Brezat e ardhshëm nuk do të na falin po qe se e humbim mësimin kryesor që na ofroi pandemia: se në krejt këtë jemi të gjithë së bashku. Na duhen strategji të mençura dhe taktika të guximshme për ta jetësuar përnjëmend agjendën multilaterale për të gjithë
Multilateralizmi ka qenë në defensivë viteve të fundit. Në një mjedis global që është më shumë multipolar sesa që është multilateral, konkurrenca midis shteteve duket se këtyre ditëve mbizotëron kundruall bashkëpunimit. Megjithëkëtë, marrëveshja e fundit globale për reformimin e taksave globale për korporatat ndërkombëtare është dëshmi e mirëpritur se multilateralizmi nuk ka vdekur.
Por as nuk është fort i shëndoshë.
Derisa globalizimi ka vazhduar gjatë pandemisë COVID-19 – megjithëse në mënyrë më të pabarabartë sesa më herët dhe me gjithë ndjenjën e izolimit të vazhdueshëm të njerëzve – ndërvarshmëria është edhe më konfliktuoze. Edhe pushteti i butë po shndërrohet në armë, meqë vaksinat, të dhënat dhe standardet teknologjike po kthehen që të gjitha në instrumente të konkurrencës politike.
Bota njashtu po bëhet më pak e lirë. Vetë demokracia është nën sulm, midis një beteje të ngritur të narrativeve rreth asaj se cili sistem politik dhe ekonomik mund t’u shërbejë më së miri qytetarëve të tij.
Bashkimi Evropian vazhdon të besojë dhe të punojë për një botë të parashikueshme të multilateralizmit që bazohet në rregulla, në tregje të lira, në rezultatet pozitive, si dhe në drejtësi dhe solidaritet shoqëror. Vazhdojmë të jemi të bindur se sfidat e së sotmes – nisur nga beteja ndaj pandemisë deri në luftimin e ndryshimeve klimatike – mund të menaxhohen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit global. BE-ja kësisoj do të vazhdojë të prijë në ringjalljen e multilateralizmit të bazuar në rregulla, me qëllim që t’ua tregojë qytetarëve të saj përfitimet konkrete të një koncepti teknokratik, në dukje të thatë.
Mbi të gjitha, alternativa për një angazhim të tillë multilateral – “ecja vetëm” – nënkupton kufizimin e qasjes në vaksina, veprim të pamjaftueshëm klimatik, acarim të krizave të sigurisë, globalizim pa rregullim adekuat dhe pabarazi përherë më të madhe globale. Asnjë vend, as më të mëdhenjtë, nuk mund të korrë sukses i vetëm. Për të gjitha këto arsye, Italia me të drejtë e ka vënë multilateralizmin në krye të agjendës në presidencën e saj aktuale të G20-s.
Por nuk mjafton vetëm që BE-ja thjesht ta vërë theksin te kredencialet e saj multilaterale. Evropa duhet që të demonstrojë se veprimi multilateral mund të sjellë përfitime për të gjithë, po qe se secili vend investon në të. Dhe marrëveshja e re globale për taksa e bën pikërisht këtë.
Kjo marrëveshje, e mbështetur në qershor nga ministrat e financave të G20-s dhe e përkrahur nga 132 vende, do ta përcaktojë një normë minimale globale të taksave për të paktën 15 për qind të korporatave multinacionale dhe do të sigurojë ato të paguajnë taksa në vendet ku i gjenerojnë përfitimet e tyre. Ky është një hap historik drejt globalizimit më të drejt dhe një e arritur madhore e multilateralizmit efektiv.
Viteve të fundit qeveritë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në luftimin e shmangies së taksave nga individët. Sipas OECD-së, shkëmbimi automatik i informatave mbi taksat midis shteteve ka gjeneruar 95 miliardë euro shtesë në të ardhurat nga taksat për vendet e G20-s ndërmjet viteve 2009 dhe 2019, teksa depozitat nëpër parajsat tatimore kanë rënë për 34 për qind. Porse frenimi i shmangies së taksave nga kompanitë shumëkombëshe, një problem ky akoma më i madh, është dëshmuar si më i vështirë.
OECD-ja ka llogaritur se shmangia e taksave nga kompanitë shumëkombëshe ka rezultuar me 100 deri në 240 miliardë dollarë humbjen në të ardhurat globale për çdo vit, apo 4-10 për qind të totalit të taksave për korporatat. Për më tepër, sistemi aktual i taksave për korporatat ndërkombëtare është përpiluar më shumë se një shekull më parë dhe është përherë e më pasinkronizuar me ekonominë e globalizuar dhe të digjitalizuar të së sotmes.
BE-ja është përpjekur kaherë që t’i gjejë një përgjigje globale kësaj sfide. Por ishte angazhimi konstruktiv i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë gjashtë muajve të fundit ai që e mundësoi të arriturën e kohëmëparshme. Ishte ky një sinjal i qartë dhe i mirëpritur i kthimit të Amerikës në përkrahjen e vizionit multilateral për botën.
132 juridiksione që aktualisht e mbështetin marrëveshjen e re të taksave për korporatat përbëjnë 90-përqindëshin e GDP-së globale. Dhe derisa marrëveshja nuk do ta zgjidhë si e vetme çështjen e shmangies së taksave nga kompanitë shumëkombëshe në tërësi, ajo përbën një hap vendimtar të ecjes përpara. E shënon fillimin e fundit të një gare globale për shkallën e taksave vënë korporatave, një garë kjo që ka prodhuar disa fitues shumë të pasur por edhe me miliarda humbës që tani mund të fillojnë që ta rikthejnë besimin te fuqia e rregullave.
Marrëveshja do të shpjerë drejt të ardhurave më të larta dhe më të qëndrueshme qeveritare në një kohë kur të gjitha vendet duhet t’i bartin mbi supet e tyre kostot e betejës kundër pandemisë dhe t’i mobilizojnë investimet e nevojshme për luftimin e krizës klimatike. Dhe do të gjenerojë drejtësi më të madhe në kohën e pabarazive në rritje midis botës së zhvilluar dhe asaj në zhvillim.
Mbi të gjitha, ujdia e fundit për taksa tregon se si veprimi multilateral mund ta ushqejë një formë më të barabartë të globalizimit. Ne tani kemi nevojë për përgjigje po kaq efikase ndërkombëtare në rrafshe të tjera, nisur prej qasjes në vaksina dhe në luftimin e krizës klimatike e deri te siguria e të dhënave dhe standardeve teknologjike.
Brezat e ardhshëm nuk do të na falin po qe se e humbim mësimin kryesor që na ofroi pandemia: se në krejt këtë jemi të gjithë së bashku. Na duhen strategji të mençura dhe taktika të guximshme për ta jetësuar përnjëmend agjendën multilaterale për të gjithë.
(Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, është nënpresident i Komisionit Evropian për një Evropë më të Fortë në Botë. Paolo Gentiloni është komisionar i BE-së për Ekonomi dhe ish-kryeministër (nga viti 2016 deri 2018), si dhe ministër i Jashtëm (2014-2016) i Italisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).