OpEd

Kosova nuk e ka luksin ta ketë prioritet integrimin evropian

Ky titull nuk guxon të kuptohet si thirrje për të hequr dorë nga synimi për integrim në BE. Por duke e ditur se arritja e këtij qëllimi nuk do të jetë e mundur në një të ardhme të parashikuar, dhe se BE-ja nuk e ka më zgjerimin prioritet, Kosova duhet të fokusohet në ato që mund t’i bëjë, si reformat, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin e sistemit të shkollimit dhe shëndetësisë e jo të humbë kohë duke folur përditë për një temë abstrakte, siç duket tash “integrimi evropian”. Duke u zhvilluar, duke bërë reforma, duke zhdukur dukuritë negative, do t’u afrohet më shumë BE-së dhe atyre që njihen si “standarde evropiane”, dhe këtë do ta ndiejnë në jetën e tyre qytetarët e Kosovës.

Para shumë vitesh kisha shkruar një tekst me një titull të ngjashëm. Se Kosova nuk e ka luksin ta ketë prioritet integrimin evropian. Dhe, siç ndodh shpesh në Kosovë, e besa edhe në BE, kjo ishte keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Ishte kuptuar si thirrje që Kosova nuk duhet ta ketë synim integrimin në BE dhe se duhet të kërkojë rrugë të tjera. Ani pse në tekst ishte argumentuar teza, me të cilin argumentim secili ka mundur të pajtohet apo të mos pajtohet, nëpër Bruksel ishte përhapur tashmë thënia se “edhe autori i këtij teksti është bërë euroskeptik”.

Kritikat ndaj një procesi nuk duhet kuptuar si kundërshtim të atij procesi. Në fakt, kritikat janë pse qëllimi nuk po realizohet, e as nuk ka avancim drejt qëllimit, e jo pse ky qëllim është vënë si prioritet.

Disa vite më vonë duhet përsëritur se Kosova nuk e ka luksin ta ketë prioritet integrimin në BE. Ky titull nuk guxon të kuptohet si thirrje për të hequr dorë nga synimi për integrim në BE. Por duke e ditur se arritja e këtij qëllimi nuk do të jetë e mundur në një të ardhme të parashikuar, dhe se BE-ja nuk e ka më zgjerimin prioritet, Kosova duhet të fokusohet në ato që mund t’i bëjë, si reformat, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin e sistemit të shkollimit dhe shëndetësisë e jo të humbë kohë duke folur përditë për një temë abstrakte, siç duket tash “integrimi evropian”.

Duke u zhvilluar, duke bërë reforma, duke zhdukur dukuritë negative, do t’u afrohet më shumë BE-së dhe atyre që njihen si “standarde evropiane”, dhe këtë do ta ndiejnë në jetën e tyre qytetarët e Kosovës.

kur edhe në BE fuqitë kryesore të vendosjes, Franca, Gjermania dhe Holanda pajtohen se nuk duhet nxituar me procesin e zgjerimit, dhe se para këtij procesi duhet të ndodhë ai i reformave të brendshme në BE, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe shtetet e rajonit të Ballkanit, e sidomos Kosova, e cila ende po ka probleme në përmbylljen e procesit të shtetndërtimit. Në vend që të mendojë tepër shumë për integrimet në BE, Kosova, sikur edhe fqinjët e saj, duhet të fokusohen në reformat e brendshme. Sepse, të tilla çfarë janë, shtetet e Ballkanit nuk do të mundë të integrohen në BE-në çfarë është sot.

Problemi me prioritetet është se nuk mund të kesh shumë. Sepse sa më i madh të jetë numri i prioriteteve aq më pak ato do të jenë prioritete.

Të gjitha format dhe kornizat e bashkëpunimit që ka Kosova me BE-në duhet t’i mbajë. Dhe duhet t’i avancojë akoma më shumë. Bashkëpunimi duhet të thellohet, dhe nga ky bashkëpunim duhet përfituar. Sepse Kosova, sikur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka një fat gjeografik të jetë e rrethuar nga vendet e BE-së. Dhe nga zhvillimet në BE do të varen edhe disa zhvillime në Kosovë dhe anasjelltas. Por këtu nuk është fjala vetëm për procese politike. Se sa është larg Kosova në përafrimin me atë që quhet “standarde evropiane”, dëshmon shembulli i planeve për investime në sistemin e energjetikës. Derisa në shumë shtete të BE-së avancojnë planet për të zhdukur termocentralet që punojnë në bazën e qymyrit, si njërin prej ndotësve më të mëdhenj të ambientit, Kosova bën planet që të ndërtojë termocentrale të reja me këtë lëndë djegëse.

Prioritet në BE sot janë ruajtja e ambientit, zhvillimi i teknologjisë së ushqimit, investimet në inovacione për zëvendësimin e disa lëndëve të para me ato që janë më të favorshme për ruajtjen e planetit, ruajtja e kufijve të jashtëm nga emigrimet ilegale, zhvillimi digjital. Në këto fusha po bëhet një revolucion teknologjik, që do të rezultojë me ndryshimin dramatik të prioriteteve të njerëzve, në orientimet në procesin e shkollimit, në mënyrën se si hanë e pinë dhe si e menaxhojnë mbledhjen e mbeturinave e pastaj përpunimin e tyre. Ekonomia qarkulluese është prioriteti kryesor i BE-së, në të cilin edhe do të jetë përqendrimi më i madh i vëmendjes dhe i investimeve nga paratë e buxhetit të përbashkët. Prandaj edhe nuk mund ta ketë BE-ja prioritet njëfarë “zgjerimi të mëtejmë”.

BE-ja nuk ka hequr dorë nga zgjerimi në një afat më të gjatë e as Kosova nuk duhet të heqë dorë nga synimi që një ditë të bëhet anëtare e BE-së, por pritjet që kjo të ndodhë shpejt mund të shkaktojnë jo vetëm zhgënjim, por edhe stagnim të madh të shoqërisë kosovare. Nëse për Kosovën nuk kanë mjaftuar 10 vjet për të arritur një liberalizim vizash, që nuk është ndonjë proces i komplikuar, sa do t’i zgjasë një proces shumë, shumë më i komplikuar siç është ai i integrimit në BE, proces në të cilin Kosova as që e ka bërë hapin e parë formal, atë të paraqitjes së kërkesës për anëtarësim.

Pohimi se nuk mund ta ketë Kosova luksin të fokusohet aq shumë në “integrimet evropiane”, që ta ketë prioritet, kur ka prioritete aq më të mëdha, që kërkojnë një zgjidhje urgjente, siç janë shëndetësia dhe shkollimi, nga të cilat varen shëndet, e ardhmja e popullit dhe e shtetit, nuk është as thirrje për rreshtim të ri politik apo gjeo-strategjik.

E deshi BE-ja Kosovën apo jo, për Kosovën nuk ka ndonjë model më të mirë sesa ai i Bashkimit Evropian dhe i demokracisë perëndimore. Më siguri se ka politikanë në Ballkan të cilët do të preferonin të kishin pushtetin çfarë kanë disa vende autoritare. Sepse në këtë mënyrë do ta kishin më të lehtë të sundonin, t’ua mbyllnin gojën kritikëve, t’i luftonin kundërshtarët politikë dhe ta kenë në dorë shtetin pothuajse si një pronë të tyre. Por populli i Kosovës po ashtu do që ta ketë një shtet demokratik, një demokraci liberale, ku do të respektoheshin liria e shprehjes, ndarja e pushteteve, dhe ku do të sundonte ligji. Ata që do të bënin ndonjë zgjedhje tjetër apo orientim tjetër nuk do ta kishin prapa popullin, të paktën jo shumicën e popullit.

Për këto vlera të cilat i duan kosovarët nuk ka shembull më të mirë sesa BE-ja. Prandaj edhe rruga e integrimeve evropiane është po aq e vlefshme sa edhe qëllimi. Sepse ecja në atë rrugë e ndryshon për të mirë Kosovën dhe një ditë e bën atë të gatshme edhe të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për fat të keq ajo ditë është shumë larg dhe në këtë moment nuk mund të trajtohet si prioritet integrimi në BE.