OpEd

Loja me letra

Na ka mbetur të shpresojmë se Kuinti do të ketë unitet dhe do të dijë t'i këshillojë politikanët se e vetmja gjë me të cilën duhet të merremi tash është lufta kundër pandemisë. Mbase edhe Amerika, pas katastrofës që po e përjeton këto ditë me Covidin, do të kuptojë se krizës së koronës në Kosovë nuk ka pasur arsye për t'ia shtuar edhe krizën politike. Se kjo politikja po na e vështirëson edhe më shumë këtë të koronës, së cilës ende nuk po ia kuptojmë pasojat

Çka me thënë për javën që shkoi, pos që ne përfundimisht kemi problem si shoqëri, për ta bërë dallimin e asaj që është vërtet primare dhe krejt gjërave të tjera me të cilat merremi e nga të cilat, njëmend, nuk na varet jeta.

Të tilla janë letrat që ia dërgon thuajse çdo javë Hashim Thaçi Albin Kurtit për punën e qeverisë dhe mandatarit. E gjithë kjo ndodh në kohën kur nga zgafella e shkuar, numri i të prekurve me koronavirus është rritur nga 250 në 449, kurse numri i vdekurve nga 7 ka shkuar në 12. 

Ndodh edhe në kohën kur kemi kufizim drastik të lëvizjes, me nga 90 minuta në ditë për të lëvizur për punët që duhen kryer për shtëpi, e cila duket se po i jep efektet e veta, ngase nga ajo sa po mund të shohë është se numri i njerëzve që bredhin rrugëve pa ndonjë qëllim është zvogëluar dukshëm.

Tash, për të mos dalë i keqi i "rrëfimit korona" sa i përket kontestimit të vendimeve të Qeverisë në Kushtetuese, Thaçi i ka urdhëruar partisë së tij që t'i drejtohet Kushtetueses për ta rrëzuar, mundësisht, edhe këtë vendimin e fundit për qarkullimin e lëvizjes.

Dhe jo, nuk është puna se po kërkon zbatim kushtetutshmërie e ligjshmërie. Hallin e ka si të mos mbetet në hije. Tash njëherë s'ka negociata e marrëveshje të shpejta, e ka një Qeveri e përbërë edhe nga ministrat e VV-së, të LDK-së dhe të pakicave, po e bën një punë shumë të mirë, me gjithë defektet që mund t'i ketë, për të dalë nga kriza e koronavirusit. Suksesi i këtyre njerëzve, pavarësisht orientimit partiak, duket të jetë halë në sy për të.

Seancë kot

Të dielën mbrëma u kumtua se madje 79 veta ishin identifikuar me virusin. Po atë natë, doli një qarkore e Isa Mustafës në të cilën kërkohej nga Këshilli i Përgjithshëm që deri më datën 14, nëpërmjet emailit, të deklarohej po qe se e përkrahte koalicionin e ardhshëm qeverisës mes LDK-së, AAK-së dhe NISMËS.

Rastësisht apo jo, qëlloi që më datën 14 të mbahej seanca e Kuvendit ku do të diskutohej një pikë e rendit të ditës e iniciuar nga PDK-ja, për të cilën sinqerisht nuk e kuptuam se çfarë qëllimi kishte.

Mirëpo, që në fillim të seancës, shefi i GP të PDK-së kërkoi mocion, që t'i fuste në procedurë dy projektligje. Iu shpjegua se kjo punë nuk bëhej, për shkak se në seancë të jashtëzakonshme nuk mund të kishte mocione dhe diskutime për tema jashtë asaj për çfarë ishte thirrur seanca. I dëgjuam një mishmash piskamash e ofendimesh dhe seanca përfundoi në çastin kur PDK-ja u tërhoq nga kërkesa.

Përgjigjja e KP të LDK-së doli të jetë përkrahëse e idesë së Isa Mustafës për një koalicion me partitë kundër të cilave e kishte ndërtuar gjithë fushatën e shkuar zgjedhore. Për më tepër, po anonte nga krijimi i një koalicioni me partitë, përfaqësuesit e të cilit kishin marrë vendime skandaloze që i kishin anuluar mu ministrat në detyrë nga LDK-ja në muajin e fundit.

Se absurdi nuk ka skaj, e tregon seria e deklaratave e zyrtarëve të LDK-së që gjithë kohën e kalojnë duke i kritikuar vendimet e qeverisë në detyrë (me gjithë 5 ministrat që i kanë brenda) duke i amnistuar, natyrisht, ata me të cilët duan që të krijojnë një qeveri të re, që as vetë nuk e dinë si.

Shpresën e kanë te Thaçi, natyrisht, i cili pas letrës së katërt që ia nisi Kurtit, me shumë gjasë do t'i drejtohet Kushtetueses për të marrë interpretim se si të plotësohet vakuumi kushtetues që nuk parasheh afat për kthimin e përgjigjes nga partia fituese e zgjedhjeve për dhënien e emrit të mandatarit të ri.

Plani i Thaçit

Mund të jetë plan njëmend, por po e vendos në nivel të një teorie të konspiracionit.

Duke e pasur për bazë Aktgjykimin e Kushtetueses, ajo që do të duhej të na priste pas mocionit ndaj Qeverisë, do të duhej të ishin zgjedhjet. Në kohë pandemie, natyrisht nuk mund të ketë zgjedhje, prandaj do të duhej pritur kohën kur kjo të kalojë për t'i shpallur të jashtëzakonshmet.

Porse kjo nuk i konvenon Thaçit, pikërisht për të mos e humbur protagonizmin. Prandaj, me një interpretim të vetin që ua bën veprimeve të Kurtit, do të konstatojë se ky nuk e do postin e kryeministrit, ose që nuk i ka numrat për një qeveri të re, e që Kosova të mos mbetet pa qeveri (sepse me gjasë po i duket se robotët po e udhëheqin), duhet dhënë mandatin partisë së dytë në radhë.

VV-ja do të mundte ta çonte rastin në Kushtetuese dhe kjo të vendoste për një interpretim të ri me të cilin ia jep Thaçit të drejtën dhe në këtë rast do ta kishim një qeveri të re, e cila do të futet në punët e luftimit të koronës dhe për një arsye apo tjetrën, do ta shkretonte.

Natyrisht, si vëzhgues i kujdesshëm i krejt ngjarjeve, Thaçi do të konstatonte se janë plotësuar kushtet për gjendje të jashtëzakonshme dhe do ta nënshkruante një dekret. Këtë dekret do t'ia miratonte qeveria, e cila do ta kishte njërin nga "shumë kandidatët që i ka LDK-ja për mandatar", falë gogolit Amerikë.

Kuvendi, nën kërcënimin se edhe kjo qeveri mund të bjerë me mocion, do ta votonte dekretin, dhe Kosova do të hynte më në fund në gjendje të jashtëzakonshme, me komandant suprem Hashim Thaçin në krye të luftës kundër pandemisë.

Dhe më pas do të kalonim nga demokracia në diktaturën e përligjur. E cila do të kishte për detyrë ta mbante këtë qeveri së paku deri në marsin e ardhshëm dhe ta votojë Thaçin kryetar edhe për mandatin e dytë. E mandej, qeveria do të binte dhe do të shkonim në zgjedhje të reja.

S'di njeriu çka të mendojë

Pos hallit se në mos po infektohen punëtorët e kompanisë që janë përherë në lëvizje për shkak të punës dhe hallit tjetër se si t'ua siguroj rrogat në këtë situatë të marrë, e kam edhe hallin në mos po infektohem me koronën, jo për vete, por për nënën 85-vjeç që stoikisht rri e ngujuar në banesë qe pesë javë pa dalë fare.

Kur në mes të tri halleve ekzistenciale duhet të merrem edhe me sedrat e sëmura të politikanëve, nuk di njeriu çfarë të mendojë. Po çfarë njerëz jemi që jemi bërë të varur nga politika edhe në kohën më të rëndë që jemi duke e përjetuar në këtë shekull. E fakti se jemi bërë të varur, nuk do të thotë se jemi bërë të pjekur për të menduar dhe vepruar politikisht. Për shkak se për vendime kyçe nuk jemi dëshmuar të aftë që të vendosim vetë.

Kështu edhe kësaj radhe, na ka mbetur të shpresojmë se Kuinti do të ketë unitet dhe do të dijë t'i këshillojë politikanët se e vetmja gjë me të cilën duhet të merremi tash është pandemia, lufta kundër saj e më pas edhe mëkëmbja ekonomike. Mbase edhe Amerika, pas katastrofës që po e përjeton këto ditë me Covidin, do të kuptojë se krizës së koronës në Kosovë nuk ka pasur arsye për t'ia shtuar edhe këtë politikën. Se kjo politikja po na e vështirëson edhe më shumë këtë të koronës, së cilës ende nuk po ia kuptojmë pasojat.

Mbas gjithë vuajtjeve që i kemi pësuar në luftë, e më pas me 20 vjet udhëheqje të keqe e kriminale, vetëm edhe koronën e patëm mangu. Pak shpresë po më jep kumtesa e Ambasadës Amerikane para disa ditësh që i përkrahte masat drastike të kufizimit të lëvizjes, për të mirën tonë.

* * *

Krejt politikanëve, pos atyre që po luftojnë me koronën, duhet thënë “rri n'shpi”, apo “rri n'zyrë” - dhe mundësisht luani pak letra në kompjuter, e mos na qitni as postime në FB e as mos dërgoni letra gjithandej se po na e prishni këtë pak stabilitet mendor që na ka mbetur.

Priteni këtë dreq koronë të na largohet, nëse jo edhe hiqet, e mandej çoni inate çfarë të doni dhe për çfarëdo që doni. Borxh na keni, se na keni lodhë!

[email protected]