OpEd

Kosova mbas Washingtonit e Brukselit: Koha për një qasje të re strategjike

Me shumë rëndësi për Kosovën do të ishte po ta kthenin faqen edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin atë - Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qiproja

Kritikët e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë mes Kosovës e Serbisë më së shumti qortojnë mungesën në tekst të zotimit serb për njohjen zyrtare të Kosovës. Njohja diplomatike e ndërsjellë mes Prishtinës e Beogradit do të ishte gjëja reale, e cila do të mundësonte në vijim normalizimin politik, ekonomik e shoqëror. Siç kemi vënë në dukje, presidenti serb mund ta hidhte këtë hap vetëm me çmimin e copëtimit të Kosovës, gjë që javën e shkuar në Washington fatmirësisht u varros një herë e mirë. Vuçiqi gjithashtu është pozicionuar se nuk e pranon anëtarësimin në BE me kushtin e njohjes së Kosovës së pavarur. Duke qenë se anëtarësimi do të marrë vite shumë të gjata, edhe në rastin me jo shumë gjasë që një udhëheqës serb nesër të ketë atë plotfuqi si Vuçiqi sot dhe të ndërrojë mendje e zemër për Kosovën, prapë njohja do të presë pikërisht vite shumë të gjata. Amerika nuk ka për të nisur një luftë tjetër për të detyruar njohjen e Kosovës: vizionin dhe cakun e angazhimit të saj i bëri të njohura në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshimi i mundshëm i administratës pas presidencialeve të këtij nëntori nuk ka pse të ndryshojë rrënjësisht këtë politikë. Nga takimi i parë i dialogut të rinisur këtë javë mes kryeministrit kosovar e presidentit serb në Bruksel temat e bisedës ishin çështje të diskutuara edhe më herët në këtë dialog që ka filluar në vitin 2011. Në rastin fatlum do të bihet dakord sërish e do të zbatohen realisht çështje të ndryshme të imponuara nga historia e fqinjësia. Por njohja nuk duket në horizont. Përjashto këtu ndonjë mrekulli hyjnore apo forcë madhore, të cilat nuk kam aftësi t'i parashikoj.

Politikanët vendimmarrës lenë gjurmë jo kur insistojnë në pretendime moralizuese të cilat mbeten të papërmbushura, por kur njohin realitetin dhe veprojnë me ambicie për të arritur kulmin e të mundshmes.

Tajvani që nga mesi i shekullit 20 nuk ka iluzione se do të njihet zyrtarisht nga Republika Popullore e Kinës dhe as se Pekini do t'ia lejojë anëtarësimin në OKB. Por kjo nuk i ka penguar tajvanezët të ndërtojnë një shtet demokratik, me qeveri llogaridhënëse, si dhe një ekonomi të avancuar; duke e ngritur një provincë dikur rurale në vendin e 17-të më të pasur në botë.

Mbase modeli i Tajvanit mund të shërbente për Kosovën duke e bërë të mos harxhojë kapital politik për njohjen nga Beogradi, por të fokusohet në zhvillimin e vendit. Dhe Kosova krahasuar me Tajvanin është e favorizuar. Ndërsa Tajvani njihet zyrtarisht nga një gjysmë duzine shtetesh minore, Kosova njihet nga të tëra vendet e G7, demokracitë udhëheqëse të planetit dhe mbi njëqind shtete, anëtare të OKB-së.

Tajvani e ka Kinën gjigande e lakmitare vetëm një ngushticë larg, kurse Amerika mbrojtëse është matanë oqeanit. Ndërsa Kosova është një “enklavë” e NATO-s, kufizohet me tri shtete të kësaj aleance, si dhe ndodhet brenda Bashkimit Evropian.

ashtu, sipas marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, Kosova do të ndërpresë për një vit përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në fakt, pas dështimit me Interpolin e UNESCO-n, kështu do të lipsej të bënte pasi shanset nuk janë të mira. Edhe avantazhet e anëtarësimit, hiq mënjanë simbolikën e sovranitetit, nuk janë domethënëse. Urdhërarrestet për Interpolin procesohen përmes UNMIK-ut, kurse në UNESCO përfitimi mbetej abstrakt (Shqipëria prej 60 vjetësh anëtare arriti të kishte disa site të trashëgimisë botërore, por nuk mundi të mbronte Teatrin Kombëtar nga barbaria e qeverisë së vet). Marrëveshja amerikane nuk e pengon Kosovën të synojë njohje dypalëshe të tjera. Por edhe sikur Prishtina të arrijë dhjetë apo njëzet njohje nga shtete si Burundi a Kiribati, nuk më duket se do të kishte përfitim të madh. Udha për në OKB kalon nga Këshilli i Sigurimit me Kinën e Rusinë brenda; të tjerat nuk duken relevante. Madje na kursejnë anekdotat me dy ministrat e jashtëm që, me çantë të zezë në dorë, bredhin njëri pas tjetrit në Afrikë e Oqeani.

Por ndoshta njohja së fundmi nga Izraeli mund të sugjerojë një objektiv tjetër. Arsyeja pse Jerusalemi kishte hezituar deri tashti ta njihte Kosovën ishte druajtja nga precedenti i provincës secesioniste dhe të efektit të saj në Bregun Perëndimor. Me kuptimin e unitetit të rastit të Kosovës dhe me këshillën me peshë të presidentit amerikan Izraeli e ktheu faqen. Me shumë rëndësi për Kosovën do të ishte po ta kthenin faqen edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët ende nuk e njohin atë (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qiproja). Edhe për ta shqetësimi real është ai i precedentit të provincës secesioniste pasi secili prej tyre e ka një hall si Izraeli. Shumë më pak rol luan miqësia historike me Serbinë e disave syresh pavarësisht nga çfarë thonë narrativat gjysmë folklorike.

Nëse Kosova do të arrinte të mobilizonte Quintin, pra ShBA-në, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Italinë, për të dhënë shpjegimet e garancitë e duhura kësaj pesësheje evropiane e të përftonte njohjen e tyre, atëherë avantazhi do të ishte madhor për të. Më së pakti do të eliminohej një pengesë formale për anëtarësim në BE.

(Autori është ish-ministër i Qeverisë dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë)