Kosova, e cila e ka themeluar Gjykatën Speciale me emrin e çuditshëm “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, duhet të caktojë një afat deri kur kjo gjykatë duhet t’i ngrejë aktakuzat dhe të mbyllet. Kanë kaluar aq shumë vite prej kur kanë nisur hetimet e ende nuk ka të akuzuar. Ndërsa me listën aq të gjerë të atyre që ftohen si “të dyshuar” fitohet përshtypja se kjo gjykatë do të punojë së paku edhe dhjetë vjet. Para pesë vjetësh, kryeprokurori i parë i “Task forcës speciale”, Williamson, i kishte thënë “Kohës Ditore” se i ka të gatshme dëshmitë dhe aktakuzat që do të mundë t’i ngrinte sapo të krijohet kjo gjykatë. Pas tij janë ndërruar edhe dy prokurorë dhe nuk ka ende ndonjë aktakuzë. Me këtë zhagitje, kjo gjykatë vetë ka krijuar hapësirë për dyshime se punon me motive politike dhe se, deshi apo jo, është duke ndikuar në proceset politike në Kosovë dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje dhe për këtë e ka përdorur ftesën për t’u intervistuar në cilësinë e “të dyshuarit” nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai është deri më tash personi në postin më të lartë politik që ftohet nga kjo gjykatë për intervistim. Kjo edhe një herë dëshmon se sa puna e kësaj gjykate, e krijuar nga vetë kosovarët, ndikon në proceset politike dhe jo vetëm politike në Kosovë.
Krijimi i kësaj gjykate ka qenë dhe do të mbetet një njollë e rëndë mbi Kosovën dhe do të ndihmojë në krijimin e një ironie historike, sipas së cilës Kosova do të mbetet i vetmi shtet në ish-Jugosllavi për të cilin nuk ka mjaftuar as Gjykata e Hagës, as gjykatat e EULEX-it me mandate ekzekutive, e as gjykatat vendore, por është dashur të krijohen “Dhoma të Specializuara” jashtë territorit të Kosovës.
Për këtë fajin e ka e tërë elita politike dhe gjyqësore në Kosovën e pasluftës, por edhe struktura ndërkombëtare. Themelimi i kësaj gjykate nuk ka qenë kurrfarë suksesi i Kosovës në respektimin e obligimeve ndërkombëtare, por pranim i dështimit të Kosovës dhe BE-së së bashku në krijimin e një gjyqësori të pavarur.
Me dhjetëra apo edhe qindra miliona euro janë shpenzuar tashmë për këtë gjykatë. Janë intervistuar disa dhjetëra të dyshuar dhe shumë e shumë dëshmitarë. Së fundmi kanë ftuar për “intervista” në cilësinë e të dyshuarve edhe politikanë të rangut të lartë, si kryeministri Haradinaj, ish-presidenti i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe shumë të tjerë. Pritet të ketë edhe të tjerë, sidomos ata të cilëve u është përmendur emri në raportin e Dick Martit. Por ende nuk ka aktakuza.
Por ajo që në këtë shumë vite prej kur flitet për këtë gjykatë ka mbetur në mjegull, dhe kjo duket se është bërë qëllimisht, është se nuk ka një mendim të prerë nëse ka pasur apo jo vërtet nxjerrje të dhunshme të organeve nga të kidnapuarit serbë në të ashtuquajturën “Shtëpi të verdhë” në veri të Shqipërisë për t’i shitur ato. Kjo është akuza monstruoze që e ka bërë raportin e Dick Martit të ketë aq shumë jehonë në opinionin evropian, dhe të ngritë dyshime ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krimet e tmerrshme. Ani pse sot vazhdojnë të pohojnë se, “Kjo nuk është gjykata kundër UÇK-së, por kundër individëve” përshtypja që do të mbetet nga puna e kësaj gjykate tashmë po përdoret nga propaganda e Beogradit për ta njollosur luftën çlirimtare të kosovarëve.
Kjo duket edhe më ironike në kohën kur në Serbi në pushtet janë pikërisht personat që në periudhën e luftës ishin aktivë në regjimin e Milosheviqit, si presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ministri Vullin e shumë të tjerë. Por ata në Evropë nuk kanë probleme me imazhin e tyre, sepse Evropa po u beson se janë “faktorë stabiliteti” dhe se “shikojnë nga e ardhmja”.
Edhe pse vetë BE-ja në raportet e saj pohon se në Serbi relativizohen krimet e luftës, të dënuarit glorifikohen, promovohen nga vetë pushteti, bëhen ligjërues në akademi dhe promovojnë libra, asnjë veprim nuk ka nga bashkësia ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Serbisë për këtë. Krerët shtetërorë të Serbisë madje vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, edhe pse këtë gjenocid e kanë konfirmuar dy gjykata ndërkombëtare. Ndërsa kur Kosova ka dalë me idenë që të themelohet edhe një gjykatë e posaçme, që do të mërej me krimet serbe, nga BE-ja është thënë se në Kosovë “ekziston një kornizë e duhur juridike që mundëson procesimin e krimeve të tilla”.
Është pikëpyetje se a do ta qartësojë në punën e saj kjo Gjykatë Speciale akuzën për nxjerrje organesh. Ajo ndoshta mund të dëshmojë se ka pasur krime, se janë zhdukur njerëz të pafajshëm, mund të identifikojë edhe individët përgjegjës. Por edhe nëse nuk dëshmohet, hija mbi UÇK-në do të mbetet, sepse ndaj disa prej figurave kryesore të tyre janë ngritur aktakuza të tmerrshme për nxjerrje dhe trafikim organesh. Qoftë edhe nëse dëshmohet se krime të tilla nuk ka pasur, Beogradi do të vazhdojë me të vjetrën, duke pohuar se ka pasur dhe duke mohuar apo relativizuar krimet e Serbisë.
Kur kishte mbaruar punën e tij, ish-prokurori Clint Williamson para shumë vitesh pati një paraqitje në Bruksel për të sqaruar se në çfarë përfundimesh ka ardhur ai pas hetimeve trevjeçare. Por edhe pas asaj paraqitjeje të tij pati mbetur e pasqaruar, e kjo qe edhe detyra e tij kryesore, dyshimi për trafikim organesh. Williamson në një intervistë për “Kohën Ditore” atëherë sqaroj se nuk ka thënë se “nuk ka evidenca për trafikim organesh”, por se “ka indikacione bindëse që kjo ka ndodhur”. Ai pati pranuar se konkluzat e tij janë kryesisht të njëjta me ato të cilat më parë i kishte shprehur Dick Marti me raportin e tij, e para tij dhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, në një libër të saj, të shkruar në fakt nga gazetari Chuck Sudetich, ku kishte shfaqur dyshime se ish-liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë kidnapuar serbë dhe në territorin e Shqipërisë „ua kishin nxjerrë me dhunë organet për t’i trafikuar“. Mbi këtë çështje edhe pas paraqitjes së Williamsonit kishte mbetur mjegull, edhe pse ai thoshte se „beson se kjo ka ndodhur megjithëse në një shkallë më të vogël“.
Gjithmonë mbetet pyetja pse ka pasur nevojë për një gjykatë të tillë, e kujt është ajo dhe për kë është krijuar. Në qarqet diplomatike mund të dëgjohen arsyetimet prej atyre se “Në Kosovë gjykatat janë nën kontroll të politikës dhe nuk mund të këtë gjykime të pavarura”, e deri tek ato se “me këtë gjykatë strehohen disa ish të punësuar të Tribunalit të Hagës, kur ai po mbyllet dhe po mbeten të papunë!”. Numri i madh i nëpunësve dhe rrogat e mëdha të tyre, pa ndonjë kontroll nga Kosova, shtojnë arsyet për dyshime të tilla.
Por më së shpeshti si arsyetim se pse vetëm për Kosovën duhet të ketë Gjykatë Speciale jashtë territorit të saj, edhe pas punës së Gjykatës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë në Hagë, janë ato se vetëm një gjykatë e tillë mund të zhvillojë një proces serioz kundër figurave më të larta të UÇK-së dhe se një proces i tillë nuk është i mundur në Kosovë. „Kemi një situatë rreth së cilës duhet të jemi realë. Përgjatë 15 vjetëve të fundit sa herë që ka pasur tentime që të gjykohen eprorë të lartë të UÇK-së në Kosovë, përpjekjet e tilla kanë hasur në presione, frikësime, kanë hasur në kritika zyrtare nga niveli më i lartë zyrtar i Qeverisë, njerëzit kanë sulmuar dëshmitarët, ka pasur protesta në rrugë. Sa herë që ka pasur tentime të ndiqen këto raste, këta njerëz kanë bërë gjithçka që kanë mundur për t’i penguar ato“ thoshte ish-prokurori special, amerikani Williamson, i cili pasardhësit të tij ia la dosjen mbi të cilën pritej të ngritën aktakuzat e para. Por edhe kosovarët me të drejtë mund ta pyesin BE-në se si ndodhi që EULEX-i për nëntë vjet nuk ndihmoi që të krijohet një situatë në të cilën edhe në Kosovë dëshmitarët do të jenë të mbrojtur, se gjykatat do të jenë të pavarura, prokurorët e gjykatësit nuk do të jenë të lidhur me strukturat politike, siç janë, se ata do të emërohen sipas aftësive e jo sipas lidhjeve politike, se politikanët do të kenë frikën nga gjykatësit e prokurorët e jo anasjelltas. Pikërisht për mandatin që ka pasur EULEX-i, për mjetet financiare që kanë investuar, për resurset njerëzore që janë investuar dhe për pritjet e kosovarëve që një mision i BE-së do të ndihmojë që edhe kosovarët të kenë një sistem gjyqësor të “evropianizuar”, dështimi i drejtësisë në Kosovë pa dyshim mund t’i faturohet edhe EULEX-it, e me këtë edhe Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi.
Kosova, e cila e ka themeluar Gjykatën Speciale me emrin e çuditshëm “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, duhet të caktojë tash një afat deri kur kjo gjykatë duhet t’i ngrejë aktakuzat dhe të mbyllet. Kanë kaluar aq shumë vite prej kur kanë nisur hetimet e ende nuk ka të akuzuar. Ndërsa me listën aq të gjerë të atyre që ftohen si “të dyshuar” fitohet përshtypja se kjo gjykatë do të punojë së paku edhe dhjetë vjet. Para gjashtë vjetësh, kryeprokurori i parë i “Task forcës speciale”, Williamson, i kishte thënë “Kohës Ditore” se i ka të gatshme dëshmitë dhe aktakuzat, që do të mundë t’i ngrinte sapo të krijohet kjo gjykatë. Pas tij janë ndërruar edhe dy prokurorë dhe nuk ka ende ndonjë aktakuzë. Me këtë zhagitje, kjo gjykatë vetë ka krijuar hapësirë për dyshime se punon me motive politike dhe se, deshi apo jo, është duke ndikuar në proceset politike në Kosovë dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Nëse “Gjykata Speciale” nuk mund ta përmbyllë punën, duhet të pohojë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme dhe të mbyllet, ndërsa ato dëshmi që do t’i mbledhë t’ua dorëzojë gjykatave të Kosovës apo edhe atyre të Shqipërisë, ku supozohet se kanë ndodhur disa nga krimet për të cilat dyshon Dick Marty. Kjo gjykatë nuk mund të arsyetohet më me thënien e njohur se “drejtësia do kohë”, sepse puna e tyre nuk mund të shkojë deri në pakufi, sidomos duke i pasur parasysh dëmet që po i pëson Kosova për shkak të dyshimeve me të cilat merret kjo gjykatë.