Gjermanët mund të jenë të ngrohtë dhe solidarë, por këtë duhet ta tregojnë, përndryshe Europa do të rrënohet. Një koment i gazetës gjermane DIE ZEIT.
Nëse është e vërtetë se kjo krizë e mallkuar nxjerr në sipërfaqe të vërteta përherë të reja, atëherë kjo duhet të vlejë edhe për Gjermaninë. Dhe rolin e saj në Europë.
Pikësëpari është e vërtetë se aktualisht ka shumë solidaritet mes gjermanëve si pasojë e koronës. Së paku përtej ditëve tepër joshëse diellore të Pashkëve. Por, për fat të keq, e vërtetë është po ashtu se gjermanët, të cilët në brendi janë më shumë solidarë, nga jashtë, sidomos nga jugu perceptohen si tepër zemërngushtë. Në Romë Ambasada gjermane me gjasë nuk po sulmohet vetëm për shkak se atje askush nuk dëshiron të shkelë ndalimin e lëvizjes sall për t’ua thyer disa xhama gjermanëve të urryer.
Në brendi të ngrohtë, jashtë të ftohtë, pse është kështu? Që ta themi menjëherë: jo për shkak të italianëve, spanjollëve, francezëve apo grekëve mosmirënjohës.
Kështu është për shkak të disa të vërtetave të tjera. Për shembull: e vërtetë është se për një komb eksportues si Gjermania në një union monetar europian nuk ekziston diçka e jashtme. Nëse, ta zëmë, italianët nuk i kanë punët mirë për pak kohë, kjo nuk e godet ekonominë gjermane. Por nëse atyre nuk u ecin punët mirë për një kohë të gjatë, atëherë Gjermania si kampione botërore e eksportit mund t’i mbledhë plaçkat.
Pse, përkundër kësaj, qeveria gjermane ende kundërshton që me korona-bonde të sigurojë borxhet e të tjerëve dhe kështu t’i bëjë ato më të lira – edhe kjo ka të bëjë me një të vërtetë tjetër. Për t’i shpëtuar europianojugorët nga kolapsi, Gjermania ngulë këmbë që të shfrytëzohet Fondi ESM (European Stability Mechanism), i cili është krijuar gjatë krizës në Greqi. Por ky fond është i kushtëzuar me masa kursimi dhe disiplinimi, borxhet shlyhen vetëm nëse e pranon fajin. Me fjalë të tjera: Gjermania në të vërtetë do të donte të ndihmonte, por ashtu që për këtë të urrehet nga të tjerët. Ky vend është shumë i çuditshëm, praktikisht mund ta kuptosh vetëm nëse je gjerman.
Një sekret i ruajtur moti është se Gjermania nuk është komb, por sekt. Së paku në atë kuptim që ajo nuk e definon veten përmes historisë madhështore, për shkak të... ah, ju e dini pse, nuk e definon veten as përmes kuzhinës së papërsëritshme, elegancës apo humorit si kombe të tjera, të vërteta, por përmes: zellit. Si kalvinistët e ngathët. Ndonëse në këto vise pothuaj nuk ka kalvinistë.
Në fakt, zelli nuk ka depërtuar përmes fesë në qendër të identitetit gjerman, por përmes historisë. Pas luftës së fundit në të vërtetë nuk kishte më identitet, kishte vetëm Arbeit, Arbeit, Arbeit [punë, punë, punë] (dhe natyrisht: shpërblim, shpërblim, shpërblim), virtyti shtytës për ringjalljen ekonomike dhe morale ishte zelli.
Këtë do të mund ta injoronim si tabiat të pasherr të një populli përndryshe të përzemërt, nëse gjermanët nuk do t’ua përplasnin vazhdimisht të tjerëve para hundës zellin e tyre. Meqë, sipas tyre, suksesi i gjermanëve shpjegohet me zell, mossuksesi i të tjerëve buron nga dembelia. Rrjedhimisht: s’ka solidaritet pa qortim, nuk ka shtrirje të dorës pa gishtin tregues, nuk ka shpëtim nga korona pa ESM.
Mirë, secili popull ka veti të pakëndshme, dhe identiteti, sidomos ai nacional, s’mund të ekzistojë pa pak mendjengushtësi. Por këtu mbaron hajgarja. Kjo krizë e shkaktuar nga korona do të vendosë për fatin e BE-së, tani – dhe këtë nuk e themi me qejf – bëhet fjalë për gjithçka. Nëse kjo është një krizë e paparë, atëherë ajo mund të tejkalohet nëse të gjithë akterët – sidomos të fuqishmit – bëjnë diçka çfarë nuk kanë bërë kurrë më parë. Në rastin e Gjermanisë kjo do të ishte: të bëhet ajo çka ekonomikisht është e arsyeshme, politikisht e kërkueshme dhe moralisht e dëshirueshme – dhe me këtë rast duhet të hiqet dorë nga loja me letrat e zellit. Aq më tepër që italianët ah sa kaotikë kësaj radhe nuk janë fajtorë. Për besë nuk kanë faj.
Tani kemi arritur aty ku disa thonë: AfD (dmth. rreziku nga partia e djathë Alternativa për Gjermaninë). Po, me siguri, nëse Gjermania i thotë lamtumirë qëndrimit përbuzës me anë të zellit, një sërë zgjedhësish do ta ndiejnë veten të grabitur nga frytet e punës dhe kursimeve të tyre. Jo krejtësisht pa të drejtë. Por çka na ndihmon nëse Europa rrëshqet në depresion ekonomik dhe në tërbim politik? Sidoqoftë, gjermanët do të paguajnë edhe nëse Gjermania veprat e saj të mira i kryen nga Banka Qendrore Europiane përmes EMS-së. Pra, kjo është edhe një e vërtetë e kësaj krize: edhe përmes këtij shtegu gjermanët do të paguajnë derisa të shpëtohet Italia.
Nga gjermanishtja:
Enver Robelli