OpEd

Teletubbies kosovar

Gjumin tim të rehatshëm këtë javë ma siguruan dy lajmet e kabllogrameve diplomatike të ditëve të fundit. Emërimi i Skënder Hysenit për koordinator për bisedimet me Serbinë, edhe një protagonist më shumë që ta marrë fatin e Kosovës në duart e tij, ndërsa në proces zgjedhor nuk e ka votuar as mëhalla e vet dhe lajmi i dytë me titullin bombastik kishte të bënte me rikthimin e Dardan Molliqajt … në debatet e njërës nga studiot televizive

"Pyka nxirret me pykë", fjali e vjetër popullore. Të njëjtën e përdorin edhe fqinjët tanë veriorë, mirëpo origjinën e saj të saktë për kohën të cilën u mundova që ta gjeja, nuk e arrita. Si shprehje e njëjtë përdorej edhe në disa gjuhë të tjera rajonale ballkanike, ndërsa shprehja më e përafërt angleze ishte “fight fire with fire” (ta luftosh zjarrin me zjarr).

Iu referova kësaj fjalie pas bujës së shkaktuar në rrjetet sociale, si dhe atyre mediatike pas postimeve të fundit të yllit botëror të pop muzikës, Dua Lipa.

Fillimisht postimi i saj i parë ndërlidhej me një peticion, i cili po nënshkruhej mbi paraqitjen e Kosovës si shtet i pavarur në hartat e Apple produkteve. Më pas ai postim i saj u bombardua nga brigadat nacionaliste dhe shoviniste serbe me komentet më të ulëta, si dhe denigruese, si për artisten në fjalë ashtu edhe për vendin dhe kombin shqiptar të Kosovës. E më pas pësoi bomba e radhës, e cila qysh nga ndeshja e futbollit Serbi VS Shqipëri, të mbajtur më 14.10.2014, ka mbetur e ngulitur thellë në kokat e serbëve pas ngritjes dhe defilimit të dronit, i cili po e valonte një bez të zi me hartën e trojeve natyrale etnike-shqiptare dhe me figurat e Ismail Qemajlit dhe Isa Boletinit, si dhe mbishkrimin AUTOCHTONOUS.

Dua Lipa e kishte postuar po të njëjtën fotografi dhe vetëm kuptimin e fjalës autochtonous nga fjalori zyrtar i Oxfordit për gjuhën angleze. (Autochtonous: mbiemër, banor i një vendi, vendas, më parë sesa i ardhur nga migrimi apo kolonializmi).

Mjaftoi kjo, që të gjitha pykat nacionaliste serbe të lëkundeshin nga vendi. Në fakt, nuk ishin vetëm ato serbe, atyre iu bashkëngjitën edhe ato greke, maqedonase dhe malazeze.

Nuk pati Dua Lipa pretendime territoriale ndaj askujt, as nuk i nisi tanket e saja e as aviacionin me artileri e këmbësori në pushtim të trojeve të askujt. Por, e vetmja e vërtetë është ajo e cila dhemb dhe e cila shkakton shqetësim tek ata, të cilët diellin mundohen që ta mbulojnë me shoshë.

Dua hasi edhe në disa kritika nga kosmopolitët shqiptarë, të cilët edhe nuk ngurrojnë që atë banderolë ta quajnë “një leckë e pavlerë”, gjithnjë edhe ata duke e përzier kuptimin e mesazhit të asaj banderole dhe thënie në të. Nuk bën ajo kurrfarë thirrje për pushtime trojesh, e paraqet një të vërtetë historike nga e cila nuk e di pse ndonjë shqiptar do të duhej që të ndihej i fyer, inferior apo i turpëruar. Në ato troje ne nuk jemi ardhacakë, por aty kemi qenë denbabaden që nga kohërat më të lashta brez pas brezi.

Nuk dëshiroj që ta shtjelloj këtë dukuri më thellë, është thënë dhe përfolur shumë në lidhje me këtë gjë, unë vetëm dëshirova që ta dëshmoja se e vetmja mënyrë e heqjes së një pyke është me një pykë tjetër. A ka elemente nacionalizmi në të? Ka që çke me të, por unë e shoh si lloj të atij nacionalizmi dhe mburrjeje të secilit komb, i cili mburret me historinë edhe origjinën e vet, e jo-medoemos historia dhe rrjedhat e saj kanë qenë të drejta ndaj tyre.

Filmi "Braveheart" me Mel Gibsonin në rolin kryesor të personazhit të William Wallace pati shkaktuar bujë të madhe të pakënaqësisë në Angli, mirëpo filmi po e shtjellonte një personazh, ngjarje dhe rrjedhë të vërtetë të ngjarjeve historike ndërmjet Anglisë dhe Skocisë së asaj kohe, përkundër faktit të hidhur se anglezët ishin shtypësit dhe okupatorë të trojeve skoceze e që përkthyer në emocione të ditëve të sotme sedra nacionaliste angleze lëndohet me atë përshkrim.

Sa do të dëshiroja sikur ne si komb të ishim aq të ngritur dhe të organizuar e që deri në ditët e sotme të kishim investime në filma artistikë mbi mbretëreshën Teutë, Agronin dhe bashkëkohanikët e tyre, t’i përshkruanim ata ashtu siç ata ishin dhe paraqiteshin për kohën e tyre. E pse jo edhe filma të të gjitha ngjarjeve pasuese historike, e të cilat ndërlidhen me historinë, origjinën dhe prejardhjen e kombit tonë.

Mirëpo, t’u kthehemi “filmave” të realitetit tonë. Përmbaruesi bllokon xhirollogaritë e Telekomit në kërkim të zbatimit të vendimit të arbitrazhit mbi pagesën prej 26 milionësh të Telekomit ndaj “Z-Mobile”, DardaPhone, respektivisht.

Pasi që është sjellë deri në këtë gjendje, kjo kompani profitabile publike, sot ajo rrezikon që 2.300 punëtorët e saj të mbeten pa pagat e tyre dhe sot pritet që ata do të ngrihen në protesta për të shfaqur pakënaqësinë e tyre. E ashtu siç deri tash më jemi mësuar në Kosovë, e sidomos ne të cilët i përcjellim ngjarjet dhe rrjedhat politike dhe jemi më të zëshëm për to, “rastësisht” që në të njëjtën ditë përsëri ngrihet dhe aktualizohet tema e ndërtimit të xhamisë së madhe (shih ironinë) mu aty pranë ndërtesës së Postës dhe Telekomit të Kosovës në lagjen “Dardania”.

Kjo xhami e financuar nga Qeveria turke me vlerë prej 40 milionë eurosh e gjithashtu me një arkitekturë të kopjes të një xhamie tjetër të shekullit të 15-të. Këtu do ta citoja një thënie nga Richard Dawkins:

“Ju keni të drejtë të qëndroni teveqel. Gjithçka që nuk dini, mund dhe do të përdoret kundër jush. Sipas të gjitha gjasave për profit”.

Nuk e di çka do të dallonte kjo nga kitchi i shëmtuar i projekteve “arkitektonike” në Shkup me kopjet e saj të monumenteve origjinale arkitektonike nëpër Evropë e që si e tillë është përqeshur nga cilido ekspert, qoftë i arkitekturës, qoftë i artit.

Por ajo që është synuar është arritur dhe ajo është edhe një përçarje e panevojshme brenda popullit, ku pastaj politika koketon me religjionin për të vjelë edhe një votë më shumë. Por nuk e kuptoj nëse partia "Fjala" e edhe disa të tjera para saj të udhëhequra kryekëput nga njerëz dhe besimtarë të religjionit islam nuk arrijnë që ta kalojnë as pragun zgjedhor, kjo më lë të kuptoj se vota e besimtarëve e ndoshta edhe e praktikuesve të fesë islame në këtë shembull, më shumë është e shpërndarë nëpër partitë e tjera sesa në ato të cilat e kanë edhe programin e tyre më shumë të bazuar në ideologjinë islame. Prandaj, edhe e shohim koketimin e partive politike me këtë bazë të popullatës dhe vjeljes së votave potenciale.

Në vazhdën e këtij koketimi ishte edhe statusi i djeshëm i akademikut Isa Mustafa, i cili deklaroi se 95% i popullit të Kosovës është i besimit mysliman. Kur një deklaratë e tillë vjen nga një akademik, kjo bëhet paksa problematike edhe pse edhe në të kaluarën akademiku na e ka dëshmuar se me përqindjet nuk qëndron bash mirë, në fakt çka do që s’ka të bëjë me 3% e ka problem me e llogaritë. Qe p.sh. edhe unë në shkollë fillore tabelën e shumëzimit me 5 edhe me 10 e kam ditur përmendësh, edhe nuk ia kam huq asnjëherë, me të tjerat numra ndodh që edhe kam çaluar.

Në vazhdën e pakënaqësive të skenës politike në Kosovë, janë edhe pakënaqësitë e OVL të UÇK-së, të cilët kërkojnë shkarkimin e eurodeputetes gjermane për raportimet mbi Kosovën, znj. Viola Von Cramon, sepse ajo qenka parë në vizitë Gjykatës Speciale në Hagë gjatë intervistimit të presidentit Hashim Thaçi atje dhe se ajo ka “ushtruar ndikim mbi Gjykatën”. Të njëjtën akuzë ia kishte bërë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Enver Hoxhaj, me një cicërimë të tijën në Twitter e së cilës znj. Cramon i ishte përgjigjur se ajo ishte vetëm duke e kryer detyrën e saj si raportuese si dhe çdo paraardhës i saj dhe që z. Hoxhaj do të duhej që të ishte në dijeni, dhe se drejtësia në Evropën demokratike funksionon ndryshe nga ajo për të cilën mund të ishte mësuar z. Hoxhaj në vendin e tij, duke aluduar në ndikimet të cilat i bëhen gjyqësorit këtu në Kosovë e që për eurodeputeten janë gjëra të njohura.

Edhe pykat e koalicionit PLAN kanë filluar të lëvizin nga vetë pykat e vendosura nga vetë ata. Pakënaqësitë ndërmjet partnerëve të koalicionit sa vijnë e shtohen. Marrja e deputetit të Nismës nga ana e AAK-së dhe si pasojë shuarja e Grupit parlamentar të Nismës ka irrituar kryetarin e partisë së saj, Fatmir Limaj, dhe ka acaruar marrëdhëniet politike ndërmjet tij dhe Ramush Haradinajt.

Në anën tjetër, emërimi i Skënder Hysenit si koordinator i bisedimeve me Serbinë nga ana e kryeministrit Hoti ka irrituar Ramush Haradinajn dhe ai e tha hapur mbrëmë se po që se vazhdon kështu kryeministri Hoti, ai do të lëshojë koalicionin qeverisës. Kjo qeveri dhe partnerë koalicioni ashtu siç u bashkuan me turp në kohë pandemie, ashtu edhe do të ndahen me turp, sepse aty nuk pati asgjë më shumë se apetite egoiste politike, sesa për njerëz dhe popull ajo tashmë u pa dhe po shihet çdo ditë e më shumë, me mirëqenie të popullit nuk kishte të bënte asgjë dhe tashmë është një gjë e dëshmuar.

Gjumin tim të rehatshëm këtë javë ma siguruan dy lajmet e kabllogrameve diplomatike të ditëve të fundit. Emërimi i Skënder Hysenit për koordinator për bisedimet me Serbinë, edhe një protagonist më shumë që ta marrë fatin e Kosovës në duart e tij, ndërsa në proces zgjedhor nuk e ka votuar as mëhalla e vet dhe lajmi i dytë me titullin bombastik kishte të bënte me rikthimin e Dardan Molliqajt… në debatet e njërës nga studiot televizive.

© KOHA Ditore