Sekreti e ka një vend në qeveri, por jo edhe në financat ndërkombëtare për sektorin publik. Është kjo një praktikë që duhet të marrë fund përpara se të shkaktojë edhe më shumë dëm sesa që ka shkaktuar tanimë.
Sekretet mund të jenë ndër asetet më të çmuara që qeveritë kanë: Kali i Trojës, kodi Enigma, Projekti Manhattan dhe sulmet e befasishme, si Pearl Harbor, Lufta gjashtëditore dhe Lufta e Yom Kippurit janë vetëm disa prej shembujve më të njohur. Por në disa raste dëshirat e qeverive për të mbajtur sekrete zor se mund të përthekohen në interesa kombëtare – dhe mund madje të jenë ndër kërcënimet më të rrezikshme të tyre. Kërcënimi bëhet akoma më i madh kur sekretet janë produkt i interesave kryelarta të një qeverie të huaj që synon ta çojë përpara synimin e vet.
I tillë është rasti me financimet kineze për zhvillimin ndërkombëtar. Kina është shndërruar në një aktor të ri dhe të rëndësishëm në këtë rrafsh. Në parim, kursimet e majme të Kinës, njohuritë infrastrukturore dhe gatishmëria për të dhënë hua mund të jenë të mrekullueshme për shtetet në zhvillim. Mjerisht, Pakistani, Srilanka, Afrika Jugore, Ekuadori dhe Venezuela e mësuan në mënyrën më të hidhur të mundshme se financimet kineze për zhvillim janë shpesh për ekonominë një ëmbëltues i mbushur me korrupsion, i pasuar me një kokëdhembje të tmerrshme financiare (dhe ndonjëherë politike) pas një nate të dehjes.
Teksa vendet përballen me kosto në rritje të projektit dhe mundohen të nxjerrin kuptim nga ajo që ndodhi e se si mund të dalin nga rrëmuja, ato mësojnë se kushtet financiare të obligimeve të tyre në aspektin kontraktual janë mbërthyer nga sekreti. Për më tepër, kontratat zbatojnë kufizime për huamarrësit, siç janë ndërmarrjet shtetërore, në aspektin që këto kushte të mos u bëhen të ditura qeverisë, e lëre më publikut. Gjithë kjo është për keqardhje, le të themi kështu, sepse kontrollimi i akumulimit të borxhit është njëra prej më të rëndësishmeve, gjëra që një qeveri mund të bëjë për t’i shmangur krizat. Është po ashtu njëra prej më sfidueseve. Shumë shtete kanë bërë përparime në shtrirjen e politikave të tyre fiskale, duke miratuar ligje të financimeve publike, si dhe kanë zbatuar praktika buxhetore për t’i mbajtur deficitet nën kontroll. Ju do të mendonit se krejt kjo është e mjaftueshme për ta ruajtur tavanin e akumulimit të borxhit. Megjithatë, llogaritjet bazike tregojnë se borxhi i së nesërmes është thjesht borxhi i sotëm plus deficiti mes të sotmes dhe të nesërmes. Kësisoj, në rast se mund ta kontrolloni deficitin, mund ta kontrolloni edhe rritjen e borxhit. Por sikur krejt kjo të ishte kaq e lehtë. Siç treguan Ugo Panizza i Institutit për Studime Ndërkombëtare dhe Zhvillim në Gjenevë, dhe bashkautorët e tij, shtetet në zhvillim duket se i shkelin parimet e kontabilitetit, për shkak se praktikisht nuk ekziston një korrelacion ndërmjet deficiteve dhe evoluimit të borxhit. Arsyeja është se shumë shpenzime bëhen obligime publike pa kaluar asnjëherë nëpër procese buxhetore.
E si ndodh kjo?
Një mënyrë e mirë për ta bërë dallimin mes borxhit qeveritar dhe joqeveritar është përcaktimi nëse obligimi i borxhit do të paguhet nga rrjedha e taksave të ardhshme apo e pagesave të ardhshme që gjenerohen prej projektit, i cili po financohet me hua. Por ky dallim është shpeshherë goxha i mjegulluar, qoftë në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar, që e shtyn Qeverinë ta shpëtojë projektin ex post facto dhe ta ripaguajë kreditorin plotësisht apo pjesërisht.
Një praktikë e përdorur së fundi si nga Kina ashtu edhe nga Rusia është që të japë hua në këmbim të eksporteve të ardhshme, si në rastin e naftës në Ekuador dhe në Venezuelë. Këto marrëveshje përcillen me dy shije: mizori dhe përtej çdo imagjinate. Versioni mizor bazohet në idenë se ky borxh në të vërtetë nuk është borxh, por thjesht një parablerje për naftën. Ky pretendim është qesharak, për shkak se borxh është çdo obligim që e merrni përsipër sot për t’i paguar të ardhurat tuaja të ardhshme. Për më tepër, nuk është thjesht ndonjë borxh i vjetër; është borxhi i kolateralizuar nga rrjedhja e ardhshme e eksporteve, gjë kjo që e bën borxh super të lartë – më të lartë se borxhi nga subjektet me të ashtuquajturin status më preferencial kreditor, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Të mos e llogaritësh këtë si borxh është thjesht mizore.
Ama di të bëhet edhe më keq. Kinezët i kanë shfrytëzuar eksportet e naftës për ta kolateralizuar borxhin për projektet që nuk kanë fare të bëjnë me naftën, si në rastin e pendës “Coca Codo Sinclair” në Ekuador apo në Venezuelë me “Fondo de Desarrollo Nacional”, të cilat nuk ofruan asnjë shpjegim se çfarë ndodhi me huan kineze prej më se 60 miliardë dollarësh. Në të këtilla raste huaja e projektit nuk kthehet nga të ardhurat e ardhshme të projektit, por prej të ardhurave të ardhshme nga nafta, me të cilat vendi llogariste t’i paguante të gjitha obligimet e veta, financiare apo tjetër fare. Si rezultat i kësaj, të ardhurat e naftës po përdoren për t’i paguar projektet që as nuk e zgjeruan prodhimin e naftës dhe as nuk kapërcyen nëpër proces buxhetor, duke e tendosur kësisoj stabilitetin financiar si të kompanisë së naftës ashtu edhe të Qeverisë. Në këtë kontekst praktika e Kinës për t’i mbajtur të fshehura nga shoqëria, dhe shpesh edhe nga qeveria e shoqëria, kushtet financiare janë përtej çdo imagjinate. Edhe kushtet e rinegocimit janë një sekret më vete, ashtu që huamarrësit e tjerë të mos i përdorin rezultatet si precedent.
Nuk po arrij ta gjej një argument të mirë për ta arsyetuar sekretin në kontekstin e obligimeve publike financiare me interes publik. Kjo është një gjë, të cilën shoqëritë nuk do të duhej ta toleronin. Fakti se kushtet e këtyre obligimeve të majme nuk kanë rrjedhur në publik tregon se sa të dobëta janë shoqëria civile dhe shtypi në këto vende. Mirëpo këtu edhe të tjerët mund të ndihmojnë. Agjencitë e rejtingut kreditor duhet të kërkojnë qasje në kontratat financiare. Nëse refuzohen agjencitë, atëherë praktikat e tilla sekrete duhet të reflektohen në rejtingjet e tyre. FMN-ja dhe kreditorët e tjerë multilateralë duhet t’i kushtëzojnë huat me respektimin e standardeve të transparencës, gjë kjo që do ta parandalonte këtë perde të sekretit.
Klubi i Parisit i kreditorëve të mëdhenj sovranë duhet t’i zbardhë kushtet e huave kineze apo ruse, si një kusht për ristrukturimin e borxhit. Sekreti e ka një vend në qeveri, por jo edhe në financat ndërkombëtare për sektorin publik. Është kjo një praktikë që duhet të marrë fund përpara se të shkaktojë edhe më shumë dëm sesa që ka shkaktuar tanimë.
(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryeekonomisti i Bankës ndëramerikane për Zhvillim, është drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit dhe profesor i ekonomisë në shkollën Kennedy të Harvardit. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilës është edhe “Koha Ditore”)