Atë mentalitet tonin, i cili ende vazhdon që t’i përziejë prioritetet, mund ta hasësh në trajta dhe forma të ndryshme në hapësirën e quajtur Kosovë. Ndërtesa të reja gjithandej, parkingje as për ilaç, gjelbërim i mangët. Punëtorë jo të mbrojtur, policë jo të siguruar, spitale publike nga të cilat për çudi ebola ende nuk ka shpërthyer,...
Përmbajtja e ditarit tim këtë javë më gjen mua në Kosovë pas 9 muajsh. Do t’ua thotë secili kurbetçi nga momenti që niset nga Aeroporti i Prishtinës për në qytet, fillimisht është një ndjenjë që ndoshta nuk do të di ta përshkruaj aq mirë, por është disi si një pluhur, i cili e mbulon atmosferën, ajri dallon me atë të Anglisë (së paku) dhe gradualisht ndjesia kthehet në atë realitetin e njohur të quajtur Kosovë. Përgjatë rrugës për në Prishtinë vëren ndërtime të reja dhe nuk je i sigurt nëse ato objekte ishin aty herën e fundit prejse ke kaluar andejpari.
Posa afrohesh në Prishtinë, komunikacioni fillon që të bëhet më i dendur dhe më kaotik nga ajo se çka sytë e tu ishin mësuar për muaj të tërë nga vendi i cili vjen. Por kjo ndjesi është ashtu kalimtare, kaosi i trafikut të Prishtinës bëhet pjesë e jotja shumë më shpejt se që ti e mendon atë dhe mishërohesh me të.
Nuk e di a ndodh edhe tek të tjerët, por ushqimin e parë që do ta ha kudo qoftë do të m’i rikthejë shqisat e të shijuarit. Do t’i shijoj ujin, domaten, djathin, specin e freskët, vezët, trangujt, gjithçka më ka shije. Mund të mos jenë aq të bukura në pamje, siç mund t’i gjesh në supermarketet londineze, mirëpo do të shijojnë, do t’i mbartin në vete shijen e tyre specifike dhe aromën. E gjitha kjo mund të jetë vetëm një truk i trurit tim dhe vetëm një sugjestion nuk e di, por për aq sa jam i vetëdijshëm mendoj se jam duke e bërë përshkrimin e një realiteti të qenë.
Pastaj fillon të takosh fytyrat e para të njohura për ty nga qyteti. Disa përshëndetje do të jenë më shumë ashtu përshëndetje kurtuazie, dhe ata persona mund që as të mos kenë vërejtur se ti në fakt më nuk jeton në Prishtinë, por përshëndetja ndodh dhe të bënë që të ndihesh mirë. Pastaj i takon edhe njerëzit, edhe fytyrat me të cilat njihesh shumë kohë dhe keni informata të sakta për jetën e njëri-tjetrit. Përshëndetja me këta persona është më e përzemërt, e edhe më e afërt. Pasohet me pyetjet për familjen, shëndetin, punën, fëmijët…
Secila rrugë të kthen kujtime nga rinia, fëmijëria, njerëz të cilët më nuk janë. Disa më nuk janë në jetë, ca të tjerë janë në jetë, por jo në jetën tënde, mirëpo kujtimet janë aty e sigurisht se ka edhe të tillë që janë ende në jetë, por ndoshta ty aq të bënë edhe sikur të mos ishin. Është ajo e cila na bën njerëz. Jeta jonë përbëhet nga dromcat e quajtura kujtime. Ca të ëmbla, ca të hidhura, ca që sikur të mundë ta kthenim kohën prapa do t’i ndërronim dhe disa të tjera që nuk do t’i ndërronim për asgjë në këtë botë, dhe ato dromca kujtimesh i mbajmë thellë në zemrat tona dhe shpeshherë ato na bëhen udhërrëfyesit në jetën tonë.
Truri i njeriut, ky organ aq kompleks, filtron kujtesën tonë, i mban vetëm gjërat më relevante të cilat kanë lënë gjurmë në jetët tona dhe jo çdo kotësi të cilën edhe po të mundoheshim me aq ngulm nuk do të mundë ta kujtonim.
Në lojën e kujtesës sime kthehem në vitin 2000, po kaloja pranë ish-ndërtesës së UNMIK-ut dhe ajo si duket ishte ajo, e cila më nxiti.
E kujtoj atë ditë të ngrohtë shtatori apo ndoshta edhe tetori, nuk jam shumë i sigurt, por e di dhe e mbaj mirë ndërmend se për atë periudhë të vitit ishte një ditë shumë e nxehtë.
Unë punoja në UNMIK dhe isha menaxher i kampeve të njësive speciale policore të Kombeve të Bashkuara. Atë mëngjes në radiolidhjen time, me të cilën isha i ngarkuar, pranova një thirrje nga kodi, i cili i përkiste udhëheqësit të departamentit tonë që quhej Supply, në kuadër të misionit. Z. Ted ishte ushtarak britanik, i cili kishte ardhur në Kosovë dhe UNMIK-u nga baza e NATO-s, Aviano në Itali, ku ai kishte qenë shef logjistike apo diçka të ngjashme. Ishte nga ata anglezët tipikë, të cilët unë i quaj zotni, me qëndrimin dhe sjelljet e tyre.
Z. Ted zakonisht do ta takoja vetëm ditëve të hëna, kur i bënim raportimet javore dhe gjithmonë ishin vetëm takime zyrtare dhe më pas unë do të kthehesha tek kampet, të cilat ishin të vendosura atje afër BBC-së në Fushë-Kosovë. Atë ditë që z. Ted më kërkoi në radiolidhje më tha se e kishte parë në orar se unë atë ditë do të shkoja për vizitë pune në Prizren, dhe se a do të kisha diçka kundër që ta merrja atë me vete pasi që vetura e tij zyrtare atë ditë do të ishte në servisim, dhe ai gjithashtu e kishte një mbledhje atje. I thashë se natyrisht se nuk do të më pengonte dhe se brenda 45 minutash shpresoja të arrija në Prishtinë, ta merrja atë aty nga zyrat qendrore.
Pasi që e mora z.Ted nga zyra qendrore, ne u nisëm për Prizren. Në vitin 2000 udhëtimi deri në Prizren merrte afro 4 orë. Rrugët ishin mjaft shumë të shkatërruara dhe në Qafën e Duhlës gjithmonë krijohej fyti i ngushtë.
Ishte hera e parë që me z.Ted do të më binte që të kaloja më shumë kohë dhe që biseda jonë të shkonte përtej asaj në lidhje me punën. Në një moment qetësia e përshkoi veturën përbrenda, përveç zhurmës së rrotave sa herë që binin në ndonjë gropë, nga e cila nuk kishe se si të ikje. Z. Ted kishte mbështetur kokën e tij për xhami, po shikonte jashtë, mirëpo mendoj se po ballafaqohej me dromcat e kujtesës së tij. Pas gati dy orësh vozitjeje të mundimshme në atë ditë të nxehtë e me pluhur dhe shumë gropa, në një moment z. Ted më thotë që ta ndaloja veturën në vendin e parë të mundshëm që ta bëja atë gjë. Nuk vonoi shumë dhe shenja P e komunikacionit po thoshte 500 metra. Me të arritur aty, z. Ted po më thotë “Asdren ti e pi cigaren, prandaj ndeze një dhe çliroi pak këmbët”. Natyrisht nuk do ta prisja të ma thoshte dy herë. Më pas e vazhdoi bisedën z.Ted. “Asdren nuk e di saktësisht a kam qenë 7 apo 8-vjeçar kur e kam dëgjuar fjalën absurd për herë të parë, si dhe kuptimin e kësaj fjale të re për mua. Tha kur u bëra tinejxher, fjala “absurd” dhe kuptimi i nocionit të saj u zgjerua edhe më shumë. Pastaj erdhi aktivizimi im si kadet në jetën ushtarake. Shpeshherë ballafaqohesha me urdhra absurdë të eprorëve, por të cilëve duhej bindur. Më vonë diplomova nga akademia ushtarake dhe gradualisht po ngrihesha në gradat e mia ushtarake, dhe jo rrallëherë me vetëdije jepja urdhra absurdë, të cilëve vartësit e mi iu bindeshin. Në gjithë rrugëtimin tim jetësor për ta kuptuar fjalën “absurd” mua tani më është dhënë rasti që absurdin ta shoh edhe me sy, dhe po desha mund edhe ta prek atë”. Nuk e dija saktësisht se çkaje po i referohej z. Ted. Më pas ai ngriti dorën e tij dhe me gisht po më tregonte se në cilin drejtim duhej të shikoja. Aty ishte një shtëpi e djegur me një “Mercedes”, relativisht të ri, me targa gjermane të parkuar përpara saj. Shtëpia tjetër afër saj, gjithashtu, ishte e djegur, por kishte një “Audi” me targa zvicerane të parkuar para saj. Në fakt pamja ishte e ngjashme ngado që shikoje në atë vendbanim të vogël. Vetura të reja pranë shtëpive të djegura. Prioritete të përziera.
Atë mentalitet tonin, i cili ende vazhdon që t’i përziejë prioritetet, mund ta hasësh në trajta dhe forma të ndryshme në hapësirën e quajtur Kosovë. Ndërtesa të reja gjithandej, parkingje as për ilaç, gjelbërim i mangët. Punëtorë jo të mbrojtur, policë jo të siguruar, spitale publike nga të cilat për çudi ebola ende nuk ka shpërthyer,... por ajo që është më e rëndësishmja është që të përzgjedhurit e popullit në Kuvendin e Kosovës e kanë rrogën 2.000 + euro dhe me paraqitjet e tyre publike nëpër intervista televizive ta çkërdhejnë (në mungesë të ndonjë fjale më diplomatike) edhe atë një dromcë inteligjence që mundohet të mbijetojë në këto kohëra pa kohë.
P. S. Ramush tarifat për produktet e Serbisë vazhdo mbaji edhe pak, mos kurgjo, evropianët kogja nervozë ki fillu me i bo, veç burrë me konë unë në vend teje tash për inat të Kadrisë - Kadria sa njerin e kisha pushu prej pune në Qeveri, sepse janë të akuzuar për korrupsion - nomin e kisha bo. Ia kisha fillu me Pal Lekajn… e nxjerr një kashtë masandej dalin gjashtë.