OpEd

Qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet ngrohjen globale

Një Kosovë, e cila nuk do ta ketë prioritet luftën kundër ngrohjes globale, pra kundër ndryshimeve klimatike, do të mbetet e izoluar nga Evropa dhe do ta mbajë popullatën e saj, pos të izoluar, edhe në një mënyrë të helmuar. Do të ishte mirë sikur vërtet ngrohja globale të ketë qenë temë kryesore e takimit Haradinaj, Veseli, Limaj. Sepse nga kjo temë e ardhmja e të rinjve dhe e fëmijëve të Kosovës varet shumë më shumë sesa nga zgjedhjet e ardhshme të parakohshme

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, gjatë dimrit arrin të kualifikohet në krye të listës së kryeqyteteve të botës. Jo për të mirë, por për nivelin e ndotjes së ajrit. Sa nga termocentrali në Obiliq aq edhe nga përdorimi i qymyrit për ngrohje, apo automjetet e vjetruara që janë në qarkullim, ajri i kryeqytetit nuk është ai në të cilin prindërit e ndërgjegjshëm do të donin t’u rriteshin fëmijët. Lumenjtë e Kosovës janë në gjendje jo të mirë. Pyjet po prehen dhe nuk po mbillen drunjtë për t’i zëvendësuar ata që janë prerë, siç është ligj në disa vende të Evropës ku kanë shumë më shumë pyje sesa Kosova. Në Finlandë, për shembull, thuhet se edhe në pyllin që dikush e ka në pronësi, për secilin dru që pret duhet pronari të mbjellë një tjetër.

Edhe pas më shumë se 20 vjetësh vërejtjeje nga ekspertët, e besa edhe nga BE-ja, nuk është zgjidhur çështja e termocentralit “Kosova A”, që konsiderohet si njëri ndër ndotësit më të mëdhenj individualë të ajrit në Evropë.

Pra, nuk ka dyshim se në Kosovë me vite është injoruar ruajtja e ambientit. Liderët politikë të Kosovës, edhe pse herë pas here dalin për të shëtitur nëpër bjeshkët e Kosovës, edhe vetë e thithin atë ajrin e ndotur të kryeqytetit. Por as kjo nuk ka ndihmuar që ata të vetëdijesohen dhe ta kuptojnë se duhet të veprojnë në mënyrë urgjente për ta ndalur shkatërrimin e pyjeve, të lumenjve dhe ambientit të Kosovës në përgjithësi. Në këtë fushë të ruajtjes së ambientit, Kosova është duke ngecur dukshëm pas vendeve të Evropës.

Këto ditë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur se për çfarë do të flasë në një takim që kishte thirrur partnerët e tij të koalicionit, Kadri Veselin dhe Fatmir Limajn, u përgjigj se do të flasin “#për ngrohjen globale”. Pasi nuk pamë pas atij deklarimi ndonjë deklaratë të tyre të përbashkët rreth marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, apo ndonjë qëndrim të përbashkët rreth nevojës që secili plan për përmirësimin e furnizimit me energji duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të ruajtjes së mjedisit, mund të pohojmë se ky takim nuk ka qenë vërtet për “ngrohjen globale”, por ky term është përdorur me ironi. Dhe nuk do të duhej të ishte ashtu. Do të ishte mirë sikur vërtet ngrohja globale të ketë qenë temë kryesore e takimit Haradinaj, Veseli, Limaj. Sepse nga kjo temë e ardhmja e të rinjve dhe e fëmijëve të Kosovës varet shumë më shumë sesa nga zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.

Një Kosovë, e cila nuk do ta ketë prioritet luftën kundër ngrohjes globale, pra kundër ndryshimeve klimatike, do të mbetet e izoluar nga Evropa dhe do ta mbajë popullatën e saj, pos të izoluar, edhe në një mënyrë të helmuar. Kosova, e cila nuk përfshihet në fushatën kundër ngrohjes globale do të jetë edhe e sanksionuar nga BE-ja në shfrytëzimin e fondeve të asistencës për projekte, të cilat nuk do të jenë në përputhje me standardet e ruajtjes së mjedisit. Pra, ngrohja globale kurrsesi nuk është një temë, të cilën Kosova mund dhe guxon ta injorojë e sidomos jo të shfrytëzohet për tallje.

Ngrohja globale është dëshmuar nga shumë ekspertë dhe, nëse nuk vihet nën kontroll dhe ngadalësohet, do të ketë pasoja serioze për planetin. Edhe Kosova është dëshmitare e fenomeneve të pazakonshme natyrore. Por për dallim nga shoqëritë e tjera përparimtare, ajo e Kosovës nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje. Mund të kenë të drejtë ata që thonë se “kemi prioritete të tjera”. Por dikur do të jetë vonë. Në Evropë asnjë temë nuk është sot më e rëndësishme sesa ngrohja globale. Kjo ka ndikuar që më shumë se kurrë edhe të rinjtë të interesohen për politikë., Madje, edhe fëmijët e shkollave fillore organizohen dhe protestojnë kundër politikanëve, kundër prindërve të tyre, duke kërkuar që të veprojnë në mënyrë që ata të trashëgojnë një planet në të cilin do të mundë të mbijetojnë.

Kosova duhet ta kuptojë se BE-ja do të insistojë gjithnjë e më shumë që të punohet në ruajtjen e ambientit. Sepse, ndotja e ajrit dhe e ujërave nuk njeh kufij. Kur në Islandë ka shpërthyer një vullkan hiri vullkanik ishte shpërndarë nëpër ajër aq shumë saqë avionët nuk fluturonin as nga Prishtina për Vjenë, edhe pse Islanda është me mijëra kilometra larg. Sot Evropa është aq e shqetësuar për prerjen e pyjeve në Amazoni, në Brazil saqë kjo është shndërruar në një luftë politike me presidentin e ri të këtij shteti. Pas përmbytjeve në rrethin e Shkodrës në Shqipëri, vetëm disa javë më vonë, plazhet e bregdetit të Kroacisë mbulohen me mbeturina nga Shqipëria. Pra, është e qartë nevoja që të gjitha shtetet të veprojnë së bashku.

Pasi kryeministri i deridjeshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka përmendur ngrohjen globale si temë, do të ishte mirë që vërtet qeveria e ardhshme ta vërë si prioritet të saj. Do të ishte mirë që partitë politike ta kenë edhe në programet e tyre zgjedhore dhe të jetë edhe temë e diskutimeve në fushatën zgjedhore. Në këtë mënyrë, edhe Kosova sadopak do të kyçej në një çështje evropiane dhe globale e në të njëjtën kohë do të punonte në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e saj.

Një Kosovë e tillë, që e merr seriozisht ngrohjen globale dhe sfidat që ajo sjell, do të merrej më seriozisht edhe nga shtetet e tjera dhe nga organizatat ndërkombëtare. Do të ketë edhe asistencë në këtë drejtim. Mjetet e BE-së, që do të përdoren në të ardhmen për projekte zhvillimore, nuk do të mundë të shkojnë për projekte të cilat nuk dëshmohen që janë në përputhje me standardet e BE-së për ruajtjen e mjedisit. E një ditë, nëse vjen ajo ditë, kur të nisin negociatat e Kosovës për anëtarësim në BE, Kosova do ta ketë më të lehtë të negociojë edhe kapitujt që kanë të bëjnë me këtë fushë, e cila është ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, e do të duhej të ishte edhe prioritet për Kosovën.