Rasti i vdekjes së Astrit Deharit është test për Republikën e Kosovës.
Pas publikimit të ekspertizës mbi vdekjen e Astrit Deharit, shtrohen vetvetiu shumë pyetje, çështje e dilema. Kryepyetja është: si më tutje? Në vijim disa propozime dhe kritika
1.
Lënda e Astrit Deharit duhet t’i merret MENJËHERË Prokurorisë së Prizrenit. Kjo prokurori nuk është në gjendje të hetojë këtë rast në mënyrë të pavarur. Është pak e besueshme që kjo prokurori ka kapacitet me personel dhe me dije për të trajtuar këtë rast të rëndë vdekjeje. Po ashtu, kjo prokurori e ka diskualifikuar veten për t’u marrë me këtë rast për shkak të rolit të saj tejet të dyshimtë deri më tani.
2.
Duke marrë shembull shtetet perëndimore, si Gjermania, duhet të krijohet një komision i veçantë hetimor, ta quajmë «Komisioni për rastin Dehari». Ky komision duhet të drejtohet nga një prokuror ndërkombëtar, pse jo një prokuror nga Zvicra, Gjermania apo Britania e Madhe? Bashkëdrejtues i komisionit mund të emërohet ndonjë prokuror nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Këta dy ekspertë (juristë) duhet të krijojnë ekipin me të cilin do të hetonin rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Pjesë e ekipit mund të jenë edhe ekspertë të tjerë të jashtëm. Njëkohësisht autoritetet e Kosovës duhet të zotohen se do të jenë maksimalisht bashkëpunuese dhe transparente ndaj këtij komisioni të veçantë hetimor.
3.
Marrja e lëndës nga një instancë më e lartë është praktikë e zakonshme në shtetet me sistem të avancuar të sundimit të ligjit. Ndodh shpesh, ta zëmë në Gjermani, kur pas një sulmi rastin e merr menjëherë Prokuroria Federale me seli në Karlsruhe. Këtë muaj në qytetin Halle në Gjermani u dëgjuan të shtëna para një sinagoge. Rastin e mori menjëherë Prokuroria Federale. Po ashtu, sivjet Prokuroria Federale e mori rastin e vrasjes së politikanit gjerman nga landi i Hessenit, Walter Lübcke. Në rastin e Astrit Deharit duhet të veprojë menjëherë prokurori i Shtetit. Duket absurde që hetuesit në Prizren të hetojnë kolegët e tyre me të cilët hanë qofte në atë qytet. Duket absurde që Prokuroria e Prizrenit të prononcohet për këtë rast – ajo duhet të hetohet, përfshirë edhe Policinë dhe Shërbimin Korrektues, Drejtorinë e burgut etj.
4.
Duhet të ketë një përkthim të ri të ekspertizës, një lexim të pastajmë nga një përkthyes tjetër, një korrigjim dhe lekturë rigoroze. Për të kryer këtë punë mund të angazhohet ndonjë përkthyes shqiptar që punon në gjykatat e Gjenevës apo Lausannes (Lozanës).
5.
Duhet të thirren ekspertët zviceranë që e kanë shkruar ekspertizën për të dhënë informata shtesë. Formulimi i tyre se hipoteza e vetëvrasjes së Astrit Deharit duket pak e besueshme (ose ka pak gjasa të ketë ndodhur) ngrit pyetje e çështje dramatike. Ky rast është test për Republikën e Kosovës. Sepse të vdesësh ndërsa je nën kujdestarinë e shtetit, është sinjal fatal për të gjithë qytetarët. Mund të mos u besohet politikanëve, profesorëve, përkthyesve, po deshët edhe gazetarëve, por janë disa instanca ku besimi i qytetarit duhet të jetë i patundur. Ato institucione quhen: Prokurori, Polici, Shërbim Korrektues etj. Nëse nuk ka besim në këto institucione, atëherë shteti e humb kuptimin e tij burimor dhe shndërrohet në çiflig cubash.
6.
Ekspertiza për vdekjen e Astrit Deharit është ndër dokumentet më të ndjeshme që i është prezantuar opinionit kosovar që nga shpallja e pavarësisë. Një student opozitar ka vdekur, ndërsa ishte nën kujdestarinë e shtetit si i (para)burgosur. Dhe zyrtarët e Prokurorisë së Kosovës komunikojnë me përkthyesin e ekspertizës me anë të Viberit, një aplikacion që nuk është aq i sigurt as kur e thërret një taksie për të shkuar te berberi. Me Viber mund të porositësh te ndonjë ëmbëltore një sytliaç me kanellë, por jo të zhvillosh komunikime zyrtare për një dokument aq të rëndësishëm që ka potencial t’i lëkundë themelet e sistemit. Po shihet hapur, ashiqare, faqe botës se institucionet e drejtësisë në Kosovë si në aspektin e personelit po aq edhe në atë të infrastrukturës komunikuese janë në nivel mesjetar. Por rrogat nuk i kanë mesjetare prokurorët: rrogat e tyre shkojnë deri në 2.000 euro në muaj. Janë ndër prokurorët më të paguar në rajon! Dhe «kryejnë» punë me Viber.
7.
Sigurisht që përkthyesi e ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Arsyetimet se ka qenë nën presionin e kohës, mund të jenë të vërteta, por në raste të tilla çdo profesionist kërkon kohë shtesë ose ndihmë nga përkthyes të tjerë. Megjithëkëtë, në çështjen e përkthimit kanë dështuar më së shumti autoritetet e drejtësisë, të cilat një raport tejet delikat dhe gjuhësisht sfidues për shkak të terminologjisë shkencore e kanë trajtuar si një certifikatë të lindjes që mund të përkthehet shpejt e shpejt duke rrufitur kafe. Pas përkthimit, Prokuroria në Prizren është dashur ta angazhojë një lektor serioz të gjuhës shqipe dhe ekspertë të tjerë, të cilët do ta kishin shikuar me vëmendje tekstin, pastaj do të mund të korrigjoheshin paqartësitë logjike. Por nga një Prokurori skandaloze nuk pritet profesionalizëm, fatkeqësisht vetëm diletantizëm dhe amatorizëm. Këtu kemi të bëjmë me dështim kolosal të shumë hallkave të sistemit të drejtësisë - përkthyesi është një hallkë pak më e largët.
8.
Nëse mund ta quajmë fat, ndonëse fat nuk është: Astrit Deharit i doli në ndihmë shteti ku u lind, ku nisi të shkollohej, ku mësoi të flasë jo vetëm gjermanishten e standardit, por edhe dialektin e ngadalshëm (dhe të bukur!) të Bernës. Astrit Deharit i doli në ndihmë Zvicra e idealeve të mëdha dhe profesionalizmit të pamposhtur. Sa herë që zviceranët kanë shkruar raporte për Kosovën, kriminelët parapolitikë dhe përkrahësit e tyre paramedialë në Kosovë janë shqetësuar. Astrit Dehari pati fat (ndonëse fat nuk është, sepse ai s’është më gjallë) për dallim nga Dino Asanaj, Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Haki Imeri, Ismet Rraci, Elvis Pista e shumë e shumë viktima të tjera të nëntokës politike të Kosovës. Kosova ende nuk është e lirë. Në mesin tonë janë disa vrasës. Vrasës me pushtet. Dhe të përkrahur nga bërlloku social.