Menaxhimi i konkurrencës afatgjate mes Kinës dhe SHBA-së, kërkon qartë durim, e një samit i vetëm virtual - ani pse shumë i mirëpritur - nuk mjafton për të frymëzuar shpresën për marrëdhënie më të qëndrueshme dypalëshe. Jemi në fazat e hershme të asaj që ka të ngjarë të jetë rivaliteti qendror gjeopolitik i shekullit 21. Ajo që mund të shpresohet në mënyrë të arsyeshme është që të dyja palët ta ndërtojnë infrastrukturën diplomatike për ta menaxhuar rrugën me gunga përpara
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, është thelluar në shkëlqimin e projektligjit të tij për infrastrukturën dypartiake prej 1.2 trilion dollarësh, të cilin ai e nënshkroi më 15 nëntor. Mirëpo, samiti virtual i Biden me presidentin kinez, Xi Jinping, po në të njëjtën ditë, e bëri të qartë nevojën që të dy liderët të investojnë një pjesë të kapitalit të tyre politik në rindërtimin e infrastrukturës që mbështet marrëdhëniet dypalëshe gjithnjë e më të brishta mes këtyre dy vendeve.
Gjatë takimit të tyre, që të dy presidentët shprehën dëshirën për shmangien e një lufte ftohtë të re. Mirëpo, asnjë samit nuk do t’i kthejë marrëdhëniet SHBA-Kinë në rrugën e duhur pa ndonjë marrëveshje themelore midis dy vendeve.
Fatmirësisht, ndryshe nga administrimi i ish-presidentit Dondal Trump, Biden duket se dëshiron ta kthejë normalitetin në këtë marrëdhënie. Ashtu siç tha edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, pas takimit, “konkurrenca e fortë” ndërmjet dy shteteve “kërkon diplomaci intensive”.
Gjithashtu, Kina po eksploron qasje të reja përballë Shteteve të Bashkuara. Vërtetë, diplomatët e lartë kinezë janë shumë më të sigurt në ditët e sotme ndaj homologëve të tyre amerikanë, sesa që ishin në të kaluarën, si dhe tani ngritja ushtarake e Kinës po vazhdon me shpejtësi. Mirëpo, sapo filloi samiti, Xi buzëqeshi teksa po e përshëndeste Bidenin duke e quajtur “mik i vjetër”. Duke pasur parasysh tonin e paqartë të takimeve të mëparshme të SHBA-së me liderë të lartë kinezë gjatë presidencës së Bidenit, ky ishte një sinjal i qartë se Xi dëshiron të ndryshojë tendencën e marrëdhënieve.
Zemërgjerësia mënjanë, Kina dhe SHBA-ja në fakt kanë bërë një përparim kohëve të fundit, veçanërisht me një deklaratë të përbashkët për të punuar së bashku në dekadën e ardhshme vendimtare për të shmangur ndryshimet katastrofike klimatike. Ky hap është me gjasë një shenjë e hershme e një qasjeje të ndarë që do të ishte e favorshme për interesat afatgjate të të dy vendeve.
Mirëpo, shumë analistë kinezë kanë frikë se ndarjet e thella politike të Amerikës mund ta kërcënojnë qëndrueshmërinë e bashkëpunimit SHBA-Kinë për ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera. Një sondazh i “USA Today/Universiteti i Suffolkut” i kryer pak para miratimit të projektligjit për infrastrukturë zbuloi se vlerësimi i miratimit nga Biden ishte në një nivel të ri të ulët prej 38%. Kina është mjaft e kujdesshme ndaj perspektivës së fitoreve republikane në zgjedhjet afatmesme të 2022 dhe në zgjedhjet presidenciale të 2024, ngase kontrolli i vazhdueshëm i Trump në parti, rrezikon një përsëritje të përplasjeve diplomatike që shënuan presidencën e tij.
Në të njëjtën kohë, Kina mendon se tani është momenti i duhur ta sigurojë pozicionin e saj politik dhe ekonomik në botë. Në vjeshtën e vitit 2022, Partia Komuniste e Kinës do të mbajë Kongresin e saj të 20-të të Partisë Kombëtare.
Tash, i pakundërshtueshëm brenda partisë dhe me “Mendimin e Xi Jinping” të gërshetuara fort në jetën publike, synimet afatgjata të Xi - “modernizimi socialist” deri në vitin 2035 dhe “një vend i madh modern socialist, që është i begatë, i fortë, demokratik, i avancuar kulturalisht dhe harmonik” deri në vitin 2049 - janë shkruar në gur. Xi është i vendosur të parandalojë që marrëdhëniet e vështira me SHBA-në të ndërhyjnë në këto objektiva.
Prandaj, ka të ngjarë që marrëdhëniet SHBA-Kinë në vitet e ardhshme mund të jenë peng i politikës së brendshme të të dyja shteteve. Zgjedhjet e afërta afatmesme nënkuptojnë se administrata e Bidenit ka të ngjarë të marrë masa të mëtejshme të ashpra kundrejt Kinës, e cila do t’i përgjigjet në mënyra që nuk parashikojnë dobësi. Mbajtja e dialogut produktiv mes Xi dhe Bideni do të jetë një sfidë e vazhdueshme.
Gjatë samitit të fundit, Bideni ka thënë se SHBA-ja dhe Kina duhet të vendosin “masa mbrojtëse” në mënyrë që ta parandalojnë kalimin e konkurrencës në konflikt. Kina nuk u përgjigj pozitivisht, për shkak se shumë zyrtarë kinezë dyshojnë se koncepti është një kurth që do të inkurajonte SHBA-në të vepronte në mënyrë më provokuese. Mirëpo, mosgatishmëria kineze për t’i pranuar pengesat e tilla për shkaqe sigurie, me shumë gjasë mbjellë mosbesim në marrëdhënien me Uashingtonin.
Në vend se ta refuzojë plotësisht konceptin e masave mbrojtëse, Kina duhet ta shohë këtë si mundësi për të vendosur disa mekanizma apo rregulla për t’i parandaluar përplasjet kino-amerikane. Për më tepër, dritarja e mundësive për një mirëkuptim të tillë mund të jetë duke u mbyllur. Në qoftë se Kina dhe SHBA-ja nuk mund të zhvillojnë negociata serioze për këtë koncept në vitet e ardhshme, mund të jetë e sigurt se një administratë armiqësore republikane mund ta marrë detyrën pas zgjedhjeve 2024.
Këtu, Kina mund t’i nxjerrë disa leksione nga eksperienca e kaluar me administratën e presidentit Barack Obama, kur nuk pranoi të jetë pjesë e idesë e “G2-së” SHBA-Kinë. Me autoritetin e tij më të madh politik, Xi mund të ndërmarrë hapa më të guximshëm drejt ndërtimit të respektit të ndërsjellë midis dy fuqive kryesore të botës. Për shembull, duke pranuar që stabiliteti strategjik është thelbësor, një temë që të dyja palët kanë interes ta trajtojnë e që janë armët bërthamore.
Por, stabiliteti i marrëdhënieve SHBA-Kinë tani varet nga Tajvani. Administrata e Bidenit me sa duket tani beson që politika e Kinës ndaj ishullit ka ndryshuar rrënjësisht. Pak para samitit virtual të Bidenit dhe Xi, sekretari i shtetit Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të jenë të përgatitur “të ndërmarrin veprime” në rast se Kina ushtron forcë kundër Tajvanit. Në Kongres ekziston një gatishmëri dypartiake për ta braktisur politikën e vjetër të “paqartësisë strategjike” në pyetjen nëse SHBA-ja do ta mbronte Tajvanin në favor të një garancie të drejtpërdrejtë të sigurisë.
Përgjatë diskutimit të tij me Bidenin, Xi paralajmëroi që mbështetja e pavarësisë së Tajvanit do të ishte njëlloj si “të luante me zjarrin”, duke shtuar se Kina do të ndërmarrë “masa të vendosura” nëse duket se Tajvani po përgatitet për shpallje të pavarësisë. Por, Xi po ashtu dërgoi një sinjal qetësues duke theksuar se, “Ne kemi durim dhe do të përpiqemi për perspektivën e ribashkimit paqësor me sinqeritet dhe përpjekje maksimale”.
Nga ana e tij, Bideni u zotua se do t’i përmbahet politikës së Kinës që ka mbështetur marrëdhëniet e SHBA-së më Tajvanin për më shumë se 40 vite, dhe nuk do ta mbështesë pavarësinë e Tajvanit. Por, SHBA synon të përforcojë marrëdhëniet e saj me Tajvanin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të ndërkombëtarizojë çështjen e statusit të tij.
Menaxhimi i konkurrencës afatgjate mes Kinës dhe SHBA-së, kërkon qartë durim, e një samit i vetëm virtual - ani pse shumë i mirëpritur - nuk mjafton për të frymëzuar shpresën për marrëdhënie më të qëndrueshme dypalëshe. Jemi në fazat e hershme të asaj që ka të ngjarë të jetë rivaliteti qendror gjeopolitik i shekullit 21. Ajo që mund të shpresohet në mënyrë të arsyeshme është që të dyja palët ta ndërtojnë infrastrukturën diplomatike për ta menaxhuar rrugën me gunga përpara.
(Autori, hulumtues në Qendrën Kineze për Studime Botërore Bashkëkohore, është anëtar i Komitetit Kombëtar për Kinën të Këshillit për Bashkëpunimi Sigurie në Paqësorin Aziatik. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)