Nëse mendojmë për kujdesin në këtë mënyrë, si një grup thelbësor marrëdhëniesh që na lejojnë të rritemi dhe të lulëzojmë si pjesë e një ekosistemi më të madh planetar, atëherë kujdesi bëhet një e mirë në kuptimin e mirëfilltë të asaj fjale. Duke e konsideruar kujdesin si përmbushje të një dëshire të thellë njerëzore dhe jo si një detyrim, ne mund ta kthejmë në një burim vlere dhe rrjedhimisht diçka për t'u shijuar, shpërblyer dhe respektuar. Mbi të gjitha, kujdesi mund të sigurojë rrugëdalje nga krizat tona aktuale mjedisore dhe shpirtërore, si një urë drejt një ekonomie të re dhe një kuptimi më të thellë të vetë njerëzimit
Washington, DC - Konferenca e fundit e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) dhe negociatat e vazhdueshme mbi projektligjin e infrastrukturës sociale të presidentit amerikan, Joe Biden, i njohur si “Akti Build Back Better”, kanë një veçori të rëndësishme. Në thelb të përpjekjeve globale për të zbutur dhe përshtatur ndryshimet klimatike është angazhimi për t'u kujdesur për planetin tonë. Në mënyrë të ngjashme, ligji i Bidenit është paradhënie për ndërtimin e një infrastrukture të tërë kujdesi – duke përfshirë lehoninë e paguar, kujdesin për fëmijët, kredinë tatimore për fëmijët dhe kujdesin e përballueshëm në komunitet dhe në shtëpi për këdo tjetër që ka nevojë për mbështetje – në Shtetet e Bashkuara.
Reagimi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve historike na tregon diçka të rëndësishme për mënyrën se si shumë njerëz mendojnë për kujdesin. Në kontekstin e ndryshimeve klimatike, kujdesi për Tokën përkthehet në një sërë ndalimesh, kufizimesh dhe detyrash: ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë siç po bëjmë tani pa menduar për më të keqen. Dhe shumëkush e justifikon mbështetjen për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre do t'i lejonte kujdestarët, ende kryesisht gratë, të mbeten në fuqinë punëtore dhe kështu të jenë anëtarë “produktivë” të shoqërisë.
Prandaj, në të dyja rastet, kujdesi është mjet për të arritur qëllimin, sesa diçka për t'u dëshiruar dhe për t'u çmuar në vetvete. Kujdesi është detyrë: ne duhet të kujdesemi për planetin tonë dhe anëtarët e familjes. Ose përndryshe është një shërbim për të cilin duhet paguar: ne mund të blejmë kredi karboni për të kompensuar konsumin tonë të këndshëm dhe të punësojmë të tjerë për të ushqyer, larë, veshur dhe drejtuar ata që duam.
Por siç kemi shkruar unë dhe Hilary Cottam, kujdesi nuk është shërbim, por “një marrëdhënie që varet nga lidhja njerëzore”. Cilësia dhe thellësia e marrëdhënieve tona me të tjerët janë thelbësore për jetëgjatësinë, mirëqenien dhe zhvillimin e trurit tonë, si dhe për vetë njerëzimin. Në një leksion të fundit në Fondacionin Britanik të Shëndetit, Cottam na kujtoi konceptin e filozofit Martin Buber, të përsëritur nga Papa Françesku në një fjalim TED të vitit 2017, se si “Unë bëhem Unë përmes teje”.
Supozoni, pra, se “Ne”, raca njerëzore, bëhemi plotësisht njerëzorë nëpërmjet marrëdhënieve tona me mjedisin tonë. Ose, thënë ndryshe, çfarë lloj njerëzish jemi ne varet nga mënyra se si kemi marrëdhënie me Tokën. Arkeologu britanik, David Wengrow, argumenton se zbulimet e fundit të mbetjeve të shoqërive të hershme hedhin poshtë teorinë se hierarkitë e pushtetit janë të nevojshme për qytetërimin. Ai përshkruan “qytetet e kopshtit”, shoqëritë që alternonin midis komandës hierarkike dhe bashkëpunimit egalitar, dhe kulturat që menaxhonin tokën përmes administrimit dhe jo pronësisë. Në përgjithësi, përfundon ai, “ne rezultojmë të jemi një specie lozonjare, shpikëse që vetëm kohët e fundit u mbërthyen në një lojë vdekjeprurëse të nxjerrjes dhe zgjerimit – “ose jeni duke u rritur ose jeni duke vdekur” - dhe harruat se si t’i ndryshoni rregullat”.
Si lidhemi me Tokën nga ana tjetër përcakton se si ne krijojmë vlerë ekonomike. Në epokën e bujqësisë, ne kultivonim të mbjella dhe mbanim kafshë për t'u ushqyer dhe për të shkëmbyer me të tjerët. Në epokën industriale, ne nxirrnim materiale nga Toka dhe i shndërruam në produkte që mund t'i përdorim për të veshur, strehuar, transportuar, arsimuar dhe argëtuar veten. Në epokën digjitale, ne nxjerrim të dhëna nga ndërveprimet njerëzore me njëri-tjetrin dhe me Tokën, dhe i shndërrojmë në grup të ri mallrash dhe (kryesisht) shërbimesh.
Por nëse tani duhet të riparojmë Tokën dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë e vazhdueshme të ndërveprimeve tona me të, atëherë kujdesi – aftësitë për të ushqyer dhe kultivuar tokën, bimët, kafshët ose njerëzit – bëhet burim qendror i vlerës. Cottam argumenton se “kujdestarët”, për shkak të mungesës së një termi më të mirë, “duhet të jenë për këtë revolucion teknologjik siç ishin inxhinierët e fundit. Puna e këtij shekulli është punë riparimi: e vetes dhe e mjediseve tona më të gjera”.
Prandaj, ne mund të hyjmë në një epokë të re ekonomike në të cilën vlera lind kryesisht nga marrëdhëniet që kontribuojnë në shëndetin dhe qëndrueshmërinë mjedisore dhe lulëzimin e njeriut. Quajeni epoka e marrëdhënieve. Ne do të vendosim teknologjinë në shërbim të një game të gjerë marrëdhëniesh – mësimdhënieje, stërvitjeje, mentorimi, udhëheqjeje, edukate, trajnimi, zhvillimi, kujdestarie, dhe shumë të tjera për t’u zbuluar ose rizbuluar – që u mundësojnë qenieve njerëzore të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe jetojnë në harmoni me mjedisin e tyre.
Një ekonomi e tillë do të kalonte nga nxjerrja në investim; nga prodhimi dhe ndërtimi deri te mirëmbajtja dhe riparimi; nga detyrimi për të qenë; dhe nga prodhimi dhe konsumi te krijimi dhe kujdesi. Individualizmi statik do t'i hapte vendin ndërvarësisë dinamike.
Ky vizion i qenieve njerëzore, si nyje në një rrjet të gjerë marrëdhëniesh që mund të përmirësojnë ose shkatërrojnë shanset e tyre të jetës, korrespondon me biologjinë tonë. Në fund të fundit, një ekosistem është një grup i ndërthurur i marrëdhënieve të ndërvarura. Fizikani Fritjof Capra ka shkruar për “rrjetin e jetës”, duke iu referuar ndërvarësisë së panumërt të organizmave të gjallë. Aktiviteti në rrjetet biologjike është një proces i vazhdueshëm i riparimit dhe rinovimit molekular dhe qelizor.
Nëse mendojmë për kujdesin në këtë mënyrë, si një grup thelbësor marrëdhëniesh që na lejojnë të rritemi dhe të lulëzojmë si pjesë e një ekosistemi më të madh planetar, atëherë kujdesi bëhet një e mirë në kuptimin e mirëfilltë të asaj fjale. Duke e konsideruar kujdesin si përmbushje të një dëshire të thellë njerëzore dhe jo si një detyrim, ne mund ta kthejmë në një burim vlere dhe rrjedhimisht diçka për t'u shijuar, shpërblyer dhe respektuar. Mbi të gjitha, kujdesi mund të sigurojë rrugëdalje nga krizat tona aktuale mjedisore dhe shpirtërore, si një urë drejt një ekonomie të re dhe një kuptimi më të thellë të vetë njerëzimit.
(Autorja, ish-drejtoreshë për planifikim politik në Departamentin Amerikan të Shtetit, është drejtoreshë ekzekutive e grupit të pavarur të mendimit, “Amerika e Re”, profesoreshë emeritus e Çështjeve politike dhe ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe autore e “Renewal: From Crisis to Transformation in Our Lives, Work, and Politics”, (Princeton University Press, 2021).
Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.