Po kalon edhe i njëzeti vit ku na e kanë mbushur kokën me premtime demagogjike, e ne ende nuk u mësuam. Ende nuk e kemi kuptuar se këta që premtojnë e nuk i mbajnë premtimet e veta janë të njëjtit si para dy dekadash, dhe se nuk kanë evoluar fare në punën që e kanë marrë mbi vete për ta ndërtuar shtetin. Brezi i tyre është ai, i cili duhet të shkojë po qe se ky vend do që të ecë përpara. Ndryshe, do të vazhdojmë t'ua dëgjojmë pallavrat dhe sikur tash, mbase edhe do të nisim të besojmë se e kanë përnjëmend. E nuk e kanë. E kanë veç për pushtet
Java nisi me djegien e katedrales nëntëshekullore të “Notre Dameit” në Paris. Shumë reagime gjithandej dhe një vendim jo pak i kritikuar i Qeverisë së Kosovës që me një shumë simbolike të ndihmohet riparimi i një objekti që tashmë i ka siguruar 1 miliard euro për këtë.
Përderisa është shumë i qartë potezi diplomatik i Qeverisë, që në një formë të revanshohen për ndihmën e pamatshme në para që na e ka dhënë Franca që nga bombardimi e këndej, megjithatë kallja e këtij monumenti historik francez nuk qe katastrofë elementare dhe nuk pati pasoja në njerëz. Por ky vendim vuri në pah shkujdesin e treguar nga të gjitha qeveritë që nga fundi i luftës për pasurinë kulturore historike të Kosovës -- lista tejet e gjatë e monumenteve që vuajnë për përkrahje institucionale neglizhohen, për shkak se kemi para për shumëçka, por jo për trashëgimi. Të mos flasim për shumë nevojat e tjera që mbesin të papërmbushura, për shkak se paratë tona po shkojnë, si rëndom, nëpër asfalte të shtrenjta që nuk na e sjellin zhvillimin ekonomik të aq kërkuar, e as që na e përmirësojnë balancën tregtare madje as me Shqipërinë.
Porse edhe ky, si shumë vendime të tjera të kësaj Qeverie, do të harrohen, deri në çastin kur dikush ta bëjë një përmbledhje të vëllimshme të krejt gjërave që kanë mundur të menaxhoheshin ndryshe. Ndërkohë, zhgënjimi i rinisë vetëm sa do të shkojë e të rritet.
Ministrja skandaloze
E si të mos zhgënjehen, kur dëgjojnë nga goja e ministres së Integrimeve se si Kosova rrezikon të humbë përkrahjen financiare evropiane, ngase nuk ka njerëz që dinë të shkruajnë projekt-propozime. Kur e lexon dhe e dëgjon njeriu këtë deklaratë, nuk ka sesi të kapet për koke dhe të shtrojë pyetje: po mirë bre ministre, po ata 500 këshilltarët politikë që i ka kjo Qeveri për çka shërbejnë, nëse nuk dinë ta shkruajnë madje asnjë propozim?
Për më tepër, a nuk turpëroheni kur jepni këso deklaratash pa lidhje dhe ofenduese, kur e dini shumë mirë se evropianët që nga 2003-a kanë financuar shkollimin e dhjetëra të rinjsh kosovarë, për të mësuar edhe për integrime, edhe për shumë gjëra të tjera në disa nga universitetet më me nam të Evropës. Ideja ka qenë që ata të ktheheshin nëpër institucione për ta dhënë kontributin e tyre, porse ju dhe krejt si ju para jush, u keni dhënë përparësi kushërinjve e dostave për punësim, duke i mbushur institucionet me analfabetë, kurse të shkolluarve u keni thënë të shkojnë nëpër OJQ ose të mbesin aty në cilësinë e përkthyesve.
Paramendojeni se si kishte me qenë situata po qe se brezi i parë i "Young cells" (Qelizat e reja), siç quhet programi, do të ishin ende në punë sot. Me 15 vjet përvojë do të ishin, jo vetëm në gjendje të shkruanin propozime, por edhe të udhëhiqnin departamentet kyç nëpër ministri. Por jo, nuk i deshët, se ua prishnin mesataren, duke e marrë kështu në qafë Kosovën.
Po edhe kjo deklaratë bën pjesë në masën e deklaratave kot të kësaj ministre, sikurse ato për liberalizimin e vizave, MSA-në, ERA-n e plot të tjera. Kot shëtitja nëpër Bruksel, kur në shtëpi nuk jeni në gjendje t'i zgjidhni problemet, që në fakt i krijoni vetë. Nuk i zgjidhni sepse nuk doni, e më pas lehtë ua hidhni fajin atyre që askush nuk i pyet send.
Shefi si ministrja
E po ministrja nuk është e vetmuar kur flet kot së koti për gjërat në përgjithësi. Kadri Veseli duket të jetë kampioni i deklaratave që nuk e kanë as më të voglin sens, apo që në thelb janë thjesht demagogjike/elektorale.
Njëra nga to kishte të bënte me zhgënjimin tashmë të lartpërmendur të të rinjve, dhe kërkesën e tyre për t'u larguar nga Kosova. Në një konferencë Veseli bëri thirrje për forcimin e luftës kundër korrupsionit, duke shtuar se ikjet nga Kosova po bëhen sepse ka humbur besimi. Veçanërisht në institucione, do të shtoja unë.
Konstatim i qëlluar i Veselit, por janë fjalë që vijnë nga njeriu i gabuar, ngase ai është në krye të partisë që e shkatërroi shpresën e të rinjve në këtë vend. Aferat Pronto e të ngjashme janë pjellë e kësaj partie, që instaloi grabitjen e pushtetit në të gjitha nivelet, pa e bërë as përpjekjen më të vogël që uria e pangopshme për pushtet e para të ndalej me një pikë.
Dhe sikur të mos i dilte boll, kinse për t'u dhënë shpresë njerëzve, nis me fushatën zgjedhore qysh këtë javë. Fillimisht insistoi në krijimin e gjykatës komerciale (Ekonomike e ka pasur emrin dikur), e cila është shuar nga ministria të cilën e kanë udhëhequr njerëzit e kësaj partie në të kaluarën. Kjo kinse për të na e lehtësuar punën bizneseve. Më pas, u lavdërua me fondin njëmilionësh për rininë, përkatësisht për rritjen e ndërmarrësisë, pasi i ndau 21 grante. Porse këtë e thotë në kohën kur koalicioni në të cilin bën pjesë ky, i harxhon fiks kaq para për t'i paguar tetëdhjetë e kusur zëvendësministrat badihavxhinj, në vend se t'i orientojë paratë në më shumë ndërmarrësi. E fundit, premtimi për rritjen e subvencioneve për bujqit, në situatën kur ky si kryetar Kuvendi nuk ka kontroll mbi bujqësinë, e as nuk e ka përfaqësuesin e vet në atë dikaster. Era zgjedhje, pa dyshim, po i vjen këtij vendi.
Por më skandalozi qe kur doli me deklaratën për nevojën e themelimit të një gjykate për t'i ndjekur krimet serbe në Kosovë. Shumë populiste dhe shumë e mjerë të luash me emocionet e njerëzve që kanë humbur familjarë ose që nuk i gjejnë dot as pas 20-vjetësh, të thuash se tash do ta themelojmë një gjyq të tillë.
Veseli thuajse harron se ka ekzistuar një Tribunal për krime lufte në ish-Jugosllavi, në Hagë, dhe që kryesisht është marrë me dënimin e serbëve që kanë kryer krime edhe në Kosovë. Nëse ka dashur të ndihmojë, e posaçërisht meqë ka qenë në krye të shërbimit të spiunimit, është dashur të mblidhte fakte për të dënuar sa më shumë kriminelë që kanë lënë pas shumë lapidarë në varreza kolektive. Por jo, atëherë primare ka qenë me u marrë me grabitjen e banesave, lokaleve e njësive prodhuese. Sepse si atëherë, ashtu edhe këtë herë, interesi i Kosovës mbetet dytësor.
Të dalësh sot, në 20-vjetorin e masakrave, të kërkosh nga vendet mike që ta kalojnë një rezolutë me të cilën zyrtarisht e njohin rolin e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit, kur ti vetë nuk ke bërë asgjë për t'i sjellë para drejtësisë, është shumë e padrejtë ndaj viktimave. Edhe po të kalonte një rezolutë e tillë kudo, do të mbeste e tillë: rezolutë pa fuqi zbatimi, veç arsye për krekosje.
Askush nuk iu ka faj juve që e votuat Gjykatën Speciale që do t'i ndjekë vetëm shqiptarët, për shkak se me vite refuzonit të merreshit me krime të luftës. Aq jeni treguar shkurtpamës, saqë edhe në Rezolutën për dialogun i keni anashkaluar krimet kundër njerëzimit që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Dhe aq jeni dëshmuar të painteresuar, saqë asnjëherë të vetme nuk bëri vaki që çështja e të pagjeturve, të viktimave dhe të reparacionit të qiteshin në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Zgjedhjet mbase edhe do të mundë t'i fitoni, por përtej deklaratave demagogjike dhe super të vonuara, nuk do të bëni gjë për një çështje që pret të zgjidhet qe 20 vjet.
Ndërkohë...
Mjafton të lexohen titujt e gazetës në pesë ditët e fundit për të kuptuar se çfarë në të vërtetë ndodh përderisa na mbushin fjalime bosh dhe që veç shtypjen e gjakut mund të ta ngrenë.
Më 2018-n investimet e huaja direkte kanë rënë për 24 milionë euro (sa gjysma e gjobës që do t'ia falim “Bechtelit”) -- e jo që janë investuar shumë para (gjithsej 233 milionë), porse këto bile kanë krijuar disa vende të punës. Normal, në një vend pa siguri juridike, askush nuk vjen të investojë, madje as diaspora.
Nga ana tjetër, Kuvendi i kotë, qirkuzi, vazhdon të prodhojë mëditje për anëtarët e vet dhe thuajse asnjë rezultat në asnjë drejtim. Aq janë mësuar t'i bojkotojnë seancat, saqë kanë mbërritur në gjendjen kur i kanë 50 pika të rendit të ditës që kanë mbetur prej kush e di sa muajve pas. Në vend se të mbajnë seanca për çdo ditë, këta e kalojnë ditën duke bërë fushata nëpër Kosovë, ose duke shpikur debate ama totalisht jashtë kontekstit se kush, kur dhe a ka qenë SHIK apo jo.
Më tej, një epror policie, që ka kontrolluar një dikaster shumë të rëndësishëm, nuk do të rigjykohet për një rast nga i cili është liruar jashtëligjshëm, për shkak se kështu e parasheh ligji. Tash lëre që nuk mund të ndërmerret asnjë gjë kundër tij, por nuk mund t'i ndalen as gradimi e as avancimi, siç edhe ka ndodhur. Shteti në të cilin ka dyshime shumë të bazuara se një polic ka kryer vepra të paligjshme vazhdon të punojë në Polici dhe ku dy shkallë të gjykatave vlerësojnë se nuk ka bazë për ndjekje, kurse Supremja e thotë të kundërtën, tregon për lidhjen e ngushtë të krimit me gjyqësinë. E mandej çuditemi se pse populli është i zhgënjyer.
Për më keq, një nga vendimet e para të Qeverisë Haradinaj më 2017 ka qenë shkarkimi i Bordit të Agjencisë për Akreditim. Prej atëherë agjencia u udhëhoq me një trup të përkohshëm, por kanë kaluar gjashtë muaj qëkur është mbyllur konkursi, e kjo agjenci nuk ka drejtor. Tashmë gjerësisht i politizuar, arsimi prej kohësh është ndër hallkat me më së shumti të meta që kanë pasoja tejet të rënda për Kosovën. Nuk e harrojmë PISA-n, e nuk e harrojmë as që kemi aq shumë institucione të shkollimit të lartë për disa arsye: për ta mbajtur numrin e të papunëve më të vogël; për t'i akomoduar dostat dhe për t'iu dhënë mundësi disa njerëzve që t'i mbajnë me nga 15 vende pune.
E fundit për këtë javë është afera "Telekomi i Kosovës". Kuvendi e ka themeluar komisionin hetimor pas raportimeve që i bëri KTV-ja, dhe ende ballafaqohet me mosbashkëpunimin e zyrtarëve të Telekomit që nuk i dorëzojnë dokumentet e kërkuara për hetim. Kjo vetëm tregon se kanë shumëçka për të fshehur, ndërkohë që puna e këtij komisioni hetimor nuk ka fuqi tjetër pos që t'ia nisë rekomandimet e veta Prokurorisë së Shtetit, qëmoti ka pasur arsye për hetim, edhe pa dalë në pah krejt skemat nepotiste që u demaskuan.
* * *
Po kalon edhe i njëzeti vit ku na e kanë mbushur kokën me premtime demagogjike, e ne ende nuk u mësuam. Ende nuk e kemi kuptuar se këta që premtojnë e nuk i mbajnë premtimet e veta janë të njëjtit si para dy dekadash, dhe se nuk kanë evoluar fare në punën që e kanë marrë mbi vete për ta ndërtuar shtetin. Brezi i tyre është ai i cili duhet të shkojë, po qe se ky vend do që të ecë përpara. Ndryshe, do të vazhdojmë t'ua dëgjojmë pallavrat dhe sikur tash, mbase edhe do të nisim të besojmë se e kanë përnjëmend. E nuk e kanë. E kanë veç për pushtet.