Ç'është një send i rrumbullakët dhe cila është rëndësia e tij? Shënime parapolitike për futbollin - dhe përgjigjja në pyetjen se çfarë muzike shqiptare dëgjon Granit Xhaka.
Në çdo Kampionat Botëror të futbollit është mirë të lexohet libri “Lavdërimi i sportit” i profesorit Hans Ulrich Gumbrecht nga Universiteti i Stanfordit. Ku bazohet fascinimi për këtë sport? A është vetëm dëshira për përsosje personale dhe bukuri motivi kryesor që i nxit njerëzit të merren me sport? A ka diçka më të madhe që i josh njerëzit për të vrapuar 90 minuta pas topit? Gumbrecht hulumton këtë fenomen dhe e përshkruan atë me gjuhë brilante të studiuesit të letërsisë. “Këtë libër e kam shkruar që botën time profesionale, atë të mendimeve dhe historisë së tyre, t'ia afrojë asaj bote, e cila jashtë profesionit tim më fascinon më së shumti, bota e sportit dhe stadiumeve. Në vend se të shkruaj në mënyrë kritike apo madje arrogante, qëllimi ishte që në analizën e sportit dhe fascinimit për të, të shfaqet edhe mirënjohja ime për të gjitha ato momente të intensitetit dhe përjetimit estetik, të cilat m'i kanë sjellë orët e kaluara në stadium dhe sportistët e mëdhenj”. Kështu, ndoshta, do të jetë në katër javët e ardhshme gjatë Kampionatit Botëror të futbollit në Rusi.
* * *
Para së të shkonte në Rusi Granit Xhaka ka folur për media. Më saktë: i ka dhënë një intervistë një magazine zvicerane. Edhe më saktë: dy gazetarë të revistës e kanë ftuar futbollisten zvicerane Lara Dickenmann të intervistojë Granit Xhakën, më të mirin futbollist që tani për tani ka Zvicra. Dialogu sillet rreth shumë temave, në fillim lexuesi fiton përshtypjen se Xhaka ka marrë rolin e gazetarit dhe shtron pyetje në vend se të përgjigjet. Dikur Lara Dickenmann e driblon starin e Arsenalit.
Lara Dickenmann: “Granit, a bën të të pyes diçka?”
Granit Xhaka: “Sigurisht, Lara”.
Lara Dickenmann: “Pyetja e fundit. Kam lexuar se dëgjon vetëm muzikë shqip. Më jep ndonjë propozim?”
Granit Xhaka: “Po si jo. Së pari natyrisht Noizy, këngëtari shqiptar, i cili është rritur në Londër dhe ka bërë shumë para - për rrethanat shqiptare. Pastaj Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Bebe Rexha... Nuk po të pyes për muzikën zvicerane, ndonëse ata dy nga Berna, ata janë vërtet të mirë”.
Lara Dickenmann: “Lo & Leduc”.
Granit Xhaka: “Pikërisht. 079 - këtë e dëgjojnë të gjithë në Kombëtaren zvicerane”.
* * *
Granit Xhaka pa Vladimir Petkoviqin nuk do të kishte kuptim. Trajneri i Zvicrës është më shumë se trajner. Duke qenë nga Ballkani (kroat nga Sarajeva) ai njeh mentalitetin e lojtarëve të Kombëtares së Zvicrës dhe u ka krijuar atyre një hapësirë të madhe për t'u zhvilluar. Një pjesë e madhe e futbollistëve janë nga Ballkani, sidomos nga Kosova e Maqedonia. Mbi ardhjen e tij në Zvicër Petkoviq ka këtë rrëfim: “Më 1987 Qeveria e atëhershme e Jugosllavisë miratoi një ligj, i cili u lejonte futbollistëve të shkojnë në botën e jashtme para moshës 28-vjeçare. Unë nuk e dija këtë, por babai im po. Ai kontaktoi Zllatko Dupovacin, njërin nga lojtarët e tij të mëhershëm në Sarajevë, i cili tashmë ndodhej në Zvicër. Në Titograd luajta ndeshjen e fundit në terrenin vendas. Dy ditë më vonë aterrova në Zürich. Ishim marrë vesh që të arrija në mbrëmje dhe se dikush do të më priste. Por unë erdha që në mesditë në aeroportin e Klotenit (Zürichut). I humbur dhe qyqe vetëm prita disa orë. Tollovia e udhëtarëve nuk më la të kisha një mendim të qartë. T'i telefonoja dikujt? Si? Në të vërtetë kishte kabina telefoni. Kisha ca dinarë me vete, por ku t'i këmbeja në para të imëta zvicerane për t'i telefonuar Dupovacit nga kabina? Përveç gjuhës amtare flisja pak rusisht. Kjo nuk më kryente punë. Pak fjalë gjermanisht nuk më ndihmonin. Befas dëgjova gjuhën e njohur të vendlindjes. Një punëtor aeroporti i tha një gruaje në serbokroatisht: të bëftë mirë. Atë e luta që ta thërriste personin ndërlidhës me klubin zviceran. Patëm sukses”. 31 vjet më vonë Petkoviq shkon në Rusi me disa ballkanas dhe disa futbollistë zviceranë.
* * *
Pak para se javën e kaluar të hapej Kampionati Botëror i futbollit, drejtësia ruse u tregua zemërgjerë: e liroi nga burgu liderin e opozitës, 42-vjeçarin Aleksej Navalni. Sapo kaloi pragun e burgut, Navalni postoi në Instagram një njoftim. Ai tha se qelitë në burg ishin meremetuar pak para se të vinin fansat nga gjithë bota. Nëse ndonjëherë do të sillej keq dhe do të përfundonte në burg, atëherë do të shihte nga brenda qelitë e bukura ruse. Grilat e burgut janë ngjyrosur, në vend të gropave në tokë tani janë instaluar tualete. Në oborr ka topa futbolli për të burgosurit, ushqimi është më i mirë, në qeli janë vendosur televizorë në mënyrë që të burgosurit të shikojnë ndeshjet. Kulmi i ndryshimeve: meqë gardianët rusë nuk flasin anglisht, në burgje, sipas Navalnit, janë punësuar studente të fakulteteve të gjuhëve të huaja. “Ato bartin uniforma, diçka mes policeve dhe stjuardesave. Ato po mërziten se ende nuk ka të huaj në burg dhe po kërkojnë arrestime masive në mënyrë që të njihen me të huajt”. Më së voni këtu edhe lexuesit naivë e kuptuan se Navalni po tallej me pushtetin e Vladimir Putinit. Humori është një metodë e mirë për të luftuar autokracitë.
Për dallim nga Navalni, deputetja Tamara Pletnewa e kishte seriozisht kur i paralajmëroi ruset që të refuzojnë kontaktet intime me të huajt. Përvojat e Lojërave Olimpike të vitit 1980, sipas saj, kanë treguar se pas mbesin vetëm nëna të palumtura. Pas atyre lojërave në Bashkimin Sovjetik për herë të parë lindën një numër i madh i fëmijëve me ngjyrë - rezultat i kontakteve intensive mes mysafirëve nga shtetet afrikane dhe grave ruse.
© KOHA Ditore