OpEd

Partia nuk është përgjithmonë

Kur liderët e Kinës të ngrenë dolli për qindvjetshin e Partisë Komuniste të Kinës, ata do të duhej të pyeteshin nëse partia ndodhet në shtegun e duhur. Nëse nuk është, momenti i ardhshëm historik i CPC-së mund të jetë i fundit i tij

Qeniet njerëzore që u ofrohen të njëqindtave normalisht mendojnë për vdekjen. Por partitë politike që e shënojnë qindvjetorin, siç do të bëjë Partia Komuniste e Kinës (CPC) më 1 korrik, janë të obsesionuara pas pavdekshmërisë. Një optimizëm i tillë duket disi i çuditshëm për partitë që i drejtojnë diktaturat, ngase jetëgjatësia e tyre nuk frymëzon besim. Fakti se asnjë tjetër parti e tillë në kohë moderne nuk ka mbijetuar për një shembull duhet t’u ofrojë liderëve kinezë një shkas për shqetësim, e jo për festë.

Një arsye e qartë për jetëgjatësinë relativisht të shkurtër të partive komuniste apo autoritare është se diktaturat moderne të përqendruara kah partia, për dallim prej demokracive, janë shpërfaqur vetëm në shekullin e njëzet. Bashkimi Sovjetik, e para diktaturë e këtillë, ishte themeluar më 1922. Kuomintangu (KMT) në Kinë, një parti kuazi-leniniste, ka vënë vendin nën kontrollin nominal më 1927. Nazistët nuk kanë ardhur në pushtet në Gjermani deri më 1933.

Mirëpo ekziston një shpjegim më fondamental sesa rastësia historike. Mjedisi politik në të cilin operojnë partitë diktatoriale e nënkupton një ekzistencë që është larg më Hobbesiane – “e ligë, brutale dhe e shkurtër” – sesa ajo e simotrave të tyre demokratike.

Një mënyrë e sigurt për vdekjen e partive diktatoriale është që ta zhvillojnë një luftë dhe ta humbin, një fat ky që i kishte pritur nazistët dhe fashistët e Mussolinit në Itali. Por shumica largohen nga pushteti në mënyrë larg më pak dramatike (apo traumatike).

Në regjimet jokomuniste, partitë kaherë në pushtet dhe me sy kah e ardhmja, siç është KMT-ja në Tajvan dhe Partia Revolucionare Institucionale (PRI) në Meksikë, e panë shkrimin e shkruar në mur dhe i iniciuan reformat demokratizuese para se ta humbnin gjithë legjitimitetin. Ndonëse këto parti në fund të fundit janë votuar për t’u larguar nga detyra, ato kanë mbetur politikisht të dukshme dhe më pas janë rikthyer në pushtet duke i fituar zgjedhjet (në Tajvan më 2008 dhe në Meksikë më 2012).

Në të kundërtën e kësaj, regjimet komuniste që janë munduar t’i kënaqin popullatat e tyre nëpërmjet reformave të kufizuara demokratike kanë përfunduar që të gjitha me kolaps. Në ish-bllokun sovjetik, masat liberalizuese të të 80’-ave nxitën shumë shpejt revolucione që i flakën komunistët – dhe vetë Bashkimin Sovjetik – në koshin e plehrave të historisë.

CPC-ja nuk dëshiron që ta rrojë këtë histori gjatë shënimit të ardhshëm të qindravjeçarit të saj.

Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe kolegët e tij është më se e qartë se dëshirojnë që ta projektojnë një imazh besimi dhe optimizmi. Por kapardisja politike nuk është zëvendësim për një strategji mbijetese, dhe kurse CPC-ja i përjashton reformat si tepër të vështira, bëhet e qartë se opsionet janë skajshmërisht të kufizuara.

Para se Xi të vinte në pushtet më 2012, disa liderë kinezë kthenin sytë nga modeli i Singaporit. Partia e Veprimit të Popullit (PAP), e cila kishte udhëhequr qytetin-shtet pa ndërprerje që nga 1959-a, dukej që t’i kishte të gjitha: pothuajse të gjithë monopolin e pushtetit, qeverisjen e plotë, performancën superiore ekonomike dhe mbështetjen e sigurt popullore.

Por sa më shumë që CPC-ja shikonte – dhe kishte dërguar me dhjetëra mijëra zyrtarë në Singapor për ta studiuar – aq më pak donte që të bëhej një version gjigant i PAP-së. komunistët e Kinës pa dyshim se donin që ta kishin fuqinë e PAP-së në pushtet, por nuk donin që t’i adoptonin të njëjtat metoda dhe institucione që ndihmojnë në ruajtjen e supremacisë së PAP-së.

Nga të gjithë përbërësit institucionalë që e përbënin dominimin e veçantë të PAP-së, CPC-së më së paku i pëlqenin legalizimi i partive opozitare në Singapor, zgjedhjet relativisht të pastra dhe sundimi i ligjit. Liderët kinezë kuptojnë se këto institucione, vitale për suksesin e PAP-së, do ta dobësonin monopolin politik të CPC-së po qe se zbatoheshin në Kinë.

Kjo mbase është arsyeja pse modeli i Singaporit e ka humbur shkëlqimin e tij në epokën e Xisë, përderisa modeli i Koresë Veriore – represioni totalitar politik, një lider suprem kult dhe juche (vetëvarshmëria ekonomike – është bërë më joshës). Ç’është e vërteta, Kina ende nuk është bërë një Kore Jugore gjigante, por një sërë trendësh gjatë tetë vjetëve të fundit kanë lëvizur vendin në atë drejtim.

Politikisht, sundimi i frikës është rikthyer, jo vetëm për popullatën e thjeshtë, por edhe për elitat e CPC-së, teksa Xi ka rivendosur spastrimet nën petkun e një fushate të vazhdueshme kundër korrupsionit. Censura është në nivelin më të lartë në periudhën e pas Maos, ndërsa regjimi i Xisë ka eliminuar krejtësisht hapësirën për shoqërinë civile, përfshirë OJQ-të. Autoritetet madje i kanë frenuar supermarrësit privatë të Kinës me anë të shtypjes rregullative, persekutimit kriminal dhe të konfiskimit të pasurisë.

Dhe Xi është duke e ushqyer me ngulm një kult personaliteti. Këtyre ditëve, ballina e gazetës “People’s Daily” është e mbushur me lajme mbi aktivitetet dhe dekretet personale të Xisë.

Historia e shkurtuar e CPC-së, e publikuar së fundmi për ta shënuar qindvjeçarin e partisë, ia kushton një të katërtën e përmbajtjes së saj tetë vjetëve të Xisë në pushtet, teksa ia ofron gjysmën tjetër e më shumë të hapësirës Deng Xiaopingut, shpëtimtarit të përnjëmendtë të CPC-së.

Ekonomikisht, Kina ende duhet që ta përqafojë plotësisht “juchen”. Por njëshi i ri i CPC-së e projekton një vizion të vetëmjaftueshmërisë teknologjike dhe sigurisë ekonomike të përqendruar në rritjen e brendshme. Ani pse partia e ka justifikimin e arsyeshëm – strategjia e Amerikës për shkëputje ekonomike dhe teknologjike nuk i lë asaj ndonjë alternativë – fare pak demokraci perëndimore do të dëshironin që të mbeteshin ekonomikisht të lidhura me një vend që e sheh Korenë Veriore si modelin e tij të ardhshëm politik.

Kur liderët e Kinës të ngrenë dolli për qindvjetshin e CPC-së, ata do të duhej të pyeteshin nëse partia ndodhet në shtegun e duhur. Nëse nuk është, momenti i ardhshëm historik i CPC-së mund të jetë i fundit i tij.

(Minxin Pei është profesor i qeverisjes në Kolegjin McKenna në Claremont dhe anëtar i lartë jorezident i Fondit Marshall gjerman të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).