Finlanda dhe Suedia tani duan të anëtarësohen në NATO, sepse e kanë ndier rrezikun që u kanoset fqinjëve të Rusisë që nuk janë në Aleancë. NATO nuk duhet të bëjë gabimin që bëri më 2008 me Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe duhet t’i pranojë me shpejtësi këto shtete. Edhe pse Kosova nuk është e njohur nga të gjitha vendet e Aleancës, duhet gjetur urgjentisht aranzhime që edhe ajo të përfshihet në ombrellën e sigurisë së NATO-s, përtej asaj që sot ofron misioni i KFOR-it
Politika e dyerve të hapura të NATO-s ka bërë që kjo aleancë të mbërrijë në 30 anëtarë. Me këtë është rritur fuqia e saj, kryesisht politike dhe gjeostrategjike, ndërsa kontributi i vendeve të reja në aspektin ushtarak, kontributi i zgjerimit, ka qenë më shumë simbolik. Sepse rreth 80 për qind të kapaciteteve ushtarake të NATO-s bien në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Politika e dyerve të hapura nuk ka qenë një proces në të cilin NATO-ja kërkon nga shtetet që të bëhen anëtare të saj. Është e kundërta. Ajo i mban të hapura dyert për ato shtete evropiane të cilat vetë, me vullnetin e tyre të lirë, duan të bëhen anëtare. Kur ato kërkojnë anëtarësim, NATO-ja e shqyrton atë kërkesë, vlerëson sa i përmbushin kushtet, edhe politike, edhe ushtarake, edhe të sigurisë, e pastaj kur të vlerëson se janë përmbushur të gjitha kriteret, i pranon si anëtare. Secili vendim është vendim sovran i shtetit që kërkon anëtarësim dhe i të gjitha shteteve anëtare, të cilat duhet të pajtohen me një vendim të tillë.
Pra, nuk është NATO-ja ashtu siç e ka paraqitur në propagandën e saj Rusia, si një aleancë agresive, e cila zgjerohet me qëllim për ta rrezikuar dikë jashtë saj.
Zakonisht interesim për t’u anëtarësuar në NATO në 40 vjetët e fundit kanë shfaqur vetëm vendet e Evropës Lindore dhe ish-vendet e sistemit komunist. Ato e kanë parë anëtarësimin në NATO si një proces, i cili rrit sigurinë e tyre dhe i bën më të gatshme për t’u anëtarësuar edhe në Bashkimin Evropian. Kështu në vitin 1999, në NATO kishin hyrë Çekia, Hungaria dhe Polonia. Më vonë në vitin 2004 edhe Sllovenia, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria. Shqipëria dhe Kroacia ishin vendet e para të Ballkanit Perëndimor që u banë anëtare të NATO-s në pranverën e vitit 2009. Më vonë, në vitin 2017, u anëtarësua edhe Mali i Zi, ndërkaq Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të në vitin 2020.
Valët e mëhershme të zgjerimit ishin në periudhën e luftës së ftohtë. Vendeve themeluese të NATO-s në vitin 1952 iu bashkuan edhe Greqia dhe Turqia. Ishte ky një vendim krejtësisht politik dhe strategjik. Turqia kufizohej me ish-Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e Azisë, dhe anëtarësimi i saj kishte rëndësi të veçantë për NATO-n. Në anën tjetër, anëtarësimi në NATO i të dyja shteteve, Greqisë dhe Turqisë, siguroi që mes këtyre shteteve, që kishin shpesh mospajtime të thella, të mos ketë konflikt. Ato për më tepër u bënë aleate. Gjermania në atë kohë, Federale, pa pjesën e saj Lindore që ishte në bllokun komunist, u bë anëtare e NATO-s në vitin 1955 dhe Spanja në vitin 1982, vit për të cilin dashamirësit e futbollit e kujtojnë për nga Botërori, i cili u zhvillua pikërisht në Spanjë.
I gjithë ky zgjerim ka pasur për qëllim zgjerimin e zonës së sigurisë dhe nuk ka qenë i drejtuar kundër askujt. Rasti i vetëm që NATO-ja ka ndërhyrë ushtarakisht kanë qenë sulmet e kufizuara ajrore ndaj pozicioneve të forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1995 pas gjenocidit në Srebrenicë dhe sulmet ajrore kundër forcave të Millosheviqit për ta ndalur krizën humanitare dhe gjenocidin në Kosovë. As në këtë ndërhyrje, NATO-ja nuk pati për qëllim të okuponte tokën e dikujt, por vetëm të ndalte krimet që bëheshin për vite në sytë e botës e askush nuk ndërhynte.
Rusia gjithmonë është munduar ta paraqesë zgjerimin e NATO-s si “proces agresiv i drejtuar kundër Rusisë”. Madje shpesh ka thënë se më këtë “NATO e ka shkelur premtimin se nuk do të zgjerohet në kufijtë e Rusisë”. Në NATO konfirmojnë se as nga Aleanca e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhënë garanci të tilla. Sepse kjo do të ishte në kundërshtim me politikën e dyerve të hapura.
Rusia “rrezikun nga anëtarësimi në NATO” e ka përmendur si një prej arsyeve kryesore të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Pak ka rëndësi për propagandën e Rusisë se edhe më herët në kufijtë e saj kishte anëtarë të NATO-s. Por ajo që është shqetësuese është se brenda NATO-s kishte mirëkuptim për qëndrimet e Rusisë, dhe shpesh kjo ishte bërë arsye për të ngadalësuar, e në rastin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë edhe për të penguar zgjerimin e NATO-s.
Vendet e zhvilluara perëndimore që nuk donin të anëtarësoheshin në NATO kishin disa arsye. E para ishte dëshira që të ruanin neutralitetin ushtarak. Kështu ishte rasti me Irlandën, Zvicrën dhe Austrinë. Këto shtete as tash nuk duan të jenë në NATO. Sepse e kanë luksin që të mos kenë frikë nga ndonjë invazion i jashtëm. Sepse janë të rrethuara me vende të NATO-s dhe janë edhe anëtare të BE-së. Nëse forcës amerikane i shtohen Britania e Madhe, Turqia, Kanadaja dhe Norvegjia, del që shtetet e BE-së në NATO përbëjnë diku rreth vetëm 10 për qind të kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Suedia. Ndërkaq Finlanda ka qenë një rast specifik. Ajo ka mbi 1300 kilometra kufi tokësor me Rusinë dhe ka dashur të jetë neutrale. Por tash frika ka bërë që në mënyrë dramatike opinioni publik në këto dy shtete të BE-së të jetë në favor të anëtarësimit në NATO. Sepse larg është dita kur ato mund të llogarisin që BE-ja t’i mbrojë nga ndonjë sulm eventual ushtarak. Qeveritë e të dyja këtyre shteteve kanë shprehur vullnetin për të aplikuar për anëtarësim në NATO.
NATO-ja nuk duhet të bëjë gabimin që bëri më 2008 me Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe duhet t’i pranojë me shpejtësi këto shtete. Edhe pse Kosova nuk është e njohur nga të gjitha vendet e Aleancës, duhet gjetur urgjentisht aranzhime që edhe ajo të përfshihet nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, përtej asaj që sot ofron misioni i KFOR-it.
Do të ishte ideale që NATO-ja dhe shtetet kryesore të saj anëtare t’i bindin katër shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që të bëjnë një gjë të tillë. Kanë shumë argumente, ndërkaq argumenti se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare nuk qëndron dhe këtë e ka konfirmuar autoriteti kryesor në botë për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, dhe atë me kërkesë të Serbisë.
Pasi në NATO vazhdon vendimmarrja me parimin e konsensusit pa njohjen nga të gjitha shtetet, Kosova nuk mund të bëhet anëtare, e as të jetë partnere në programin e partneritetit për paqe. Por mund të ketë marrëveshje bilaterale ushtarake me ato shtete që duan ta ndihmojnë. Dhe duhet të synojë edhe marrëveshje bilaterale për mbrojtjen e Kosovës në rast rreziku. Nuk guxojnë as Kosova e as NATO-ja të lejojnë që të krijohen situatat në të cilat do të duhej të zhvilloheshin bisedime në NATO se si të veprohet në rast të rrezikut të Kosovës nga jashtë. Dhe kur të hiqen pengesat politike, Kosova duhet të bëhet anëtare e NATO-s. E njëjta duhet të ndodhë edhe me Bosnjë-Hercegovinën. E kur kjo të realizohet, NATO-ja do ta ketë të rrumbullakuar tërë territorin evropian, me përjashtim të tri a katër vendeve që duan të mbesin neutrale. Dhe do të jetë Serbia në rajonin e Ballkanit e rrethuar nga vendet e NATO-s. Serbia është shembull se si NATO nuk kërkon nga askush të bëhet anëtar i saj. Nëse Serbia nuk do, askush nuk e detyron. Por NATO-ja duhet të jetë e kujdesshme që Serbia të mos bëhet satelit i Rusisë në zemër të NATO-s, sepse kjo do të rrezikonte edhe rajonin, edhe NATO-n. Për momentin në NATO besojnë se me Serbinë kanë bashkëpunim të mjaftueshëm përmes Partneritetit për Paqe. Nëse përshkallëzon situata dhe Rusia rrit ndikimin ndaj Serbisë, me qëllim të destabilizimit ushtarak të rajonit, atëherë edhe për një skenar të tillë NATO duhet të jetë e gatshme. Përkundër situatës së tashme të rëndë, politika e dyerve të hapura të NATO-s vazhdon të jetë mënyra kryesore e rritjes së sigurisë së Evropës, dhe ky parim duhet të mbahet.