Sa i përket krizës ekonomike - që nga viti i keq i pandemisë, secilin vit vijues kam thënë: vit më të keq nuk ka pasur. E kisha pasur gabim. Paska edhe më keq. E më keq se viti i pandemisë janë këta pesë muajt e këtij viti që nisën me fushatën zgjedhore që duket se ende nuk ka përfunduar
17-i i kolumnës së shkuar u bë 20, dhe nesër do të bëhen 21 vazhdime të prishjes së nervave të qytetarëve më apatikë që mund t’i gjejë dikush në rajon e Evropë.
Një grusht partish politike dhe 120 deputetë që nuk mblidhen asnjëherë që të gjithë, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, luajnë hajgare me 1.6 milionë banorë, kinse nuk munden ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Dhe, kinse për arsye parimore.
Moszgjedhja e kryetares/kryetarit të Kuvendit për shkak se Vetëvendosje e vazhdon lojën e të marrit, duke insistuar në votimin e fshehtë me gjithë shkeljen e vetëdijshme të Rregullores së Punës së Kuvendit, duke mos lëshuar pe deri në ditën kur Osmani duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve lokale dhe për kryetarë komunash është, më së paku thënë, një ofendim për të gjithë ata që në shkurt morën mundin për të dalë e për të votuar.
Po del se më të mençurit qenë ata që i injoruan zgjedhjet, thuajse e kanë ditur se si votove, si nuk votove, nuk do të ketë politikan që tregon përgjegjshmëri që duhet treguar për t’i arsyetuar votat e mbledhura. Të cilat do të duhet të shërbenin për t’i krijuar institucionet që supozohet janë baza e demokracisë së një shteti.
* * *
Gjatë javës, tre zyrtarë të lartë të qeverisë në largim, u paraqitën në televizion për t’i shpjeguar arsyet e ngërçit. Kurti doli në RTK pas nja gjashtë muajsh heshtjeje dhe shmangie të intervistave, dhe pas një fushate skandaloze në të cilën nuk u mor me asgjë substanciale që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, por u mor me kundërshtarët e tij politikë.
Në esencë nuk tha asgjë thelbësore. Një intervistë e vakët, na la aty ku ishim: në vendnumëro.
Më pas, u paraqitën Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla. Rezultati: akuza se Kuvendi nuk konstituohet për shkak se opozita nuk e voton Haxhiun, përderisa e drejta për nominimin e kandidates i takon VV-së. Dhe, sikurse e tha edhe Kurti, VV-ja i paska votat për Qeveri (po ja që nuk i paska për kryeparlamentaren), dhe se opozita duhet sfiduar që ta votojë Haxhiun, e më pas të shihet nëse kalon Qeveria Kurti III me 61 vota (siç thonë se tashmë janë siguruar).
Po mirë bre, askush nuk po e konteston të drejtën e VV-së për ta propozuar kryeparlamentarin/en, ama bre propozimi nuk do të thotë me automatizëm edhe votimi i atij personi. Dhe fakti se ai person që gati dy muaj nuk kalon për kryetare, po tregon diçka. Ashtu siç po tregon diçka edhe gatishmëria e PDK-së që ta votojë një kandidat/e tjetër apo edhe e AAK-së që del me emra konkretë. LDK-ja thotë se nuk e voton – mirë boll. Bën edhe pa LDK-në.
Tashmë e përsëritur disa herë – zgjedhjet do të mund të mbaheshin bashkë me ato lokalet, e do të mund të mbaheshin edhe pranverën e radhës kur i vjen radha zgjedhjes së kryetarit/es të shtetit. Edhe nëse në teorinë shumë të largët mund të formohet qeveria e re me 61 vota, zor se do të ketë mundësi të zgjedhja e kryetarit/es të ndodhë, sepse pa marrëveshje eventuale mes partish, do të jetë shumë zor të sigurohet shumica e kualifikuar me 80 deputetë në sallë për ta kryer votimin sipas procedurës së caktuar në Kushtetutë.
* * *
Ndërkohë, çmimet e artikujve bazë janë rritur që në çastin kur u rrit edhe çmimi i rrymës elektrike. Por asgjë nuk do të jetë kjo rritje kur të hyjë në fuqi liberalizimi i tregut të rrymës dhe detyrimi i firmave me qarkullim mbi 10 milionë euro apo që kanë mbi 50 punëtorë ta blejnë rrymën në tregun e lirë.
Deri tash, janë 19 kompani të licencuara për të ofruar rrymë, por vetëm njëra po e ofron me çmim 200% më të lartë sesa është paguar deri tash.
Se sa absurd është ky vendim e dëshmon fakti se, për shembull, të gjitha kompanitë me 50 punëtorë nuk shpenzojnë rrymë njësoj, për shkak se shpenzimi varet nga pajisjet që i kanë përdorim si dhe nga prodhimi i tyre. Pra, shpenzimi i rrymës i ta zëmë, i një mediumi nuk mund t’i afrohet shpenzimit të një fabrike të dyerve e dritareve. Por ZRRE-së aq ia bën. Njësoj si ekzekutivit në largim.
Por, përderisa ky është problem i madh, një tjetër do të jetë me efekte të tmerrshme në treg. Shembull: “rryma e liberalizuar” në një mulli do ta ngrejë çmimin e miellit me shumicë, që me automatizëm do ta ngrejë çmimin edhe të miellit me pakicë. E kjo, më pas, do ta ngrejë çmimin e bukës dhe produkteve të miellit.
I njëjti shabllon vlen edhe për industrinë përpunuese dhe për atë të ambalazhimit. Ai pak prodhim te ne gjithashtu do të shtrenjtohet dhe do të bëhet joatraktiv për atë pak eksport që e kemi.
Rezultati? Më pak para, më pak vende të punës. Dhe, rrezik i mbylljes së kompanive që janë ngufatur në një treg jofunksional dhe të varfër.
Dhe jo, ndihma për t’i vendosur ca panele solare nuk do të jetë zgjidhja në këtë çast krize politike, por edhe ekonomike. Si për sherr, kjo pranverë ka pasur më shumë shi sesa diell – kushedi se çfarë vere do të kemi.
E sa i përket krizës ekonomike – që nga viti i keq i pandemisë, secilin vit vijues kam thënë: vit më të keq nuk ka pasur. E kisha pasur gabim. Paska edhe më keq. E më keq se viti i pandemisë janë këta pesë muajt e këtij viti që nisën me fushatën zgjedhore që duket se ende nuk ka përfunduar.
* * *
Dhe derisa jemi në fazën e talljes me popullin, Kosovën për herë të parë, që nga emërimi, e vizitoi Kaja Kallas, shefja e diplomacisë evropiane.
Në agjendën e përgatitur për të, ishin paraparë takimet e saj me kryetarët/kryetaret e partive politike, me shmangie shumë të qartë të titujve të posteve, me të cilën çohej porosia se Kosova, pos kryetares, nuk ka institucion tjetër funksional (e në fakt e ka një gjysmak, qeverinë, dhe një jofunksional, Kuvendin).
Kallas erdhi e tha se BE-ja ka nisur heqjen graduale të sanksioneve, që dolën të ishin dy minore dhe, dhe nuk kuptuam se cilat do të ishin të radhës dhe sa kohë do të duhej që të hiqeshin.
BE-së iu deshën disa orë për t’na i futur sanksionet të cilat janë në fuqi qe dy vjet. Ishin shumë të padrejta, gjë që u vërtetua edhe me Banjskën. E me gjithë sulmin terrorist me përfshirje nga Serbia, sanksionet ende i bartim ne.
Nëse ka një gjë që Qeveria e shkuar ka bërë shumë mirë, e që pakkush do të mund t’ia kontestonte, është menaxhimi i gjendjes në veri. Madje edhe vazhdimi i aktiviteteve për mbylljen e institucioneve paralele është për t’u përshëndetur e përkrahur. Vërejtjet që vijnë nga Evropa, me vërejtjen e pabesueshme “për veprime të njëanshme”, nuk mbështeten në situatën në terren, por në kalkulime politike.
* * *
Nuk e di se nëpër cilat rrugë të Prishtinës do të ketë qarkulluar Kallas, por e dyshoj të ketë mundur të shmangte ndonjë kut ku bërlloku është bërë instalacion artistik i Prishtinës së përjetimeve të Përparim Ramës.
Pra, vetëm disa muaj para se t’i përfundojë mandati, Prishtinës i ndodh pamja e cila ka mundur të shihej vetëm menjëherë pas luftës, atëherë kur nuk ka pasur shërbime publike – kur s’ka pasur kamionë se i kishin vjedhur, e nuk ka pasur as punëtorë, se kishin ikur.
Mbi çerek shekulli pas luftës, Prishtina është bërë një deponi e madhe bërlloku që në shumë vende të qytetit nuk është mbledhur mbi një javë.
Fati i vetëm është se moti nuk ka qenë i nxehtë. Sepse në të kundërtën nuk ishte duruar as era, krahas insekteve dhe brejtësve që tashmë i kanë okupuar rrugët e Prishtinës.
Dhe, në mes të emergjencës më të madhe që ka pasur qyteti në këta katër vjet, Rama e gjen veten në New York.
Sipas një postimi të mikut Imer Mushkolaj në FB, u gjet atje për të marrë pjesë në meshën falënderuese për nder të diplomatit amerikan Frank Wisner. Sinqerisht e dyshoj shumë që kjo meshë ka ndonjë lidhje me qytetin e Prishtinës dhe me votuesit këtu. Por e tregon papërgjegjësinë e njeriut që e udhëheq komunën – është mjaftuar javën e shkuar për ta shkruar një status e për të thënë se dikush po e shantazhon me punën e bërllokut.
E qytetarëve, sinqerisht, aq na bën a po e shantazhon kush a jo. Po na bën për pisllëkun që e ka kapluar qytetin.
Që mbase është edhe pamja më e fuqishme që më së miri e përshkruan mjerimin në të cilin jetojmë.
Mjerim që nuk është vetëm material.