OpEd

Një metodë e dembelisë mendore

Ose: shpikja e “antiamerikanizmit” për nevoja të mëhallës politike të Prishtinës në prag të fillimit të “lotarisë negociatore”.

Askush në Kosovë nuk e vë në dyshim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës. Nuk ka vend tjetër në botë përveç Kosovës ku politikanët e gjallë amerikanë kanë më shumë përmendore, buste e rrugë me emrat e tyre. Nuk ka me gjasë vend tjetër në botë përveç Kosovës ku besimi në SHBA-të zgjon ndjenja pothuaj religjioze (dhe ky religjiozitet mund të duket nganjëherë edhe naiv).

Sidoqoftë, kjo është gjendja shpirtërore e njerëzve, sepse njerëzit e dinë se pa aleancën e madhe perëndimore të vitit 1999 të prirë nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia etj., Kosova sot do të ishte njëfarë Kurdistani ballkanik dhe nga Korça në Kukës do të kishte çdokund nga një "klub refugjatësh kosovarë" që bëjnë plane për të çliruar atdheun nga "zgjedha serbe".

Proamerikanizmi kosovar nganjëherë është frikshëm qesharak, por i kuptueshëm për shkak të historisë. Qe një shembull: kur më 2003 SHBA-të pushtuan Irakun me sebepin e rrejshëm se ky vend kishte armë biologjike, mediat amerikane si "New York Times" aksionin e quanin me emrin e vërtetë: pushtim. Kur tekstet e gazetës amerikane përktheheshin në shqip, në redaksitë kosovare kishte redaktorë që e fshinin fjalën "pushtim". Për të treguar proamerikanizëm duhej censuruar edhe "New York Times". Asgjë nuk duhej të turbullonte besimin e çiltër dhe bindjen e patundur kosovare se Amerika është e pagabueshme.

Ardhja e Donald Trumpit në pushtet në vitin 2016 ka ndryshuar shumë gjëra. Vlerat në të cilat besonte Amerika, vlerat me të cilat identifikohej në botë ky vend i madh befas nuk vlejnë si dikur nën George Bushin, Bill Clintonin apo Barack Obamën. Është, prandaj, e natyrshme që një figurë polarizuese si Trumpi të shpartallojë edhe ushtrinë e adhuruesve shqiptarë të Amerikës.

Rrjedhimisht, kohëve të fundit edhe në lagjen e vogël shqiptare nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë (në të ardhmen) zëra kritikë ndaj politikave të Trumpit apo emisarit të tij për Ballkanin, Richard Grenell. Partitë e vjetra kosovare dhe përkrahësit e tyre medialë e kanë shfrytëzuar këtë rast për të hapur një front të ri: detektimin, diskualifikimin dhe etiketimin e çdokujt si antiamerikan që shpreh skepticizëm ndaj qasjes së Grenellit në "procesin e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë". Që nga korriku i vitit të kaluar në Kosovë janë rrëzuar dy qeveri. Në rënien e tyre ndikimi i administratës së Trumpit ka qenë vendimtar, ndonëse formalisht kabinetet janë rrëzuar "për arsye vendore" dhe "brenda sistemit kushtetues". Kush e thotë këtë, rrezikon që nga milicia mendore "proamerikane" e Prishtinës të shpallet "antiamerikan" dhe së paku virtualisht të varet në trekëmbëshin e turpit nacional. Se cilat do të jenë pasojat afatgjate të këtyre zhvillimeve për demokracinë e brishtë kosovare, mbetet të shihet, por rrëzimi i qeverive si goditje e topit të bilardos nuk është sinjal pozitiv.

Çfarë do të bëjë kryeministri i tanishëm nëse marrëveshja e synuar (apo tashmë e negociuar) mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë dhe eventualisht e bekuar nga Grenelli do ta bëjë Kosovën shtet edhe më jofunksional? A do të dorëhiqet? Aktualisht kryeministri është duke i dhënë vetes gajret me thënie proverbiale se ai dhe vetëm ai do t'i prijë procesit negociator. Dhe, njëkohësisht, ai është duke e kaluar kohën me klithma se po i riparon "marrëdhëniet e dëmtuara" me "partnerët ndërkombëtarë", të cilat i paskëshin prishur "antiamerikanët". Çfarë do të bëjë nëse, në mungesë të autoritetit publik, kryeministri "proamerikan" do të reduktohet në sekretar të Hashim Thaçit në këtë proces? Ku do të mbesë pastaj rrëfimi për "proamerikanizëm" të LDK-së dhe "antiamerikanizëm" të të tjerëve?

Etiketimi i rivalëve politikë apo i kritikëve publikë si "antiamerikanë" tregon më shumë dembelinë mendore të akuzuesve. Pse është kështu? Për këtë ka shpjegim: sepse politikanët kosovarë në mungesë të strategjisë negociuese e kanë shndërruar fjalën "Amerikë" në gjyle topi për beteja të brendshme politike. Dështimi gati 10-vjeçar në negociatat e mbikëqyrura nga Bashkimi Europian, hapja e temave që dukeshin të mbyllura përgjithmonë, keqqeverisja, mungesa e rezultateve të prekshme në zhvillimin e vendit, arsyetimi i përhershëm se edhe për gropat në rrugë fajtore është Serbia, mbulohen me lehtë me parullën e "proamerikanizmit". Së paku kështu shpresohet.

Nuk është kurrfarë antiamerikanizmi të jesh skeptik ndaj pothuaj çdo politike të zhurmshme të Trumpit dhe ekipit të tij. Thënë më së buti ky është një president i pazakonshëm që dashamirësinë mund ta shndërrojë në armiqësi me një shënim në Twitter. Në një ese të mençur portali zviceran "Republik" shkruan: "Askush nga rrethi i Trumpit nuk e mbijetoi afërsinë e tij pa pësuar dëm. Pa marrë parasysh sa kompetentë ishin ata njerëz: ata humbën pavarësinë e tyre, parimet e tyre, imazhin e tyre apo vendin e punës - jo rrallë të gjitha këto njërën pas tjetrës. Disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë përfunduan në burg. Kush kundërshtoi, u shpotit dhe shporr, e shpeshherë edhe kush nuk kundërshtoi. Shumë u përzunë nga puna me një tweet, gati të gjithë pastaj u poshtëruan - për shembull kur shefi i shtabit të Trumpit i tregoi shtypit se ministri i Jashtëm Tillerson ndodhej në nevojtore kur kuptoi se është hequr nga posti i ministrit".

Disa të tjerë nuk e pritën këtë moment poshtërimi dhe u larguan vetë, si gjenerali dhe shefi i Pentagonit, James Mattis, i cili s'mund ta duronte injorancën e Trumpit. Pas protestave masive në SHBA kundër diskriminimit të zezakëve dhe rolit nxitës të Trumpit, Mattis reagoi ashpër: "Donald Trumpi është presidenti i parë në jetëm time, i cili nuk dëshiron ta bashkojë popullin amerikan - bile as që bëhet sikur dëshiron ta bëjë këtë". Strategjia e tij, tha Mattis, është "përçaj dhe sundo". Shefi i forcave ushtarake amerikane Mark Miley kërkoi falje publikisht për shkak se e kishte shoqëruar Donald Trumpin në një vizitë në një kishë në Washington, ku Trumpi pozoi me Bibël në dorë. Për të shkuar aty rrugën ia kishte hapur policia duke përzënë demonstruesit.

Ndonëse Trump e ka futur nën kontroll të rreptë Partinë Republikane, nganjëherë dëgjohen zëra kritikë. Senatori Mitt Romney publikoi një selfie nga një demonstratë për të drejtat e zezakëve. Senatorja nga Alaska, Lisa Murkowski, tha se pas reagimit të guximshëm të gjeneralit Mattis duhet pasur kurajën për të menduar nëse zgjedhja e Trumpit ka qenë punë e mençur. E vetëkuptueshme tashmë që ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama si dhe ish-ministri i Jashtëm dhe gjenerali i famshëm Colin Powell janë kritikë të Trumpit, Powell madje publikisht tha se do ta votojë Joe Bidenin. Krejt këta antiamerikanë?

Bota është pak më e ndërlikuar, sidomos në kohën e Trumpit. Por edhe para tij nuk ka qenë aq e thjeshtë, siç mendon milicia mendore shqiptare. Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi për mediat amerikane se emërimi i Trumpit do të dëmtonte SHBA-të. Kur më 2018 Shqipëria votoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në favor të një rezolute që i jepte Palestinës më shumë të drejta dhe privilegje në OKB (dhe rrjedhimisht kundër SHBA-ve dhe Izraelit), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehu zemërimin e tij publik kundër këtij gjesti "antiamerikan" të qeverisë së Edi Ramës. Më 2012, kur në Tiranë qeveriste Sali Berisha, Shqipëria abstenoi ndaj një rezolute të OKB-së për njohjen e Palestinës si shtet vëzhgues joanëtar i OKB-së. Rezoluta u miratua nga shumica e vendeve dhe kundër rezistencës së SHBA-ve dhe Izraelit. Hillary Clinton, atëbotë ministre e Jashtme amerikane, e quajti votimin "të pafat dhe joproduktiv".

Në Ankara u zemërua Rexhep Taip Erdoani. Ndihej i tradhtuar nga Berisha, që gjoja i paskësh premtuar se do të votojë për rezolutën në dobi të Palestinës. Më 2018 ndikimi i Erdoanit kishte arritur në atë nivel në Shqipëri, saqë qeveria votoi në OKB për një rezolutë propalestineze që kundërshtohej ashpër nga Amerika. Për të ledhatuar administratën e Trumpit Shqipëria pranoi mijëra "muxhahedinë popullorë" iranianë, për të cilët gjendja në ekzil në Irak ishte bërë e padurueshme. Gjeste të tilla ledhatimi ka bërë edhe Berisha, kur në vitin 2006 pranoi disa uigurë të cilët Amerika i mbante padrejtësisht në kampin Guantanamo. Në vitin 2013 rezistenca civile në Shqipëri ndikoi që të refuzohet një dhuratë e helmuar amerikane: armët kimike të Sirisë. Më parë qeveria e re socialiste kishte dërguar sinjale nënshtrimi ndaj kërkesës amerikane.

Nuk ka pothuaj asgjë lineare në politikën e jashtme të një shteti. Me rëndësi është që kur nuk përputhen interesat, të gjendet rruga dhe gjuha e duhur e komunikimit shtetëror dhe institucional - dhe jo të keqpërdoret karta e "proamerikanizmit" për të luftuar rivalin politik. Askush në Kosovë nuk e vë në pyetje rëndësinë që kanë SHBA-të për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Por po aq e rëndësishme është që të mos i duartrokitet me dembeli mendore çdo nisme të administratës së Trumpit, sepse ky president ka dhënë shumë shembuj të këqij.

Amerika është superfuqi dhe mund të demonstrojë ndikimin e saj në shumë vende. Por pandemia me gati 120 mijë të vdekur në SHBA dhe me 2,1 milionë të infektuar shpalosi paaftësinë e presidentit aktual për të menaxhuar në kohë krize. Ndoshta kjo nuk është aq befasi, sepse fati i 330 milionë njerëzve është, në fund të fundit, në duart e një "ylli" nga seritë televizive dhe "Reality-Show".

Nga 27 qershori pjesë e kësaj telenovele (elektorale) do të jetë edhe Kosova. Më së lehti është që për këtë situatë të mallkohet presidenti aventurier i Kosovës. Por kjo nuk është më aq origjinale. Në të vërtetë në këtë qorrsokak Kosova ka hyrë me fajin e pothuaj krejt klasës politike dhe të një pjese të madhe të popullsisë votuese. Ende është i madh numri i atyre që nuk e kanë problem që votojnë të njëjtit politikanë qe 20 vjet - ndonëse të njëjtit qe 20 vjet përsërisin rrenat e njohura, duke mos u ndalur kurrë së ushtruari zanatin dhe tabiatin primar: vjedhjen e vendit. Vjedhësit vjedhin kur e shohin rastin e volitshëm. Dhe politikanët me instinkt mbijetese si puna e presidentit të Kosovës e kapin shansin kur ky shans u jepet. Dhe këtë shans atij ia kanë dhënë partitë e vjetra dhe një pjesë e shoqërisë.

Muajt në vijim shumë kosovarëve do t'u duken si një moment i gjatë i pritjes së tërheqjes së numrave të lotarisë. Gjasat që Kosova të qëllojë shtatë numra të saktë në "lotarinë negociatore" janë të vogla. E mundësinë që të mos e qëllojë asnjë numër së paku nuk duhet përjashtuar. Para se të fillojë lotaria, e cila ndoshta mund të prodhojë edhe ndonjë mrekulli, që tani për tani gati askush nuk mund ta parashikojë, një shikim drejt 3 nëntorit 2020, është ditë e martë, ditë pazari në Prishtinë dhe ditë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA: sipas një ankete të CNN, të publikuar javën që shkoi, demokrati Joe Biden printe me 55 për qind. Trump mund të krenohej me shifrën e zbehtë prej vetëm 41 për qind. Kjo shifër e shpjegon një shifër tjetër: më 5 qershor Trump theu rekordin në Twitter me 200 tweet dhe retweet. Presidentin e ka kapur sikleti se mund t'i humb zgjedhjet më 3 nëntor. Hashimët e Abdullahët ballkanikë në këtë lotari janë vetëm gogla në tupanin e madh.