OpEd

Kur Gjermania teshtin…

Kujtim Dobruna

Një Gjermani e dobët nuk është lajm i mirë as për ekonominë evropiane, as për stabilitetin politik të kontinentit. Por, siç e thotë ekonomisti Fuest, nuk është vonë për një ringjallje, nëse Gjermania ka guximin të reformojë strukturat e veta kolosale të shtetit të mirëqenies, të ulë burokracinë, të forcojë inovacionin dhe të rikthejë produktivitetin që dikur e bënte simbol të efikasitetit evropian dhe kampion botëror të eksportit. Për Evropën është jetike që Gjermania të mos teshtijë, por të marrë frymë lirshëm, duke e rikthyer stabilitetin e saj dhe të gjithë kontinentit

Kujtim Dobruna

Kur Gjermania teshtin… Evropa ftohet. Kjo metaforë, e përdorur shpesh për ekonomitë e mëdha, si SHBA-ja dhe Kina, e përshkruan efektin zinxhir që dobësimi ekonomik i një fuqie të madhe e ka në rajonet e varura prej saj.

Sot, Gjermania ndodhet në një moment dramatik. Mirëqenia e saj është në rrezik. Përderisa shpenzimet publike vazhdojnë të rriten, investimet private janë në rënie. Më pak investime private do të thotë më pak rritje, më pak të ardhura tatimore dhe në fund edhe më pak hapësirë për shpenzime publike.

Kështu e përshkruan situatën ekonomisti gjerman, Clemens Fuest, i cili paralajmëron se në mungesë të reformave të thella deri në pranverën e vitit 2026, Gjermania mund të zhytet në një krizë edhe më të thellë, me pasoja serioze sociale dhe politike.

Kriza strukturore e industrisë gjermane

Industria, boshti kurrizor i ekonomisë gjermane, po tkurret me shpejtësi. Sektori automobilistik ka humbur mbi 50 mijë vende pune brenda një viti, ndërsa fitimet e gjigantëve të automobilave kanë rënë mes 30 dhe 70 për qind. Kostot e larta të energjisë po e detyrojnë industrinë kimike të zhvendoset jashtë vendit, ndërsa tarifat doganore amerikane po u japin një goditje shtesë eksporteve gjermane. Që nga viti 2019, ekonomia gjermane më nuk ka shënuar rritje reale.

Modeli ekonomik që për dekada u mbështet në energjinë e lirë ruse dhe në eksportet drejt tregjeve aziatike, tashmë është histori. Ndërkohë, qeveria nuk po arrin të ofrojë zgjidhje bindëse. Detyrat e saj janë kolosale: modernizimi i ushtrisë, infrastruktura publike dhe reformimi i sistemit social. Ky i fundit është shndërruar në një barrë serioze për ekonominë gjermane, por po shërben edhe si shembull domethënës për ekonomitë në zhvillim, qëkur një shtet e fryn sektorin publik dhe i jep përparësi forcimit të sistemit social në vend të sektorit privat, ai rrezikon të drejtojë ekonominë drejt stagnimit, madje edhe drejt humnerës.

Apo, mjafton të shikohet Deutsche Bahn për të kuptuar simbolikën e krizës. Vonesat kronike të trenave dhe infrastruktura e amortizuar janë bërë metaforë e dështimit të një ekonomie që dikur ishte model.

Kur kreditë publike zëvendësojnë kapitalin privat

Ofensiva investive e shpallur së fundi nga qeveria e kancelarit Merz, që parasheh 500 miliardë euro për infrastrukturë, mund të sjellë një çlirim të përkohshëm nga ankthi. Por kjo ofensivë mbështetet në kredi shtetërore, që jo vetëm se do ta rrisin borxhin publik, por edhe do ta shkaktojnë atë që ekonomistët e quajnë “efekti i zhvendosjes” (crowding out), kur huamarrja e lartë e shtetit kufizon kreditimin për bizneset dhe individët dhe faktorët e tjerë të prodhimit, duke e ngadalësuar më tej ekonominë.

Politika dhe paradokset e saj

Kriza ekonomike në Gjermani po shoqërohet nga një diskurs i ashpërsuar publik. Debatet toksike mbi migracionin, sigurinë publike dhe tranzicionin klimatik po vazhdojnë ta polarizojnë shoqërinë. Në këtë situatë, qeveria gjermane kërkoi kohë më parë që të sigurojë burime të reja strategjike, përfshirë litiumin serb për industrinë e vet të automjeteve elektrike. Negociatat, tashmë të dështuara, u kritikuan ashpër. Berlini akuzohej se po hynte në partneritet me një regjim autokratik, në kundërshtim me parimet e veta etike.

Ky episod ngjall kujtime të politikës së Angela Merkelit ndaj Rusisë, ku edhe pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, bashkëpunimi energjetik me Moskën nuk u vu në pikëpyetje, për të mos e rrezikuar furnizimin me gaz të lirë. Një ironi historike kjo, duke kujtuar se për dekada Gjermania kishte promovuar një qasje etike në tregti dhe investime, që shmangte marrëdhëniet me regjime autokratike apo të korruptuara. Në të njëjtën frymë, Daimler AG kishte refuzuar dikur t’i shiste vetura qeverisë së Kosovës “për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit”. Por parimet u zbehën, sapo u prek interesi strategjik gjerman.

Efekti domino në Evropën Qendrore e Juglindore

Rënia e ekonomisë gjermane do të ndihet në të gjithë Evropën. Vendet si Austria, Zvicra, Çekia, Sllovakia dhe Serbia, që furnizojnë industrinë gjermane me komponentë industrialë, veçanërisht autopjesë, mund të përballen me rënie serioze. Vetëm në Serbi operojnë mbi 900 kompani gjermane, që punësojnë mbi 80 mijë njerëz. Në Bosnjë janë rreth 550 kompani, ndërsa në Kosovë vetëm rreth 220, shumica me kapital të diasporës. Por ndikimi në Kosovë shkon përtej prodhimit dhe investimeve. Mbi gjysmë milioni qytetarë kosovarë punojnë në Gjermani dhe dërgojnë afërsisht 40 për qind të remitencave që mbajnë ekonominë kosovare. Një rënie e punësimit në Gjermani do të ketë efekt të menjëhershëm në konsumin dhe stabilitetin financiar të ekonomisë së Kosovës.

Në anën tjetër, rritja e kostove të prodhimit në Gjermani mund të nxisë zhvendosje të re industriale drejt vendeve me kosto më të ulët, siç është Evropa Juglindore. Për këtë, vendet e rajonit duhet të krijojnë kushte të qëndrueshme për investime, përfshirë infrastrukturën, sigurinë juridike dhe politika industriale moderne.

Një Gjermani e dobët nuk është lajm i mirë as për ekonominë evropiane, as për stabilitetin politik të kontinentit. Por, siç e thotë ekonomisti Fuest, nuk është vonë për një ringjallje, nëse Gjermania ka guximin të reformojë strukturat e veta kolosale të shtetit të mirëqenies, të ulë burokracinë, të forcojë inovacionin dhe të rikthejë produktivitetin që dikur e bënte simbol të efikasitetit evropian dhe kampion botëror të eksportit.

Për Evropën është jetike që Gjermania të mos teshtijë, por të marrë frymë lirshëm, duke e rikthyer stabilitetin e saj dhe të të gjithë kontinentit.