Mbi arrestimin për “nacionalizëm dhe irredentizëm” në vitin 2020. Ose: kur gjuha përdoret për të fshehur diçka, ajo vetvetiu zbulon se çka synon të fshehë.
Edhe Sokrati ka thënë: e di që nuk di gjë. Edhe kryetari i partisë së themeluar më 23 dhjetor 1989 po thotë: ndoshta filan fisteku është arrestuar për “nacionalizëm dhe irredentizëm”. Fantastike kjo gjuhë politike. Thua se po lexon revistën “Duga” në vitin 1987. Ose “Intervju”. Njeriu s’di gjë. Dhe nuk ka të bëjë kjo vetëm me kryetarin asgjëditës. Edhe njeriut të rëndomtë i prishet gjumi pas mesnate, por nuk e di pse. Të jetë, vallë, nga halli që u arrestua ai që u arrestua?
Por ka përjetuar ky vend e ky milet momente edhe më të rënda. Njëherë qe arrestuar prokurori që ishte ngarkuar për të luftuar korrupsionin. E dini pse e arrestuan? Për korrupsion! Në dreq të mallkuar. Nëse kryetari nuk e di për çka është arrestuar zëvendësi i tij, duhet pasur mirëkuptim. Nuk e di as bota nëse Aleksej Navalnin e ka helmuar Vladimir Putini apo jo. E dimë që nuk e dimë. Vlen kjo si për halle lokale, ashtu edhe për probleme globale. Nuk e dimë nëse kampin e refugjatëve Moria në një ishull grek e kanë djegur refugjatët, është vetëdjegur apo e ka djegur Sokrati. Nuk e dimë pse Donald Trumpi në Twitter shkruan me shkronja të mëdha. (Nganjëherë). Nuk e dimë a janë djemtë e Donald Trumpit më të pasur apo djemtë e oligarkisë politike të Prishtinës.
Asgjë nuk dihet në këtë botë. A më e mirë rakia e kumbullave apo e mollëve? Një dreq e di. Kur nuk e di kryetari pse iu arrestua nënkryetari, pra zëvendësi, pse të dihen punët e tjera tokësore e hyjnore. Asgjë s’dihet. Repeat at libidum. Përsërite sipas qejfit. (Për ata që nuk e dinë latinishten e përzier me anglishte).
Mosdija dhe hutesa nuk janë diçka e re. Para nja 120 vjetësh dikush doli në pazarin e Prishtinës dhe tha: Sulltani e ka ndërmend të na e fusë edhe një tatim. Thuhej: kush bart mjekër, paguan tatim. E, pra, tatim për lesh. Njerëzit besuan dhe për pak e kallën çarshinë. Kur kanë besuar dikur se do ketë tatim për lesh, atëherë – sot! - duhet të besojmë se nënkryetari u prangos për “nacionalizëm dhe irredentizëm”.
Njeriu i ndershëm është barrë për shoqërinë e Kosovës. Sa e lehtë do të ishte jeta pa njeriun e ndershëm. Do të ishin bashkë mashtrues e kriminelë, dhënës e marrës tenderësh, pronarë gurthyesish dhe pronarë përrallash, pasanikë të pasuruar nga pasuria e popullit dhe të poshtër të tjerë, po ashtu të pasuruar ilegalisht. Palaço oborri me talent për të lozur mbi tavolina oligarkësh.
Njeriu i ndershëm është “mish i huaj”, ai konsiderohet njeri naiv, madje budalla, budalla që s’di(ti) të shfrytëzojë rastin, nuk di(ti) të bëhet i pasur, nuk di(ti) të bëhet pronar vilash në det e në mal, pronar veturash të shtrenjta dhe shëtitës në pjesët më ekzotike të botës – kuptohet me para të vjedhura. Me para të popullit të vjedhur. Në Greqinë antike polisi ka qenë qyteti shtet, pra modeli burimor i shtetit të mirëqeverisur, një shtet që i shërben të gjithë qytetarëve. Polisi kosovar është antimodel që shemb shtetin, çdo ditë. Marrin, grabisin e plaçkitin dhe përherë thonë: “Arrestimi i filan fistekut është bërë për arsye politike”.
Ndërrojmë temë: Peter Bichsel, shkrimtar i madh zviceran, njëherë ka thënë se krejt diktatorët e mëdhenj dhe shkatërruesit e tjerë të botës kanë qenë optimistë që dëshironin ta ndryshonin botën. Dhe çfarë kanë bërë? E kanë ndryshuar botën, por jo për të mirën e njerëzve, por për të mirën e tarafit të tyre politik, klanor, kriminal, familjar, nepotist etj. Kështu kthehemi prapë te ajo fjalia “arrestimi i filan fistekut është bërë për arsye politike”. Kur kjo fjali jehon nga megafoni i partisë-patericë, s’ka se si të mos jetë i vërtetë. Ha, ha! Punë e shijes është edhe korrupsioni, edhe koalicionet me partitë e korrupsionit, edhe arrestimet për “nacionalizëm dhe irredentizëm”. Shqisa e shijes thonë se gjendet te gjuha. Me gjasë kjo është rrenë. Shija krijohet në kokë, aty ku gjendet komanda e fantazisë dhe qendra e mizorisë. Edhe Sokrati ka thënë: e di që nuk di gjë. Por kush është vjedhës – kjo është ditur në Greqinë antike. Duhet edhe në Prishtinën heroike.