Ballkanit Perëndimor tash i janë bashkuar Ukraina e Moldavia për të përcjellë së bashku garën mes gjeopolitikës dhe cinizmit
1.
Deklarata e Selanikut më 2003 (miratuar në Samitin e parë BE-Ballkani Perëndimor) thoshte se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Versioni 2023 i Deklaratës së Athinës, për nder të asaj të Selanikut, miratuar mbrëmë, thotë se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, dhe se një ardhmëri të njëjtë e kanë edhe Ukraina e Moldavia.
Deklarata origjinale, ajo e vitit 2003, qe përpjekje e një BE-je për të vendosur një orientim strategjik për Ballkanin Perëndimor, një dakordim mes shteteve anëtare dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor (përfshirë Kosovën nën administratën e UNMIK-ut).
Deklarata e mbrëmshme e Athinës është përpjekje që të krijohet një orientim strategjik i BE-së për Ballkanin Perëndimor së bashku me Ukrainën e Moldavinë.
Dhe, në këtë pikë, që BE-ja ka apo do të ketë orientim strategjik, përfundojnë lajmet e mira. Në ndeshje me realitetin, Ukraina dhe Moldavia tash i janë bashkëngjitur një gare evropiane mes gjeopolitikës dhe cinizmit. Në atë garë, gjëja e parë që mund të bjerë ndërmend është barsoleta fataliste e radhës se më 2043 në Greqi do të mbahet samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës e Moldavisë, dhe në të mysafir do të jetë edhe kryeministri i Gjeorgjisë (dhe nëse do përdorur pak imagjinatën, Azerbajxhanit) me të cilin do të bëhet rideklarimi i ardhmërisë evropiane të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë, e tash edhe Gjeorgjisë (dhe, me pak imagjinatë, Azerbajxhanit).
2.
Gjeopolitika e ka vendin e vet edhe më 2003, edhe më 2023.
Më 2003 kishin përfunduar luftërat e ish-Jugosllavisë (e fundit ajo e R. Maqedonisë më 2001), SHBA-ja ishte zënë në luftërat e Afganistanit e Irakut dhe BE-ja kishte vizionin e duhur se stabilizimi i Evropës nënkupton anëtarësimin në BE të hapësirës së saj juglindore (dhe se për këtë nuk duhet pritur rikthimin gjeopolitik amerikan).
Më 2023 lufta e Rusisë kundër Ukrainës i jep edhe një dimension shtesë vizionit të BE-së, përcaktimit të kufijve të saj lindorë me nënkuptueshmërinë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor brenda tërësisë së Bashkimit Evropian. Dhe, përderisa BE-ja është vendosur për herë të parë si një fuqi që ndihmon aktivisht luftën në kontinentin evropian, së bashku me SHBA-në, vendimi për anëtarësim të Ukrainës e Moldavisë, si masa të përhershme stabilizuese i përket kryekëput BE-së.
Problemi i qasjes gjeopolitike të BE-së është mospërputhja mes objektivave dhe kapacitetit për t’i arritur. Pas Samitit të vitit 2003 në BE u anëtarësua vetëm Kroacia; të gjithë pjesëmarrësit e tjerë kanë premtimin e anëtarësimit dhe statusin e kandidatit (me përjashtim të Kosovës). Por të qenit kandidat për anëtarësim nuk është se ka ndryshuar relacionin në trekëndëshin e shteteve të papërfunduara Kosovë-Serbi-BH. Për më tepër, një shtet tjetër kandidat, Mali i Zi, ka pësuar goditje të madhe në rrugën e vet evropiane nga fërkime identitare, një pjesë e konsiderueshme e të cilave vijnë nga shteti tjetër kandidat, Serbia.
Më 2023, vendosja e Ukrainës si pikë kthese gjeopolitike, që duhet ta shpejtojë pjekjen e BE-së për këtë sfidë të madhe historike që do të përcaktojë kufirin mes Evropës dhe Euro-Azisë është vizion i duhur, por po të isha në Kiev do të analizoja marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe ndërmjetësimin që ka bërë BE-ja. Gjatë mbi dhjetë vjetëve BE-ja nuk ka arritur marrëveshje për një çështje në oborrin e vet. Nëse nuk mund të arrijë me instrumentet e veta marrëveshje në një çështje dytësore (a të rendit të tretë) krahasuar me krizat lindore, çfarë të pritet prej saj në Ukrainë a Moldavi?
3.
Gjeopolitika, pra, nuk mjaftuaka.
Po, ka qenë një periudhë kur janë marrë vendime gjeostrategjike. Anëtarësimi i Spanjës, Portugalisë dhe i Greqisë, të sapodala nga diktaturat, ishin kthesa për popujt e atyre shteteve dhe për mirëqenien e kontinentit në tërësi. Anëtarësimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë, që të dy vendet, që, siç shihet sot janë në fqinjësinë imediate të luftës së Ukrainës, po ashtu, stabilizoi dukshëm këtë pjesë të kontinentit. Por, pse kjo ka ndodhur atëherë, nuk është se duhet të ndodhë edhe tash.
Në vend të gjeopolitikës në garë ka hyrë cinizmi. Në Deklaratën Athinë 2023 bëhet një kthesë historike e bashkimit të kauzës së madhe (liria e pavarësia e Ukrainës evropiane) me kauzat më të vogla (integrimi i Ballkanit Perëndimor). Dhe, kjo deklaratë bëhet mu kur BE-ja përmbushi njëvjetorin e paaftësisë (së radhës) të ndërmjetësimit: në shtator të vitit të kaluar Kosovës dhe Serbisë iu ofrua në bazë “merre ose leje” projekti më ambicioz deri më tani, i një marrëveshjeje bazike mes dy shtetesh të pavarura që vendosin marrëdhënie pa njohje të ndërsjellë të shtetësisë. Një vit më pas, raund pas raundi të ndërmjetësimit të dobët, Kosova dhe Serbia janë më larg marrëveshjes bazike se ç’ishin në shtator të vitit të kaluar.
Dhe, përderisa BE-ja shpall intencën gjeostrategjike që të ndihmojë shporrjen e Rusisë nga Ukraina, këtë nuk dëshmon se mund ta bëjë në Ballkanin Perëndimor: gjatë një viti e gjysmë Rusia ka mbetur po aq e fortë, në mos më shumë, mu në mes të Ballkanit, në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë.
4.
Ambicia gjeopolitike për krijimin e një Evrope të lirë me Ballkanin Perëndimor në të e të shtrirë deri në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë, e manifestuar mbrëmë në Athinë, është ambicia për projektin më ambicioz euroatlantik të këtij shekulli. Për Ballkanin Perëndimor kjo do të thoshte një Serbi demokratike e në paqe me fqinjët e saj, një Kosovë e pavarur e në paqe me Serbinë, një Bosnjë-Hercegovinë demokratike dhe funksionale e në paqe me pluralizmin e vet identitar, dhe kështu me radhë... Që të gjitha këto shtete me një sistem të përbashkët të sigurisë me themel NATO-n.
Përballë kësaj ambicieje gjeopolitike gjendet cinizmi i realitetit. E vështirë të imagjinohet që BE-ja të krijojë hapësirë demokratike e nën ombrellën e NATO-s nga hapësira e konflikteve të papërfunduara pa ndërhyrje vendimtare amerikane, të Britanisë së Madhe e të shteteve anëtare të fuqishme të BE-së, në radhë të parë Gjermanisë, Francës, Italisë e pse jo edhe të Polonisë.
Instrumentet e treguara deri më tani në rastin Kosovë-Serbi, prej diskutimeve për targa e për këmbime territoriale, deri te fitorja e madhe “gjeopolitike” e BE-së e arritur në Ohër në atë që u quajt Marrëveshja Kosovë-Serbi, tregojnë se prapa fjalëve të mëdha fshihen veprime të zbehta. Ajo që u quajt Marrëveshje ishte fragjile me vetë faktin që nuk u nënshkrua dhe konsiderohet Marrëveshje, sepse të këtillë e konsideron se është shefi i diplomacisë J. Borell. Madje, me seriozitetin më të madh u shpjegua se si kjo është Marrëveshje ligjshmërisht e obligueshme, ngase “gjendet në kapitullin 35 për Serbinë dhe MSA-në për Kosovën”, një formulim që as bind kënd, as stimulon kënd, as frikëson kënd.
Kjo është paradigma e BE-së para sfidës gjeopolitike të shekullit.