OpEd

Loja me kontekstin e negociatave

Është mirë të përkujtohet që janë tri kontekste të padiskutueshme brenda të cilave ka ndodhur pavarësimi i Kosovës dhe jashtë të cilave Kosova nuk është dashur të pranonte të dilte

Duket se Qeveria e re do të përballet me presion ndërkombëtar për të rifilluar procesin e ndërprerë të bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë që dialogu me Serbinë nuk është prioritet. Serbia si në vazhdimësi ka dhënë sinjale kontradiktore. Në njërën anë duket qartë që objektivi i Serbisë është shtyrja në pafundësi e së pashmangshmes, njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, kurse në anën tjetër presidenti serb duket sikur kërkon më shumë presion nga Perëndimi për ta njohur Kosovën. Vuçiq vazhdimisht i flet popullit të vet për “presionin enorm” nga shtete të fuqishme, presion i cili në fakt nuk po duket.

Kosova në dekadën e shkuar ka qenë shumë e ngathët në menaxhimin e trekëndëshit Kosovë-Perëndim-Serbi. Vazhdimisht ka qenë e cenuar nga sjelljet e Serbisë, por nuk ka arritur që këtë ta transmetojë. Serbia ka kapitalizuar mjaft mirë këto vite të ngathtësisë kosovare, duke përshpejtuar procesin e vet integrues dhe duke përmirësuar imazhin e vet në Perëndim, si palë e gatshme për dialog. Ka arritur të eliminojë të gjitha kostot që asocohen me sjelljen e saj destruktuve, jo duke u përmirësuar, por duke luajtur me kontekstin e raporteve me Kosovën.

Është mirë të përkujtohet që janë tri kontekste të padiskutueshme brenda të cilave ka ndodhur pavarësimi i Kosovës dhe jashtë të cilave Kosova nuk është dashur të pranonte të dilte. Serbia ka arritur t’i zbehë këto kontekste dhe të shtyjë alternativat e veta duke e vënë Perëndimin, por çuditërisht edhe vetë Kosovën e Shqipërinë, në lajthitje. Prandaj Kosova do të duhej tani të investonte në rikontekstualizimin e dialogut me Serbinë edhe ndërmjetësimit miqve perëndimorë.

Konteksti i shpërbërjes së Jugosllavisë

Konteksti i parë në të cilin ka ndodhur pavarësimi i Kosovës është ai i shpërbërjes së Jugosllavisë. Serbia është munduar për pothuajse Serbia është munduar për pothuajse dy dekada ta mohojë të drejtën e pavarësimit të Kosovës, mu brenda këtij konteksti duke u thirrur fals në Komisionin e Badinterit, i cili sipas Beogradit ia paskësh mohuar Kosovës të drejtën për pavarësi. Kjo ka ndodhur intensivisht deri në vitin 2007, kur juristi francez Robert Badinter personalisht në Prishtinë deklaroi që Komisioni që ai kishte udhëhequr nuk ia kishte mohuar kurrë të drejtën për pavarësi Kosovës dhe se sikur të kishte marrë një pyetje për këtë, ai do të përgjigjej që Kosova ka pasur të drejtë pavarësie përbrenda konteksti të shpërbërjes së Jugosllavisë. Për më shumë, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në aktgjykimin e vet ia njohu Kosovës këtë të drejtë përbrenda po këtij konteksti vetëm pak vite më vonë.

Që nga atëherë, Serbia ka arritur me goxha aftësi ta vërë Perëndimin në lajthitje që konteksti i duhur është ai i “pajtimit historik mes dy popujve”. Me këtë, një vëzhgues i pavarur do ta shohë që presidenti serb ka për synim ta lërë atë që ata e quajnë “problemi i Kosovës” të pazgjidhur për pasardhësit e tij. Deri më tani ai ka arritur të luajë mrekullueshëm me pataten e nxehtë duke e mbajtur në dorë pa u djegur. Për më shumë, Vuçiqi pati arritur që me këtë kontekst të vërë në lajthitje edhe liderët e Kosovës e të Shqipërisë, të cilët naivisht qenë bërë “valltarë në këtë muzikë”.

Askush nuk mund t’i ndalë kosovarët/shqiptarët dhe serbët të bëjnë “marrëveshje historike” e bile as aso gjeografike në të ardhmen, nëse të dyja palët krijojnë konsensuse të brendshëm në shtetet e tyre. Por në situatën e shantazhit serb kundrejt Kosovës, nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme. Përbrenda kontekstit të shpërbërjes së Jugosllavisë ka një konsekuencë logjike të veprimeve. Së pari duhet të ndodhë njohja e ndërsjellë dhe pastaj të intensifikohen aktivitetet bilaterale për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura.

Konteksti i dështimit të projektit për spastrim etnik

Vuçiq ka arritur të shtyjë diskursin që “nuk bën shqiptarët të fitojnë të gjitha e Serbia asgjë”. Ky diskurs i përsëritur në vazhdimësi ka arritur të përfitojë mbështetje në Perëndim, e për çudinë më të madhe edhe te një pjesë naive e kosovarëve, duke neglizhuar tërësisht dëmin e vazhdueshëm që Serbia ka bërë kundrejt kosovarëve. Zhvillimet në Kosovë që nga pushtimi serb i Kosovës më 1912 kanë qenë të determinuara nga ambicia serbe për spastrimin etnik të Kosovës dhe rezistenca kosovare kundrejt këtij projekti çnjerëzor. Edhe sot e kësaj dite Serbia e do tokën e Kosovës, por pa kosovarët shqiptarë. Serbia ka arritur t’ia mbyllë sytë Perëndimit drejt këtij fakti. Me një histeri të aktruar, Serbia ka kundërshtuar pavarësinë territoriale të Kosovës dhe vazhdon të pretendojë që Kosova është pjesë e Serbisë. Por Serbia de fakto dhe de jure e ka pranuar pavarësinë e popullit të Kosovës të cilin e ka përjashtuar nga sistemi i vet dhe nuk e percepton më si pjesë të veten, pos pakicës serbe kosovare. Pra, në vijë me politikën serbe që nga shekulli XIX, Serbia e pretendon tokën e Kosovës pa kosovarët, që është qartë vazhdimësi e politikës gjenocidale. Deri më tani Serbia asnjëherë nuk është konfrontuar nga Perëndimi për këtë lajthitje.

Serbia është munduar vazhdimisht ta zhvendosë debatin nga konteksti i dështimit të projektit gjenocidal dhe spastrues etnik në atë të negocimit, ku Serbia duhet të marrë diçka për ruajtje fytyre. Kosova do të duhej të angazhohej që të konfrontonte fuqishëm këtë qasje. Në këtë kontekst, njohja e Kosovës dhe kërkimfalja për krimet çnjerëzore të Serbisë në Kosovë janë parakusht.

Konteksti i negociatave të dështuara

Nga perspektiva e kosovarëve, Kosova u pavarësua nga Serbia me parimin e vetëvendosjes që më 1990, kur kosovarët vendosën të krijonin shtetin e tyre dhe pushtetin e Serbisë mbi Kosovën ta trajtojnë si agresion nga një shtet i huaj. Për realizimin e kësaj, Kosova vazhdimisht ka qenë e gatshme të negociojë me Serbinë, por këto negociata gjithnjë kanë dështuar.

Deri më tani katër palë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë kanë dështuar. Të parat bisedime u organizua në Prishtinë e Beograd dhe u orientua në zgjidhjen e problemit të okupimit të objekteve shkollore të Kosovës nga Serbia, realizimi i së cilës në masë të madhe dështoi, meqë Serbia nuk i liroi shumicën e objekteve. Negociatat e dyta u organizuan në Château de Rambouillet më 1999 dhe dështuan, meqë Serbia nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen e negociuar. Negociatat e treta u organizua në Vjenë dhe prapë Serbia dështoi të pajtohej dhe pas këtij dështimi, Kosova deklaroi pavarësinë, por duke u dhënë serbëve mbase më shumë të drejta sesa që Serbia do të siguronte në negociata normale. Negociatat e katërta u quajtën “dialog” për disasocim me negociatat e dështuara paraprake. Ky dialog i katërt u zhvillua në Bruksel me ndërhyrje nga Berlini, Parisi dhe Washingtoni dhe prapë dështoi të nxirrte gjë substanciale në dritë. Pra, po negociojmë që nga viti 1996 dhe nuk po nxjerrim gjë në dritë.

Kosova tani do të duhej ta lansonte proaktivisht një fushatë diplomatike në Perëndim me synim të transmetimit të kërkesës eksplicite për rritje të presionit ndërkombëtar në Beograd për njohje të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është realizuar përbrenda kontekstit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe është akti i fundit në këtë proces. Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka pretendime të hapura territoriale kundrejt një shteti tjetër evropian dhe kjo duhet të deklarohet vazhdimisht. Në anën tjetër, Serbia me njohjen e Kosovës zotohet që po heq dorë nga projekti i planifikuar, i tentuar dhe i ndërprerë për gjenocid në Kosovë. Pas katër palë dialogësh të dështuar, gjasat që të arrihet një marrëveshje në tavolinë për njohje të ndërsjellë janë të vogla. Prandaj rruga e vetme është që Perëndimi të intensifikojë presionin mbi Beogradin që ai ta njohë pa kushte pavarësinë e Kosovës, siç ka vepruar me shtetet e tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë.