OpEd

Sfidat e Alaskës

Këtë javë do të mbahet takimi i parë i presidentit amerikan dhe atij rus që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Natyrisht që çdo njeri dëshiron të shohë përfundimin e vuajtjeve të popullit ukrainas dhe dëshiron të shpresojë se takimi në Alaska të jetë fillimi i paqes për Ukrainën. Por që tani duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet dhe sfidat e jashtëzakonshme me të cilat ballafaqohet Trumpi në Alaska

Janë disa momentet në histori të njerëzimit kur veprimet e një njeriu të vetëm kanë ndryshuar kursin e historisë. Bie fjala për George Washington, Abraham Lincoln, Hitler, Churchil, Stalin, etj. Një nga ato momentet ka qenë edhe 24 shkurti 2022 dhe roli i presidentit Biden. Reagimi i Bidenit ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë një nga momentet më të shndritshme në histori moderne amerikane. Nga dekonspirimi i planeve fillestare ruse për pushtim e deri te ngritja e aleancës ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës, presidenca e Bidenit kishte bërë çdo gjë për të siguruar se Putini do të dështojë në agresionin më të madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore. Por duke e njohur gjithë këtë sukses të jashtëzakonshëm të presidencës Biden, koha ravijëzoi një defekt të qasjes së tyre - presidenti Biden nuk arriti të ndalojë luftën. Kjo u bë edhe kreshendo e fushatës presidenciale të Trumpit. Ai premtoi se do të ndalë luftën “brenda 24 orëve”. Ky ishte një premtim tërheqës pasi që pushtimi rus i Ukrainës ka çekuilibruar skenën globale politike dhe sistemet ndërkombëtare ekonomike duke shkaktuar kështu pasoja të ndjeshme për virtualisht çdo qytetar të botës.

Dhe këto ditë Trump siç duket ka vendosur që të realizojë premtimin e tij. Këtë javë do të mbahet takimi i parë i presidentëve amerikan dhe rus që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Natyrisht që çdo njeri dëshiron të shohë përfundimin e vuajtjeve të popullit ukrainas dhe dëshiron të shpresojë se takimi në Alaska të jetë fillimi i paqes për Ukrainën. Por që tani duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet dhe sfidat e jashtëzakonshme me cilat ballafaqohet Trumpi në Alaska.

E para, duhet të menaxhohen pritjet. Pritjet e të gjitha palëve të përfshira, por edhe pritjet e publikut duhet të janë realiste. Ndonëse Trumpi ka folur për përfundimin e luftës “brenda 24 orëve”, realiteti është që negociatat do të zgjasin me javë dhe muaj të tërë. Këta tre vjet luftimesh kanë krijuar një situatë komplekse ushtarake, politike dhe ekonomike ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Pushtimi rus i Ukrainës i ka krijuar shumë dhimbje dhe vuajtje popullit ukrainas dhe rrjedhimisht dakordimi për të gjitha çështjet negociatore do të jetë tejet i vështirë – ato përfshijnë diskutimet për një gamë të gjerë çështjesh; nga çështjet e territorit dhe sovranitetit e deri te çështjet e riparimeve dhe kthimit të fëmijëve ukrainas. Hendeku i madh në pozicionet e palëve negociatore, si dhe emocionet e përfshira, në këto dhe çështje të tjera janë edhe arsyeja përse negociatat e deritanishme kanë dështuar.

E dyta, përtej pozicioneve të palëve (Ukrainës dhe Rusisë), SHBA-ja duhet ta ketë një vizion të saj se si do të duket përfundimi i luftës. Natyrisht ky vizion i saj do të këtë një dozë të fleksibilitetit, por koniunkturat e përgjithshme dhe vijat e kuqe duhet të jenë të dakorduara para takimit të Alaskës. Kjo është edhe arsyeja përse në procese negociatore ndërkombëtare pjesa e madhe e procesit negociator ndodh në fakt shumë para vetë aktit të negociatave. 

E treta, Trumpi nuk duhet të lërë përshtypje se është më shumë i interesuar për shpejtësinë e procesit negociator sesa për cilësinë e tij. Një nga obsesionet e Trumpit është që të projektojë veten si president i paqes i denjë për çmimin “Nobel”. Ai flet për këtë në vazhdimësi. Njëkohësisht ai shpesh ka akuzuar demokratët për nisjen e luftërave të panevojshme dhe ka premtuar pushimin e tyre nën presidencën e tij. Por deri më tani ai është treguar i paaftë të ndalë konfliktet botërore. Rrjedhimisht kjo nevojë personale e Trumpit që të projektojë imazhin e tij si president i paqes rrezikon të shtyjë palën më të dobët në procesin negociator (Ukrainën) të pranojë kompromise të cilat në afatshkurtër mund të ndalojnë luftimet, por të cilat në afatgjatë vetëm do të ushqejnë edhe më shumë apetitin rus për territore të shteteve të tjera.

E katërta, në skenarin më të mirë Alaska do të jetë fillimi, jo fundi i një procesi. Ajo do të hapë rrugë për nisjen e një procesi kompleks negociator me përfshirje të të gjitha palëve kyç, me theks të veçantë të evropianëve. Asnjë proces negociator i dakorduar ndërmjet Trumpit dhe Putinit nuk mund të këtë sukses pa mbështetje evropiane për arsye të thjeshtë se Ukraina është në Evropë dhe se pjesa dërrmuese e çështjeve (nga armët e deri te sanksionet) janë nën përgjegjësinë e shteteve evropiane. Kjo është edhe arsyeja përse menjëherë pas lajmit për takimin Trump-Putin shtetet kyç evropiane reaguan publikisht për të bërë të qartë vijat e tyre të kuqe.

Dhe e fundit, SHBA-ja (apo kushdo tjetër) nuk mund të ndalojë luftën në Ukrainë. Atë mund ta bëjnë vetëm Rusia dhe Ukraina. Rusia e ka filluar këtë luftë me pushtimin e padrejtë të Ukrainës, ndërsa kjo luftë ka vazhduar për shkak të aftësisë së jashtëzakonshme të Ukrainës për të mbrojtur veten. Natyrisht kjo u bë e mundur edhe falë mbështetjes së Perëndimit, por me apo pa mbështetje të Perëndimit, Ukraina ka dëshmuar se rezistenca ukrainase nuk do të pushojë asnjëherë. Rusia mund ta marrë edhe Kievin dikur, por populli ukrainas kurrë nuk do të pranojë okupimin rus. Këta tre vjet na kanë mësuar këtë deri më sot. Rrjedhimisht, SHBA-ja duhet të kuptojë që asnjë ultimatum apo kërcënim ndaj Ukrainës nuk do të shtyjë Ukrainën të pranojë një marrëveshje jolegjitime të paqes. E vetmja gjë që do të bëjë është të dëmtojë edhe më shumë imazhin e SHBA-së në botë dhe të rrezikojë edhe më fort interesat kyç amerikane në Evropë.