ta rrëzonin ata që e kishin miratuar – madje me lloj-lloj kërcënimesh ndaj deputetëve, me paralajmërime se nëse nuk miratohet Gjykata Speciale, atëherë Kosova do të ketë pasoja të mëdha, të pariparueshme, se do të humbë “miqësinë me bashkësinë ndërkombëtare”.

Pranimin e Gjykatës Speciale ai që sot është president i Kosovës e kishte arsyetuar kështu: “Më duhet të them se nevojë e jona është që të pastrohemi nga ky etiketim i panevojshëm dhe i padrejtë për emrin e luftës së shenjtë të UÇK-së, që u përkrah nga e mbarë bota… Ne e dimë që në të gjitha luftërat ka pasur edhe lëshime, ka pasur edhe krime… Prandaj Kosova duhet që të lirohet nga kjo të them ‘legjendë e zezë’, e krijuar padrejtësisht për ta dëmtuar imazhin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”.

Përpjekja e dhjetorit për shfuqizim të Gjykatës Speciale dështoi, por dëmi i mbetet Kosovës si shtet joserioz që nuk i respekton marrëveshjet ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Me javë të tëra opinioni kosovar u terrorizua me këtë temë dhe në fund krerët e institucioneve filluan të tërhiqeshin njëri pas tjetrit, madje të zgërdhiheshin para kamerave dhe të bënin sikur asgjë nuk ndodhi.

Pastaj ndodhi drama me një pizeveng politik të Beogradit, një provokator, që hyn e del nga Kosova prej vitesh, dhe prej vitesh luhet një lojë e maces dhe miut: herë ndalohet hyrja e tij në Kosovë, herë lejohet, herë ky pizeveng lavdërohet në mediat e Beogradit se ka hyrë tinëz në Kosovë, herë gënjen se ka hyrë, kushedi. Në një aksion për të cilin nuk dinte gjë kryeministri i vendit, realizohet arrestimi i provokatorit dhe pason shou politik, ekspozimi i tij në qendër të Prishtinës si të ishte një trofe lufte.

Çfarë fitoi Kosova nga kjo? Një stemë të “Asociacionit/Bashkësisë” së komunave me shumicë serbe, një paralajmërim se ky trup do të themelohet më 20 prill nëse Prishtina nuk e realizon atë që e ka premtuar – symbyllur. Kjo dramë do të vazhdojë ashtu si kacafytja për demarkacionin. Duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur marrëveshjen për “Asociacionin/Bashkësinë” pjesërisht antikushtetuese dhe frikës së një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës se “Asociacioni/Bashkësia” është uverturë për krijimin e një “Republike Serbe” brenda Kosovës, polarizimi mes shumicës shqiptare në Kosovë vetëm sa do të thellohet.

Zaten, kjo duket të jetë strategjia e shumicës së politikanëve të Kosovës: të qëndrojnë në pushtet duke krijuar kriza dhe afera, të cilat liderët e Kosovës bëjnë sikur i zgjidhin. Zjarrvënës në rolin e zjarrfikësve. Kuptohet edhe me miratimin e së ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare, e cila qëmoti është pajtuar me këtë modus vivendi në Ballkan: ndërsa autokratët garantojnë paqen, ata në shtëpinë e tyre mund të bëjnë çfarë të duan.

Ky model u aplikua edhe me rastin e rrëmbimit të shtetasve turq në Kosovë në prag të Pashkëve. Në bazë të asaj që dihet deri më tani, shefi i Qeverisë sërish u zu në befasi. Tha se nuk ka ditur asgjë. Edhe kryetari i Parlamentit, një figurë që vjen nga bota e shërbimeve, po përbetohet se nuk ka ditur asgjë. Kryetari i shtetit njëherë tha se nuk ishte i informuar, por e arsyetoi dëbimin. Si është e mundur që askush të mos ketë ditur gjë për një aksion klandestin të Shërbimit sekret turk në bashkëpunim me figurat e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës? A ekziston në Kosovë një strukturë paralele që duke anashkaluar kryeministrin dhe institucionet e tjera relevante organizon këso skandalesh, siç ishte ky me shtetasit turq?

Sekti Gülen në Kosovë është aktiv që nga viti 2000. Me ardhjen e Rexhep Taip Erdoanit në pushtet në Turqi, kjo lëvizje u zgjerua edhe më shumë në Kosovë. Kreu i organizatës Fethullah Gülen dhe Erdoan kanë qenë miq, bashkë e kanë marrë pushtetin në Turqi. Raportet mes tyre janë acaruar kur në Turqi nisi një betejë për pushtet mes Erdoanit dhe Gülenit, i cili i kishte njerëzit e tij në ushtri, polici, Shërbim sekret, media, në çdo pore të shoqërisë. Kur prokurorë të afërt me Gülenin filluan të bëheshin të rrezikshëm për klanin dhe familjen e Erdoanit, beteja u acarua edhe më shumë. Në bazë të asaj që dihet deri më tani, njerëz të Gülenit kanë qenë të përfshirë në përpjekjen për grusht shtet në Turqi. Më së voni pas tentimit për puç në korrik 2016, Kosova është dashur të heqë qafe njerëzit e Gülenit. Kjo ka mundur të bëhet duke mbyllur institucionet e tyre dhe duke u bërë presion njerëzve të Gülenit të braktisin Kosovën. Po të bëhej kjo më 2016 apo 2017, këta njerëz sot do të ishin diku në Evropën Perëndimore dhe Kosova do të kishte një problem më pak. Në Turqi ata nuk duhej dëbuar, sepse çdo organizatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut është e bindur se pas puçit në Turqi nuk ekziston më drejtësi e pavarur. Dëshmi për këtë kanë dhënë edhe mjaft gazetarë, publicistë, shkrimtarë turq të arrestuar arbitrarisht.

Këtu mjafton një shembull: në vitin 2011 gazetari Ahmet Shik, ndër hulumtuesit më të njohur në Turqi, u arrestua sepse shkroi një libër ku demaskonte lëvizjen e imam Gülenit. Atëherë ai u arrestua. Pas puçit, po ky gazetar u burgos si përkrahës i Gülenit. Një absurd i madh. Kjo të kujton atë rrëfimin me xhandarin serb, i cili kalonte me kalë nëpër një fshat shqiptar. Kur shqiptari i tha “Mirëdita” (nga frika), xhandari e keqtrajtoi. Kur nuk i tha “Mirëdita” - prapë e keqtrajtoi.

Gazetari Ahmet Shik u lirua para disa ditësh nga burgu, por procesi kundër tij do të vazhdojë. I patrembur ai tha se “sulltanatit mafioz” të Erdoanit një ditë do t’i vijë fundi. Për fatin e zi të Kosovës politikanët e papërgjegjshëm e kanë shndërruar Kosovën në njëfarë sulltanati anadollak, duke ua shitur njerëzve të Erdoanit disa asete vitale të shtetit. Meqë drejtësia e tredhur kosovare nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ndriçimin e këtyre privatizimeve të dyshimta, mund të merret me mend se kush ka përfituar nga bixhozi me pasurinë e Kosovës. Kur hyn aq thellë në aranzhmane me regjime që synojnë të të shndërrojnë në provincë osmane, atëherë bën vaki edhe kjo: sulltani kap mikrofonin dhe në stilin e një barabe kërcënon me rrëzimin e Qeverisë në Kosovë.

Dëmi nga afera me turq është i përhershëm dhe dëmi do të kufizohet vetëm nëse shkaktarët e rrëmbimit largohen sa më parë nga postet e tyre. Gjithmonë ka një zgjidhje. Edhe kësaj radhe ajo zgjidhje është që Kosova të këmbëngulë në respektimin e vlerave perëndimore. Nuk është rastësi që gati të gjithë rilindësit, shumica të rritur politikisht në Perandorinë Osmane, thoshin se për shqiptarët dielli lind në Perëndim. Siç lind edhe për miliona turq, të cilët nuk e miratojnë mënyrën se si sulltani nga Bosfori po e shkatërron një demokraci për ambiciet e tij politike.

© KOHA Ditore