Çka tha kancelari gjerman Helmut Schmidt në vitin 1982 në ditën kur në parlament u rrëzua qeveria e tij? Një leksion mbi moralin, nderin dhe pastërtinë në politikë, por edhe mungesën e tyre
Më 1 tetor 1982 parlamenti gjerman, përmes një mocioni konstruktiv të mosbesimit, e rrëzoi kabinetin e kancelarit socialdemokrat, Helmut Schmidt. Kjo u bë e mundur pasi liberalët (FDP) e braktisën qeverinë e kryesuar nga Schmidt dhe iu bashkuan konservatorëve të CDU-së që ishin në opozitë. Shumica e re e zgjodhi Helmut Kohlin kancelar. Para se Kohl të zgjidhej kancelar, CDU kishte kërkuar zgjedhje parlamentare. Kur Kohl u zgjodh kancelar pa zgjedhje parlamentare dhe falë votave të liberalëve (FDP), koalicioni i ri nuk i përmendi më zgjedhjet parlamentare.
Në fjalimin e tij të mbajtur më 1 tetor 1982 në parlamentin gjerman, kancelari Helmut Schmidt, pak para se shumica e re parlamentare ta rrëzonte nga pushteti, foli mbi moralin në politikë dhe mungesën e moralit, mbi rëndësinë e kredibilitetit dhe mbi legalitetin e zgjedhjes së qeverisë. Ky fjalim historik është jashtëzakonisht interesant edhe për publikun shqiptar, sidomos në dritën e zhvillimeve politike në Kosovë muajve të fundit.
Në vijim, disa pjesë të fjalimit të Helmut Schmidtit me sqarime përkatëse: “Zoti kryetar i parlamentit! Zonja dhe zotërinj! Koalicioni social-liberal, kancelari i zgjedhur i të cilit pritet të rrëzohet sot përmes mocionit të mosbesimit, në vitin 1980 është mandatuar bindshëm nga zgjedhëset dhe zgjedhësit dhe është ngarkuar të qeverisë edhe për katër vjet. Shumica e zgjedhësve nuk ka dashur ta caktojë në postin e kancelarit federal as zotin dr. Kohl më 1976, as zotin Strauss më 1980”.
Në fund të verës së vitit 1982, liberalët (FDP) filluan të distancohen nga qeveria me në krye Helmut Schmidtin, ndonëse në zgjedhjet e vitit 1980, FDP kishte korrur sukses falë premtimit se do të qeverisë vetëm me Helmut Schmidtin për katër vjet. FDP thoshte se nuk duhet lënë zgjedhësit në paqartësi. Sjellja jobesnike e FDP-së ndaj partnerit të koalicionit në Bonn, pra ndaj socialdemokratëve, u ndëshkua nga zgjedhësit në landin e Hessenit. Atje FDP shënoi rezultat katastrofal, andaj qëllimi i kësaj partie ishte që me çdo kusht të shmangen zgjedhjet në nivel federal të Gjermanisë dhe të lidhet një koalicion me CDU-në e Kohlit.
Schmidt e quante këtë sjellje të dëmshme për demokracinë. Ai tha në parlament: “Më shumë se tri të katërtat e qytetareve dhe qytetarëve shprehen për zgjedhje të reja parlamentare. Ata konsiderojnë se kjo mënyrë e ndërrimit të qeverisë, që sot synohet nga ju përmes një votimi sekret, është shkelje e besimit. Ata (qytetarët) janë të zemëruar që deklaratat e mëparshme janë të shtyrë t’i quajnë mashtrime. Qytetarët e dinë se Kushtetuta juve jua mundëson këtë sjellje. Veprimi juaj në të vërtetë është legal, por nuk ka arsyetim të brendshëm dhe moral”. Schmidt kritikonte CDU-në dhe FDP-në se pasi shënuan humbje në landin e Hessenit, befas i tërhoqën kërkesat për zgjedhje parlamentare në nivel mbarëgjerman.
Pastaj Schmidt i drejtohej shumicës së re që synonte ta rrëzonte: “Ky ndërrim qeverie që po e synoni ju, prek kredibilitetin e institucioneve tona demokratike. Por, edhe vlera të tjera mund të vihen në lojë. (...) Kredibiliteti i institucioneve dhe personave që veprojnë janë parakushte të pashmangshme për vitalitetin e një shoqërie demokratike dhe të një shteti demokratik. Nëse qytetarët nuk mund të besojnë në qëllimet e ndershme të personave që veprojnë në krye të shtetit, atëherë për qytetarët do të jetë shumë vështirë të besojnë fare në demokraci. Sa më të mëdha hendeqet e kredibilitetit, aq më i vogël kapaciteti për veprim i parlamentit dhe qeverisë. Anasjelltas, po ashtu vlen kjo: sa më i qartë që është legjitimiteti moral i një qeverie, aq më e madhe aftësia e saj që t’i bashkojë qytetarët dhe t’i bëjë për vete për vendimet e qeverisë edhe në situata kritike. Dhe unë po shtoj këtu: brenda fjalës kredibilietit gjendet fjala me peshë të rëndë që quhet ‘dinjitet’. Demokracisë sonë i duhet dinjiteti. Për një pjesë të madhe të gjeneratës së re aktualisht është rrezikuar shumë kredibiliteti i institucioneve të rëndësishme. (...) Pa idealizmin e qytetarëve nuk ka shtet moral; pa arsye vlerësuese, idealizmi i verbër mund të çojë në romantikë politike dhe kësisoj në rrezik. Pjesë e besueshmërisë së demokracisë është ndërrimi i qeverive. Për këtë arsye, nuk ankohem që qeveria federale social-liberale duhet të dorëzojë përgjegjësinë e saj. Por, për çka ankohem është mungesa e besueshmërisë së këtij ndërrimi dhe ky lloj i ndërrimit të qeverisë. Stili, ngutësia dhe aktivizmi, shpejtësia me të cilën u hodhën në letër bazat e pamjaftueshme të një qeverie të re dëshmojnë nënçmimin e zgjedhësve”.
Në vijim të fjalimit të tij, Helmut Schmidt iu përkushtua aleancës gjermano-amerikane. Ai tha se: “Ne gjermanët i kemi fituar liritë tona individuale si trashëgimi intelektuale nga revolucioni i madh amerikan. Jemi të lidhur mes vete përmes vlerave themelore – pa marrë parasysh sa shumë dallojmë nga njëri-tjetri. Në një miqësi të tillë kritika e ndërsjellë është e domosdoshme dhe ndihmuese. Kush e ndrydh kritikën ndaj miqve, nuk mund të jetë mik i mirë në aspektin afatgjatë. Kush nuk i përfaqëson interesat e veta edhe kundrejt miqve, ai mund të humbë respektin dhe miqësinë”.
Në fund të fjalimit të tij historik, Schmidt kishte këtë porosi: “Një shoqërie njerëzore i duhet liberaliteti i brendshëm. Mbi cilësinë e demokracisë sonë vendos pikësëpari respekti për lirinë dhe dinjitetin e tjetrit, domethënë vendos pikësëpari masa e liberalitetit të brendshëm që ne e ushtrojmë dhe e ruajmë. Pa lirinë e jetuar nuk ka kulturë politike”.
Natyrisht, asnjë zhvillim politik nuk mund të krahasohet me një tjetër, aq më pak konteksti gjerman me atë kosovar. Megjithatë, nga fjalimi i kancelarit të madh gjerman mund të nxirren disa përfundime mbi ndodhitë politike në Kosovë. Një qeveri që zgjidhet duke krijuar aleanca të reja në parlament dhe duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve, ka probleme me moral dhe arsyetim të brendshëm, ndonëse jo në kuptimin legal (në Kosovë legaliteti i kësaj qeverie buron nga një vendim i diskutueshëm i Gjykatës Kushtetuese).
Nëse një parti ka marrë vota duke premtuar qeverisje me një kandidat (apo kandidate) të caktuar dhe pas zgjedhjeve votat e fituara i shfrytëzon për të krijuar aleanca të reja dhe për të shmangur kandidatin (apo kandidaten) me të cilën ka marrë vota dhe duke lansuar kandidat tjetër për kryeministër, atëherë një qeveri e tillë ka legjitimitet të cunguar. Mesazhi që u dërgohet qytetarëve pas makinacioneve të tilla është se zgjedhjet, në fund të fundit, nuk luajnë rol. Në fund fiton aleanca e intrigantëve dhe zgjedhjet janë vetëm formalitet demokratik pa obligim për të jetësuar zërin përfaqësues të qytetarëve.