OpEd

Të mendosh është çlirim

“Asnjë shenjë tjetër nuk e përfaqëson më mirë komunizmin sesa tuneli”: Me rastin e vdekjes së arkitektit, piktorit dhe publicistit Maks Velo.

“I ke parë ti fshatrat në Zvicër apo në Francë nga avioni? Eh, pra. Një fshat, kisha, shtëpi, nuk ka ndërtime kaotike, nuk ka ndërtesa të larta që prishin arkitekturën e trevës. A i ke parë ti këto fshatrat tona kur nisesh me avion nga Rinasi? Nga aty e deri në Shkodër nuk ndalet vargu i shtëpive. Ndërtim pas ndërtimi. Tmerr pas tmerri arkitektonik. Eh, kështu ne sillemi ndaj vendit tonë – pa respekt”. Pasi i tha këto fjalë në shtëpinë e tij në Tiranë, Maks Velo pyeti: “Të kthehemi tani te gjërat e rëndësishme të jetës: çka do pish?”

Në të vërtetë me këtë pyetje ai donte t’i ikte për pak çaste një teme për të cilën kishte menduar gjatë gjithë jetës ai arkitekt e piktor dhe ishte dëshpëruar shpesh: raportin e shqiptarëve me hapësirën publike. Një raport pothuaj armiqësor, një raport që të shtyn të mallkosh ditën kur shqiptari e zbuloi betonin. Maks Velo ishte i dënuar të mendojë. Këtu s’bënte kompromis. Ai u dënua për shkak të artit dhe mendimeve të tij, për shkak se përfaqësonte diçka që ishte vetvetiu në kundërshtim me versionin shqiptar të komunizmit: i lindur më 1935 në Paris, me prindër shqiptarë. Kjo e bënte apriori të dyshimtë. Sepse regjimi paranoik i Tiranës e shihte me përçmim çdokënd që në biografinë e tij mund të kishte diçka borgjeze. Parisi ishte borgjez. (Ndonëse Enver Hoxha kishte një dobësi për kulturën franceze, por kjo nuk kishte asnjë rëndësi kur ai dëshironte të shkatërronte “armikun e brendshëm”).

Maks Velo ishte “armiku i brendshëm”, ai që e donte Pablo Picasson, të cilin nuk e donin komunistët e Tiranës, madje e konsideronin kriminel të artit. Velo trajtohej si armik, sepse ishte kreativ, ishte ndryshe, nuk ishte servil, nuk ishte denoncues e shpifës që tinëzisht njolloste kolegët në stacione policore dhe te agjentët e Sigurimit. Këtë e bënë kundër Maks Velos kolegët e tij, xhelozë, të poshtër, të pakarakter. Shumica anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Bashkë me partinë kjo lidhje e ligësisë i ekskomunikoi më të talentuarit e letërsisë dhe artit: shkrimtarë si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari (këta dy të fundit e pësuan edhe me burg), artistë si Maks Velo, pikturat e të cilit u quajtën dekadente dhe moderniste. “Qëndrimi i tij i pikëlluar në kafene” u pa po ashtu si shenjë se nuk e pëlqente regjimin komunist. Shkoi në burg, pardon: e dërguan në burg, mbi 7 vjet. “Një ferr i vërtetë”, thoshte Velo.

Ishte gruaja e tij, prej së cilës u nda, që e denoncoi te Sigurimi. Kishte gjetur ca fotografi të Maksit të vogël, në fund të viteve 1930-të. Maksi, si shumë fëmijë të tjerë të Korçës, i veshur solemnisht për të pritur hyrjen e ushtarëve italianë. Ja, pra, armiku i popullit shihet menjëherë pas lindjes.

Pas lajmit se Maks Velo iku nga kjo botë në moshën 84-vjeçare, nuk pushuan gjatë gjithë ditës reagimet e politikanëve, mes tyre edhe politikanë që qajnë me lot krokodili. Shqipëria postkomuniste nuk u kujdes që viktimat e komunizmit, viktimat si Maks Velo, të fitojnë satisfaksionin e merituar. Ata që e dënuan Velon, prokurorët dhe gjykatësit, ata që e morën në pyetje dhe torturuan, hetuesit, agjentët dhe policët, nuk u dënuan kurrë. Ata që e denoncuan, kolegët e tij, nuk i kërkuan kurrë falje. Në një intervistë Maks Velo ka treguar: “Mua më kanë marrë të gjitha pronat në Dardhë (fshat afër Korçës). Ishte shtëpia e gjyshit, e babait, babai e ngriti, bëri dasmën, aty ka lindur babai. Ka bërë njëri aty një stallë... Kam frikë të shkoj. I bëra Prokurorisë së Korçës një promemorie. Asnjeri s’çan kokën”.

“Cili ka qenë momenti më i paharruar në jetën tuaj?”, e pyeta njëherë. “Ka shumë. Kur m’i vodhën pantallonat në burg. Sapo më futën aty, mes hajdutësh e kriminelësh, më zuri gjumi. Kur u zgjova të nesërmen nuk i gjeta dot pantallonat, m’i kishin vjedhur. Kam bërë një listë me gjërat që më kanë vjedhur në burg. Por ndoshta momenti më i paharruar është momenti i pafuqisë sime në Sarandë. Pata njoftuar një franceze, Odilë Daniel, aty nga mesi i viteve 1960-të. Kur ajo erdhi sërish në Shqipëri më 1968 ma hodhi fjalën larg e larg nëse mund të arratisem nga vendi. I thashë: jo. Ndonëse shumë njerëz përpiqeshin të iknin, shumë ia arrinin të iknin nga Shqipëria, e mua më joshte mundësia për të jetuar aty ku u linda, në Paris. Bëra planin, do të ikja përmes ngushticës së Korfuzit. Para se Odilë të vinte në Shqipëri më pyeti se çfarë dëshiroja të më sillte. Një dyshek plazhi, i thashë. Ma dërgoi dyshekun me pako. Nisa të ushtroj në plazhin e Durrësit. Dhe në verën e vitit 1969 shkova në Sarandë, shkova në drejtim të Ksamilit, shikova bregun e detit, shikova detin, nata ishte pa hënë, deti i qetë, por nuk pata fuqi ta bëja, e dija se do e merrja në qafë gjithë familjen. Nuk do të ma falte babai”. Në një version më të zgjeruar këtë ngjarje Maks Velo e tregon edhe në librin e tij “Kohë antishenjë”, ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë dokumentare shqiptare të postkomunizmit.

Emil Ciorani, filozofi rumun që jetoi në Francë nga viti 1937, në një intervistë thotë se të publikosh është diçka tepër shëruese: “Të publikosh është çlirim, është si t’ia japësh dikujt një shuplakë. Nëse publikoni diçka që keni shkruar, atëherë ajo është jashtë jush, nuk ju takon më juve”. Maks Velo me krejt veprën e tij i dha një shuplakë shoqërisë shqiptare, e cila vuan nga amnezia.

Maks Velo dhe Kosova – kjo ishte një histori keqkuptimesh dhe refuzimesh të ndërsjella. Nuk e njihte Kosovën. Kështu tregonte për një vizitë në Prishtinë: “Vajtëm në shtëpinë e një intelektuali dhe te dera hoqëm këpucët sipas traditës orientale”. Një nga ato fjalitë që Maks Velo i thoshte me zell polemik dhe pa menduar fare, sepse të heqësh këpucët para se të hysh në një banesë e shtëpi në Ballkan është veprimi më i mençur që mund të bëni kur ke parasysh gjithë atë papastërti nëpër rrugë. Pastaj Velo shpejt e kuptonte se çfarë tha për vizitën në Prishtinë ishte një përgjithësim absurd, andaj i kthehej tonit pajtimtar: “Duhet të përvetësojmë vlerat dhe rendin perëndimor. Duhet të njihemi më mirë”. Këtu kishte të drejtë.

Ku nuk kishte të drejtë? Kur me gjuhë të zjarrtë ankohej se gjuha shqipe lëngon nga turqizmat. E pse nuk lëngojnë gjuhët e tjera si bullgarishtja, serbishtja etj., të cilat kanë me mijëra fjalë osmane në thesarin e tyre? Këtu Maks Velo nuk dallonte nga historianët shqiptarë të shkollës së komunizmit, që edhe për aferat e sotme korruptive fajtor i shohin sulltanët e Stambollit. Por këto janë vetëm detaje jo aq të rëndësishme nga karriera e tij e bujshme.

Çfarë mbetet? Krahas veprave si piktor e arkitekt, si publicist e shkrimtar, si intelektual dhe luftëtar për planifikim urban, mbesin gjithsesi fjalët e tij: “Për të jetuar në socializëm duhet ngrënë tmerr në vend të bukës” ose: “Në këtë vend e vetmja aventurë është vuajtja”. Me socializëm Maks Velo mendonte komunizmin hoxhist shqiptar. Por gjatë jetës së tij, edhe në burg, ai gjeti njerëz, që nuk e dëshpëruan. “Nuk ka lumturi më të madhe se sa kur në një shoqëri të helmuar si shoqëria shqiptare, në këtë periudhë që unë jetova dhe po jetoj, gjen njerëz të veçantë, që bënë shoqërinë e vogël shqiptare të pastër, si uji i bekuar”.