OpEd

Si ka mundur Gjermania të dështojë aq rëndë

Një shtet aq i zhvilluar, me aq shumë institute, fondacione, me aq shumë universitete, me shërbime profesionale të zbulimit, me një skenë jashtëzakonisht profesionale mediale, me përvojë të hidhur historike si Gjermania, nuk ka guxuar të dështojë në mënyrë kaq të rëndë. Gjermania sot është bërë pika më e dobët e Perëndimit, në vend që të jetë më e forta. Si kanë mundur të besojnë aq gjatë liderët politikë të Gjermanisë se raportet ekonomike me Rusinë, sidomos projektet në sektorin e energjisë, “nuk kanë lidhje me politikë”

Gjermania sot nuk duhet të ofendohet me kritikat që po ia bëjnë jo vetëm disa politikanë dhe diplomatë nga Ukraina, por edhe analistët e gazetarët në vend. Është e rëndë të lexosh analiza siç ishte një në portalin “Politico”, që është në bashkëpronësi gjermane, ku përdoren edhe fjali si “për Gjermaninë nuk është e pazakontë të jetë në anën e gabuar të historisë”, dhe se “politikanët gjermanë janë idiotët e dobishëm të Putinit”.

Me gjithë ndryshimet dramatike që ka bërë në qasje Gjermania, vazhdon të mbetet në fund të radhës mes shteteve perëndimore që kërkojnë sa më shumë sanksione ndaj Rusisë. Ky hezitim i Gjermanisë ka qenë një prej arsyeve pse Moska ka menduar se mund të llogarisë në përçarjet e Perëndimit. Gjermania në fund i pranoi të gjitha. Pranoi që të shuhet projekti “North Stream 2”, tubat e të cilit duket se do të mbesin të ndryshkur nën Detin Baltik. Pranoi që disa bankave ruse t’u ndalohet qasja në sistemin ndërkombëtar të pagesave “swift”. Pranoi në fund jo vetëm që përmes territorit të Gjermanisë të dërgohen armë për Ukrainën, për t’i ndihmuar që të realizojë të drejtën për vetëmbrojtje, por edhe vetë të dërgojë ndihmë ushtarake. Por të gjitha këto i bëri pas shumë hezitimeve.

Opsesioni i Gjermanisë me rritjen ekonomike, zhvillimin industrial, stabilitetin fiskal dhe naiviteti i besimit në një botë ideale ku gjithçka zgjidhet vetëm me mjete paqësore, e ka bërë këtë shtet tepër të varur nga Rusia. Dhe tash jo vetëm Qeveria gjermane, por edhe BE-ja duhet të ketë kujdes që, kur miraton sanksione për të dëmtuar makinerinë luftarake të Putinit, të mos e dëmtojë ekonominë gjermane. Ndërkohë, qytetarët e vendeve shumë më të varfra, si Polonia, dhe të vendeve baltike janë më të gatshëm të vuajnë, sepse kanë përvojë nga “sinqeriteti rus” dhe kanë më shumë vetëdije se nganjëherë jeta është më e rëndësishme sesa zhvillimi ekonomik.

Në anën tjetër, kjo Gjermani nuk është në paqe falë urtësisë së politikanëve të saj. Është, për shkak se i ndihmuan të tjerët të rindërtohej pas luftës. Si anëtare e NATO-s gëzon mbrojtjen kolektive të Aleancës, më mirë të thuhet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe nuk kufizohet me Rusinë, por është e rrethuar vetëm me aleatë.

Tash nga shumë politikanë dhe zyrtarë gjermanë dëgjohet të thuhet se “kanë gabuar”. Por kush mund të besojë se kanë mund të jenë aq naivë. Ose kanë qenë naivë, ose edhe më keq. Në fakt, për gjeneratat e fundit të politikanëve gjermanë, nga Schroder e Merkel e deri te Scholz, është më mirë të mendohet se kanë qenë naivë. Sepse arsyeja tjetër pse e kanë ndihmuar aq shumë forcimin e regjimit të Putinit, do të ishte për ta moralisht edhe më e papranueshme.

Një shtet aq i zhvilluar, me aq shumë institute, fondacione, me aq shumë universitete, me shërbime profesionale të zbulimit, me një skenë jashtëzakonisht profesionale mediale, me përvojë të hidhur historike si Gjermania, nuk ka guxuar të dështojë në mënyrë kaq të rëndë. Gjermania sot është bërë pika më e dobët e Perëndimit, në vend që të jetë më e forta. Si kanë mundur të besojnë aq gjatë liderët politikë të Gjermanisë se raportet ekonomike me Rusinë, sidomos projektet në sektorin e energjisë, “nuk kanë lidhje me politikë”.

Vështirë e besueshme. Si ka mundur Gjermania pas vitit 2014, pasi Rusia aneksoi Krimenë, të nisë edhe një projekt të ri të madh për gazsjellës nga Rusia, duke anashkaluar Ukrainën. Ku ka qenë ajo “njohja e mirë e Rusisë” që thuhej se e kishte ish-kancelarja Angela Merkel, e rritur në komunizëm në anën tjetër të perdes së hekurt, apo në anën tjetër të Murit të Berlinit.

Fakti se Rusia ka blerë apo ka mashtruar shumë politikën edhe në vendet e tjera të Evropës nuk e amniston Gjermaninë për gabimet e saj. Sepse Gjermania ka përgjegjësi më të madhe për fatin e Evropës. Evropa është aq e fortë, sa është Gjermania e fortë. E një Gjermani, e cila nuk ka forcë të jetë udhëheqëse në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por hezituese, nuk e bën Evropën fare të fortë.

Për interesa të Rusisë kanë punuar deri sot ish-kancelari gjerman, ish-kancelari austriak, ish-kryeministri i Francës, ish-ministrja e Austrisë, shumë deputetë nacionalë dhe deputetë të Parlamentit Evropian. Të mos flasim për partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë, që ishin haptas argatë të Rusisë në Evropë, nga Franca, Austria e Gjermania, deri te Hungaria, Bullgaria e Greqia. Edhe sot ka në Evropë të tillë që do të donin që Ukraina të kapitullonte sa më shpejt. Ose që Putinit t’i jepej në tavolinë atë që nuk e fitoi në luftë, në terren. Sot disa politikanë evropianë po e komentojnë luftën në Ukrainë sikur të ishte ndonjë ndeshje futbolli. Po befasohen me rezistencën e ushtrisë ukrainase. Sepse kanë menduar se ukrainasit kur të shohin një kolonë tankesh prej dhjetëra kilometrash duke iu afruar kryeqytetit do të dorëzohen. Se kur dikush t’i kërcënojë se “po vinë luftëtarët nga Siria në anën e rusëve” do të ikin. Por ukrainasit nuk duan të mbeten popull pa shtet, pa liri dhe pavarësi. Ata nuk patën luksin të bëjnë kalkulime, por vendosën të luftojnë për mbijetesën e tyre. Nuk u impresionuan nga “forca e Putinit”, për të cilin deri vonë një ushtarak i lartë aktiv gjerman thoshte se “e meriton respektin dhe duhet t’ia japim respektin”. E nuk besuan as në atë që besoi një ministër gjerman se “Ukraina edhe ashtu do të qëndrojë vetëm disa orë!”, nëse është për t’i besuar ambasadorit të Ukrainës në Berlin, e pse të mos i besohet.

Shpresojmë që lufta të përfundojë sa më shpejt. Që Rusia, e cila dëshmoi se nuk është aspak e fortë, por është shumë e rrezikshme, të mos e rrisë edhe më shumë brutalitetin. Por që tash Gjermania duhet të bëhet udhëheqëse në parandalimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë, e parandalimit të kthimit të Rusisë në skenën ndërkombëtare sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Gjermania, edhe për shkak të mëkateve të veta, duhet të insistojë më shumë se të tjerët që Rusia të mbetet e izoluar edhe pas luftës, përderisa të mos dënohen përgjegjësit për krimet e luftës që po ndodhin në Ukrainë. Dhe nuk ka dyshim se Gjermania do të bartë barrën kryesore të rindërtimit të Ukrainës. Sepse për këtë rindërtim do të duhen qindra miliarda euro. E kemi parë në rastin e Kosovës, e më parë edhe të Bosnjë-Hercegovinës e Kroacisë, se sa e vështirë është të rindërtohet një vend i shkatërruar nga lufta. Ukraina do të dalë fituese nga lufta, por do të dalë e shkatërruar. E nëse nuk i ndihmuan në luftë sa duhet, së paku do të duhet Evropa t’i ndihmojë në rimëkëmbjen pas luftës. Këtu rolin kryesor duhet ta marrë Gjermania.