Veç në Kosovë bën vaki që numërimi i nja 900 mijë votash të marrë së paku një muaj. Në Kosovë bën vaki që rastet policore dhe gjyqësore të zgjasin me vite dhe sidomos në Kosovë bën vaki që mashtrimi dhe dallaveret të kenë efekte aq afatgjata sa të na nevojiten dekada për t'u këndellur.
Lëvdatat që i mori KQZ-ja për shpejtësinë me të cilin iu qas numërimit të votave natën e zgjedhjeve, u zbehën që në çastin kur u vonua procesi i rinumërimit të votave të 317 vendvotimeve, si dhe të votave nga diaspora. Tash, situata u komplikua edhe më shumë kur u kuptua se do të numëroheshin edhe mbi 500 vendvotime, për shkak të mospërputhjes së shënimeve.
Kështu, zgjedhjet kësaj radhe mbaruan me rinumërimin më të madh që kemi përjetuar deri tash, si dhe me mospranimin e madje 4639 pakove me votat nga diaspora që kanë arritur pas afatit për shkak të, thuhet, problemeve teknike postare.
Po qe se duhet përmbajtur vendimit të KQZ-së, këto vota vërtet nuk mund të numërohen për shkak të vonesës në ardhje. Porse, nëse në ndonjë palë zgjedhje të shkuara votat e ardhura me postë me vonesë janë numëruar, atëherë këto vota duhen numëruar, edhe nëse kjo do të thotë se rezultatet nuk do të certifikohen para javës së dytë të nëntorit.
Mëkat që procesi i ngadaltë i rinumërimit u ka qitur hije të zezë zgjedhjeve pa incidente. Dhe mëkat që jemi duke humbur shumë kohë kot, duke u dhënë hapësirë institucioneve në detyrë që të vazhdojnë me zhvatjen e mëtutjeshme të buxhetit.
"Brazili i Ballkanit"
Hallakama u krijua të shtunën e shkuar me sëmurjen enigmatike të 26 numëruesve prej të cilëve 9 përfunduan në spital. U tha se simptomat u shfaqën posa u morën në dorë pakot e votave të ardhura nga Serbia. Për pasojë, numërimi i votave u shty, natyrisht duke shkaktuar reagime. Por kjo, megjithatë, disi u amortizua të hënën në mbrëmje, kur thuajse e gjithë Kosova ishte ngujuar para ekraneve për ta shijuar fitoren e re të Kosovës në futboll, në garën për kualifikim në Evropian.
Me një lojë që i ngjante shumë asaj të Barcelonës nga ditët e Guardiolas, futbollistët kosovarë e mundën Malin e Zi me 2:0, ani pse rezultati përfundimtar është dashur të ketë qenë bile katërfish më i madh në favor të kosovarëve. Se a do ta arrijmë kualifikimin ose jo, është në këmbët e vetë futbollistëve, që varen vetëm nga vetja për të shkuar tutje. Idealja do të ishte t'i fitonin të dy ndeshjet e mbetura, me gjithë faktin se luajnë kundër dy skuadrave të para në grup. Se sa është reale, ajo është tjetër muhabet, porse definitivisht, ky ekip në asnjë formë nuk do të dalë të paraqitet inferior para tyre. Fryma ekipore dhe shpirti i kësaj skuadre duken të pamposhtshme.
Mbase edhe do të na ndodhë se në kohën kur Kosova të bëhet me institucionet e reja, që Kosova edhe të kualifikohet në Evropian. Do të ishte fitore e dyfishtë, e paimagjinueshme madje as para një viti.
Sidoqoftë, kur jemi te futbolli, shija e keqe mbetet te biletat që shiten online, dhe që më pas dalin në shitje nëpër portale të dedikuara për shitblerje. Si shumë e shumë adhurues të futbollit, edhe unë kam hequr dorë madje nga përpjekja për ta hapur faqen ku shiten biletat, sepse sa herë që provoja, nuk ia dilja ta blija një. Mbase prokuroria tash do të dijë t'i bjerë në fije se përse dikush mund t'i stërshesë biletat e dikush të mos mund ta blejë asnjë.
Ndërkohë
Përderisa ende flisnim për fitoren e Kosovës, dhe me qëllimin që të mos shfrytëzohet vakuumi institucional për edhe ndonjë lëvizje që do të na lërë me pasoja afatgjate, ndërkombëtarët nisën të ushtrojnë trysni ndaj ministrit të Drejtësisë që të mos i emëronte noterët që dolën nga procesi tepër i kontestuar i para një kohe. Vërejtja kryesore ishte se po qe se këta njerëz, për të cilët u konstatua se kishin afërsi familjare dhe tjetër kryesisht me politikanët e PDK-së, do të emëroheshin, atëherë aktet noteriale nuk do të njiheshin jashtë vendit.
I pari që reagoi pas kësaj trysnie qe Veseli, duke thënë se emërimi nuk do të ndodhte, megjithëqë ministri i tij në dorëheqje, Tahiri, kishte thënë se procesi kishte shkuar mirë dhe që s'kishte arsye të mos shkohej tutje me emërimet. Sido që të jetë, edhe po të ndodhte emërimi i tyre, shtrohet pyetja nëse ky vendim do të kishte fuqi juridike, duke e pasur parasysh se ky ministër është pjesë e një qeverie të dorëhequr që supozohet se më nuk ka kompetenca për të marrë vendime. Më e mira do të ishte që ky proces të anulohej dhe që të mbahej sërish, në kushte më normale dhe pa dyshime.
Në të njëjtën kohë, në veri u zhvillua një operacion i madh policor që kaloi pa incidente dhe përfundoi me arrestimin e një zyrtari policor, që pos që është i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, gjithashtu akuzohet për pengimin e zbatimit të ligjit dhe për anëtarësi në një grup të organizuar kriminal. Një tjetër polic që kishte qenë synim i këtij aksioni iku, duke ngritur dyshime se dikush prej brenda Policisë ka mundur ta ketë rrjedhur informatën. Dyshime që tregojnë se shumëçka në Polici nuk shkon ashtu siç do të duhej dhe se vetingu i aq shumë përfolur, është më se i domosdoshëm, nëse duam të besojmë se krimi dhe korrupsioni në Kosovë vërtet do të luftohen.
Aksioni, pra, kaloi pa telashe dhe pa incidente. Ndodhi mu në kohën kur po numëroheshin votat, mbase edhe për ta shmangur vëmendjen nga procesi zgjedhor, porse nuk ia doli, ngase shumica i kanë të kthyer sytë nga rezultatet përfundimtare dhe struktura e ardhshme e Kuvendit që do të dalë nga kjo. Mbase u ndërmor edhe për të treguar se bile diçka po bëhet në drejtim të zbardhjes së vrasjes së Ivanoviqit, përderisa i dyshuari kryesor, Radojçiq, gjendet në arrati. Njeri i njohur si bos i krimit, e njëkohësisht edhe nënkryetar i subjektit politik serb që me gjasë do të bëhet me të 10 vendet e rezervuara për serbët në Kuvend. Ata të cilët, fatmirësisht, kësaj radhe nuk do të kenë hise në qeveri si partner koalicioni.
Spastrimi i nevojshëm
Tashmë u përmend nevoja për spastrimin e radhëve të Policisë nga elemente të lidhura për krimin. Po e njëjta vlen edhe për gjyqësinë e ngathtë.
Më 5 nëntor do të bëhen tre vjet nga vdekja e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, dhe rasti ende nuk ka gjetur zgjidhje. Pas një presioni të madh të opinionit publik dhe ndërrimit të dy ministrave të Drejtësisë, shtetit të Kosovës i ka ardhur më në fund dokumenti, ekspertiza, e realizuar nga një institut i pavarur zviceran për rastin në fjalë.
Avokati i angazhuar nga familja ishte i pari, i cili doli publikisht për të kërkuar shpalosjen e këtij raporti, për të cilin thoshte, dhe e mbështeste mbi një korrespondencë elektronike, se kishte mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë ka më shumë se dhjetë ditë.
Ministria tha se nuk kishte dokument të tillë, e po të njëjtën gjë e thoshte edhe Prokuroria e Shtetit, e cila deklarohej se nuk kishte marrë asgjë nga Ministria.
Dhe dy ditë më vonë doli prokurori në Prizren për të thënë se zarfi posa u kishte mbërritur nëpërmjet Ambasadës zvicerane dhe se ai do të shpalosej vetëm pasi të jetë përkthyer në gjuhën shqipe. Sipas rregullave procedurale, Prokuroria nuk mund t'i bëjë publike dokumentet në gjuhë të huaj pa u përkthyer në ndonjërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës, pra për pasojë, as familjes nuk do t'ia dorëzonte.
Megjithatë, rasti Dehari është tepër specifik dhe është karakterizuar me shumë, shumë paqartësi; me deklarata shumë kundërthënëse, me dy autopsi dhe më në fund, me mungesë të një njoftimi zyrtar nga institucionet përkatëse familjes, se i biri i tyre ka vdekur në burg.
Ta mbash një dokument të shkruar në një gjuhë të huaj e mos t'ia dorëzosh familjes e besoj është veç një zgjatje agonie për ta. Posaçërisht nëse teksti është i shkruar në ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Zvicër, që u janë të njohura familjarëve, duke e pasur parasysh se kanë jetuar atje një kohë të gjatë. Dhe fundja, familja e para ka të drejtë të dijë për përmbajtjen e dokumentit, për të cilin është dashur të informohej zyrtarisht, e jo siç tha babai i Astritit, nëpërmjet mediave.
Dokumenti mbase do ta spastrojë dilemën të lidhur për rrethanat e vdekjes së Deharit në burg. Vdekja e dhunshme, siç u përkufizua, po qe se del se është vrasje, do të krijojë një situatë të re: gjetjen e kryerësit dhe të motivit. Vlerësimi se nuk është vrasje, mbase edhe do ta mbyllë këtë kapitull tejet të dhimbshëm për familjen. Porse nuk do ta mbyllë atë të përgjegjësisë së shtetit - ngase vdekja e tij ndodhi në institucionin i cili është nën përkujdesjen e shtetit.
* * *
Të gjitha situatat e përshkruara, pos futbollit natyrisht, e kanë një gjë të përbashkët: na i kanë zgjatur veshët aq, sa më jemi duke e humbur durimin.
Numërimi i votave u shndërrua në telenovelë dhe me gjasë në përpjekjen e fundit të NISMËS, me ndihmën e ca të tjerëve, që ta kalojë pragun e të bëhet parti parlamentare me nja gjashtë deputetë. Po qe se e kalon pragun, megjithatë do të varet nga përqindja përfundimtare e votave që do t'i marrin VV-ja dhe LDK-ja për të ditur se a do të kenë nevojë për më shumë vota për ta siguruar shumicën shqiptare në Kuvend.
Saga e noterëve po zgjat që nga gushti kur u zbuluan emrat e atyre që i kishin kaluar provimet me dhe pa konflikt interesi; kurse ndjekja e pistave për zbulimin e vrasësit apo vrasësve të Oliver Ivanoviqit është duke zgjatur ka mbi një vit e gjysmë tashmë, edhe pse jo rrallë u tha apo u dha të nënkuptohet se dihej se kush e kishte vrarë.
E gjendja në sistemin e drejtësisë është një gjë që do të ketë nevojë për reformë të thellë për shkak se puna e tij thuajse nuk përfundon kurrë. Qe sa vjet përcjellim gjykime e aktakuza dhe ende, pas gjithë kësaj vjedhjeje dhe anomalive që na ndodhin, nuk kemi aktgjykime të prera që dikë do ta fusin në burg për shkelje të rëndë të ligjit.
Mirë do të ishte që ky numërim votash të përfundonte sa më shpejt. Mbase më në fund do të nisim të besojmë se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë, përderisa secila vonesë po na kushton shumë, si me para ashtu edhe me shëndet.