Besoj që shumica e lexuesve të ditarit tim janë edhe shfrytëzues të Facebookut. E keni të njohur rubrikën “Memories”, ku Facebooku na shpalos ndonjë ngjarje nga ajo datë, por e viteve të mëparshme. Atë e bëri sot për mua Facebooku, gjithashtu, dhe më bëri që të bija në mendime nga një ngjarje, e cila më kishte ndodhur në fundmajin e vitit 2009. Do ta ndaj me ditarin tim
Pas një jave të lodhshme në punë, asokohe punoja në Raiffeisen Bank, unë po bëja planifikimet e mia se si do ta kaloja dhe çfarë do të bëja për vikend. Vendosa se do të shkoja në Bjeshkët e Rugovës, ku do ta kaloja gjithë ditën duke u ngjitur maleve dhe shpresoja, gjithashtu, se do të mund ta bëja ndonjë fotografi të bukur me aparatin tim. Ditën e shtunë, më 30 maj 2009, unë u zgjova në 3 të mëngjesit nga gjumi, mora gjërat të cilat i kisha përgatitur paraprakisht dhe u nisa për Rugovë. Nuk e dija saktësisht se ku do të shkoja, do të vendosja kur do të arrija atje.
Shpresoja që të arrija dhe që të kisha mundësinë të bëja foto të lindjes së diellit. Diku nga ora 6:00 e mëngjesit unë arrita në fshatin Bogë. Aty e parkova veturën. Kishte filluar që të zdritej, por për shkak të bjeshkëve do të duhej kohë derisa dielli të dilte në sipërfaqe, mirëpo ideja ime e fotografimit të lindjes së diellit ra në ujë, sepse do të duhej të isha në ndonjërën prej pikëve më të larta për ta realizuar ashtu si unë e mendoja. Sidoqoftë, ajo nuk më dekurajoi. Mora pajisjet e mia, e regjistrova lokacionin ku e kisha parkuar veturën në GPS-in tim në mënyrë që të dija ta gjeja rrugën time kur të kthehesha prapa. Në mal njeriu shumë lehtë mund të dezorientohet, sidomos nëse ai mal është i mbuluar me vegjetacion. Unë fillova ngjitjen time aty mbrapa disa vilave të fundit, të cilat gjendeshin aty. Isha i ngarkuar me pajisjet e mia fotografike, tripodin, isha i veshur në të zeza, flokët e lidhur mbrapa dhe të cilat po qëndronin të lagura të shumtën e kohës nga djersët e mia. E soditja atë bukuri të natyrës, ndalesha shumë shpesh edhe të merrja veten, por edhe shkrepja foto nga këndet e ndryshme.
Pas disa orësh ngjitjeje, ashtu për qejfi, asgjë për nguti, e gjeta veten në majë të një kodre. Më tutje ishin ca nga ato vilat e drunjta dhe disi e kisha një pamje të bukur, ku edhe retë e bardha në qiellin e kaltër më krijonin kompozicionin e përkryer të një fotografie në kokën time. Por përpara asaj vile ishin hunjtë e drurit dhe ajo ishte e rrethuar me tela. Nuk i dëshiroja ata tela si pjesë të fotografisë sime, andaj vendosa që t’i kapërceja ata dhe të hyja përbrenda asaj toke private për ta realizuar fotografinë. Ashtu edhe veprova. Pasi e kalova atë gardh vendosa aparatin tim në tripod dhe po e prisja lëvizjen e disa reve në mënyrë që të bëheshin pjesë e kompozicionit.
Diku në distancë dëgjoja ato kambanat të cilat ua vendosin bagëtisë. Ajo zhurma e tyre sa vinte duke u afruar. Unë po vazhdoja të bëja fotot nga këndet e ndryshme. Isha i humbur në fotografimin e asaj pamjeje para meje, e cila çdo minutë vetëm sa bëhej edhe më e bukur. Zhurma e kambanave të bagëtisë tashmë kishte arritur fare pranë meje aty. Pasi që e ktheva kokën pas e pashë se aty ishte edhe “bariu”, i cili po më vështronte, por nuk thoshte asgjë. Unë fillova të ecja në drejtim të gardhit, i cili po na ndante. Me t’u afruar po e përshëndes dhe i kërkova falje që ashtu pa leje të askujt kisha hyrë në pronë private. “Jo, tha, burrë nuk osht ajo kurgjo, po unë mendova që je i huji a i KFOR-it a, të pashë me këto pajisjet tua e teshat e s’ma mori mendja që je shqiptar hiç”. Buzëqesha, ia zgjata dorën edhe iu prezantova, jam Asdreni. Edhe ai m’u prezantua. I ofrova cigare, por ai nuk e pinte. Më pyeti se prej nga isha. I tregova dhe kështu filloi biseda jonë spontane. “Bariu” më tregoi se ishte student i diplomuar i elektros shumë vjet më parë, mirëpo të punësohej ishte e vështirë pasi që duheshin njohjet dhe lidhjet politike. E pyeta se a do të ishte në rregull që ta fotografoja me delet e tij, për disa prej të cilave ai më tregoi se i quanin ogiqa dhe brinjët e tyre ishin ndryshe nga të tjerat, ishin të kthyera mbrapa. Ai nuk hezitoi që të ma plotësonte dëshirën. Pas fotografimit ai m’u falënderua dhe tha sot është një ditë e mërzitshme për mua, sepse është përvjetori i vdekjes së vëllait, por ja koha që e kalova me ty më ndihmoi ta kaloja sadopak mërzinë. I shpreha ngushëllimet e mia. E pyeta se çka kishte qenë shkaktari i vdekjes së vëllait të tij. Më tha se kishte qenë një aksident, të cilin e kishte pësuar në Amerikë. Në atë çast ashtu si shkëndija në kujtesën time m’u shfaq parasysh një artikull të cilin e kisha lexuar në gazetë, dhe e kisha mbajtur ndërmend. I thashë, më fal, a jemi duke folur për personin, i cili vdiq në New York me ç’rast vinçi u shemb përmbi të. Ai ashtu shumë i habitur dhe me sy të mbushur me lot ma konfirmoi se po. E përqafova ashtu përmallueshëm, ndjeva për të. E pyeta se a i kishin prindërit gjallë. Tha, po që të dy prindërit janë gjallë dhe janë te stanet e familjes. E pyeta se ku janë ato stane, më tha 2-3 km prej këtu ku gjendemi.
Unë shpreha dëshirën që të shkoja t'ia takoja prindërit, dhe me një vit vonesë të shkoja t’u shprehja ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të jetës së fëmijës së tyre.”Bariut” i erdhi shumë mirë, edhe disi nga ajo padjallëzia e tij thuajse nuk i besohej se unë do ta bëja një gjë të tillë. Rrugës deri tek stanet e familjes së tyre ne patëm mundësi që të flisnim për tema të ndryshme. Me t’u afruar staneve, aty vërejta shumë fëmijë të cilët sa çel e mbyll sytë na rrethuan. Fytyra të bukura, të shëndosha, faqe të kuqe, të afërt e të dashur. Më shikonin ashtu me interesim, pajisjet e mia, veshja, aparati i madh i bënte kureshtarë. Kërkova nga ta që të bëheshin rresht që t’i fotografoja. “Bariu” më tha se nusja e tij do t’i milte delet tani dhe se po që se do të dëshiroja të bëja foto të ndihesha sikur në shtëpinë time. Stanet po i shihja pak më tutje. Pasi që përfunduam me ca fotografi, aty hymë në stan. U ngjitëm shkallëve të drurit në dhomën lart, e cila ishte aq e freskët, mirëpo paksa e errët dhe sytë ende nuk më ishin adaptuar pasi që po vinim nga jashtë, ku po përcëllonte dielli. “Bariu” më prezantoi tek prindërit e vet, dhe u tregoi se si ishim takuar dhe për dëshirën time që t'ia takoja prindërit për t’ua shprehur atyre ngushëllimet e mia në përvjetorin e djalit të tyre. Nënës plakë iu mbushën sytë me lot, m’u afrua dhe më përqafoi, “tha djali jem ty Zoti të paska dërgu sot këtu te na me na nda e me na hjekë mërzi me neve. Në stane nuk vjen njeri me na pa”. Edhe babait plak po i shkëlqenin sytë nga lotët. Ajo fytyra ikonike e një burri plak rugovas. Fytyra e përvuajtur, mustaqet e mëdha, sy të mëdhenj e të sinqertë. “Burrë kjo asht si me konë shpija jote tash, këtu ke me ndejtë si në shpinë tonde”, ishin fjalët e tij derisa po më përqafonte. Shkrepa një foto të tyre së bashku përderisa po e mbanin foton e birit të tyre pranë vetes. Ishte e vështirë të përmbaheshe nga lotët kur e shihje atë dhimbje në fytyrën e tyre…
Njerëz të huaj deri para pak çastesh, mirëpo tani po të bënin të ndiheshe si në shtëpinë tënde, si me familjarë tuaj. Aty do ta haja drekën, të cilën unë kurrë në jetë s’do ta harroj, edhe pse nuk shquhem për ndonjë gurman. Domate, tranguj, qepë të reja, speca, djathë, mazë, pogaçe e shtëpisë, kos. Shqisat e mia ishin të bombarduara nga shijet e këtyre produkteve organike dhe aty nga vendi i ngjarjes. Ja edhe tani i shijoj derisa i përshkruaj. Babai plak më tha se isha i mirëseardhur në stanet e tyre, dhe se herëve të tjera duhesha ta merrja edhe djalin me vete pasi që ai aty do të kënaqej në natyrë me fëmijët e tjerë. Tani tha ti je anëtar i familjes sonë. E ku tjetër në botë mund të hasësh në një mikpritje të tillë dhe bujari të tillë përveçse ndër shqiptarët.
E keni vërejtur se kjo javë e ditarit tim nuk e përmend emrin e asnjë politikani kosovar, sepse nuk dëshiroj ta ndot kujtimin sublim me familjen Kurtaj, në fshatin Stankaj të Rugovës, me emra politikanësh. Djali i tyre, Ramadan Kurtaj, sot e ka 11-vjetorin e vdekjes së tij. Ai nuk e kurseu jetën e vet për të shpëtuar jetën e tjetër kujt, kur vinçi fatal ra mbi të.
Ramadan unë nuk të kam njohur personalisht, por t’i njoha prindërit, disa nga vëllezërit e tu, nipat, mbesat. Jeni ajo familja më e shëndoshë shqiptare, çfarë kemi të shumta në Kosovë. U prehsh në paqe në tokën e Rugovës!
Familjes sime Kurtaj ju dëshiroj jetë të gjatë dhe që Ramadanin ta kujtojnë për jetë e mot!
© KOHA Ditore