Publiku kosovar nuk është më ai publik naiv i cili verbërisht beson në atë çfarë sheh dhe dëgjon nëpër studiot televizive. Aty do të jetë një pjesë e popullatës e cila – qoftë për shkak të punësimeve apo angazhimeve të ndryshme biznesore me partitë politike dhe qeveritë e shkuara – gjithmonë do të qëndrojë e heshtur, pavarësisht ngjarjeve dhe ndodhive në aktualitet ditore politike të Kosovës, përderisa atyre askush personalisht nuk ua prish tymin e duhanit. Këta, për mendimin tim, e përbëjnë atë përqindjen e "intelektualëve latentë", të gatshëm për bashkëpunim me çfarëdo qeverie e çfarëdo partie politike që qeveris. Diplomacia i njeh me emërtimin ‘konformistë’
Sapo hymë në javën e parë të vitit 2021. Hyrja e realizuar ashtu me fanfare dhe dramaticitet. Disi jemi të programuar në aso mënyre që mendojmë se me ndërrimin e moteve me automatizëm ndahemi nga ngjarjet e vitit të cilin e lamë pas dhe ballafaqohemi me ngjarjet e panjohura e të reja të cilat i sjell viti i ri.
Nga kabllogramet diplomatike do t’i veçoja dy ngjarjet kryesore të cilat e shënojnë fillimin e vitit të ri kalendarik dhe diplomatik.
Kabllogrami i parë, gjithsesi, ndërlidhet me publikimin e vendimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Siç e kam cekur edhe në shkrimet e mëhershme të Ditarit tim, vendimi i shumëvonuar ishte edhe mundësia e fundit që diçka nga shtetësia e Kosovës të tregohej funksionale. Edhe pse vonesa ishte kryekëput e ndikuar nga ngjarjet politike të cilat ndodhën gjatë shtatë muajve të fundit, publikimi i tekstit të plotë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese aktivizoi "interpretuesit kujdestarë mercenarë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", të cilët nuk ngurruan aspak që këtë aktvendim ta interpretonin në mënyrën e tyre bombastike – se Albin Kurti nuk do ta ketë të drejtën e kandidimit për deputet në zgjedhjet e parakohshme, të cilat pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese u caktuan për datën 14 shkurt.
Disa nga "mercenarët kujdestarë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", ku bëjnë pjesë qoftë "njohës të ligjit e Kushtetutës", qoftë "gazetarë dhe analistë të ndryshëm mercenarë", shkuan edhe më larg duke mos hezituar që me interpretimin e tyre Albin Kurtit jo vetëm që ia mohojnë të drejtën e kandidimit për deputet në kuvendin e ardhshëm, i cili do të derivojë nga zgjedhjet e parakohshme, por ia ndalojnë edhe kandidimin për kryeministër. Kjo kakofoni e zërave të mercenarëve mediatikë vetëm sa do të shtohet ditëve në vijim. Duhet arsyetuar te sponsorët!
I shohim çdo ditë se si pas dhunimit të cilit ua bëjnë shikuesve të debateve dhe "analizave" politike aderojnë nëpër parti politike dhe kryesisht në po ato parti politike të cilën Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje në të cilën gjendet sot, pas 22 vjetësh, duke qeverisur herë ndaras e herë bashkërisht njëra me tjetrën.
Nuk janë në Kosovë vetëm gjyqësia dhe drejtësia të kapura, ashtu siç pretendohet, por është edhe "pushteti i katërt" nga ajo që në Kosovë mëtojnë ta quajnë gazetari.
Është marrë me punët dhe shpëlarjen e punëve më të pista të politikanëve dhe skenës politike në Kosovë.
Sigurisht se Kosova ka edhe gazetarë të cilët punën e tyre e kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm, mirëpo është një pjesë e tyre që mbi supe bart po aq gjynahe sa edhe vetë politikanët – në ato gjella janë zier së bashku në kazanët politikë. Por, në fund të fundit, secili e bart kryqin e vet mbi supe për mëkatet e bëra dhe shkaktuara. Drejtësia mund të vonojë, por ajo gjithmonë disi e gjen rrugën e saj për të triumfuar.
Është e mahnitshme ku e gjen Kosova gjithë atë "kapital intelektual" për të debatuar dhe analizuar çdo natë, në shtatë studio televizive, nga mesatarisht 1-2 orë drejtpërdrejt, nga temat që variojnë nga arinjtë polarë dhe ngrohja globale, e deri te rënia e prodhimit të baskive në Kyrgyzstan.
Në mungesë fushatash të partive politike në ambientet e mbyllura, holle sportive e salla të ndryshme dasmash e konferencash për shkak të pandemisë, gjithçka do të ndodhë nëpër studiot televizive, ku mercenarët e shumtë mediatikë do ta kenë mundësinë dhe lehtësinë që të konfirmohen pro agjendave të sponsorëve të tyre direktë dhe inidrektë politikë. Publiku kosovar nuk është më ai publiku naiv i cili verbërisht beson në atë çfarë sheh dhe dëgjon nëpër studiot televizive. Aty do të jetë një pjesë e popullatës e cila, qoftë për shkak të punësimeve apo angazhimeve të ndryshme biznesore me partitë politike dhe qeveritë e shkuara, gjithmonë do të qëndrojë e heshtur, pavarësisht ngjarjeve dhe ndodhive në aktualitet ditore politike të Kosovës, përderisa atyre askush personalisht nuk ua prish tymin e duhanit. Këta, për mendimin tim, e përbëjnë atë përqindjen e "intelektualëve latentë", të gatshëm për bashkëpunim me çfarëdo qeverie e çfarëdo partie politike që qeveris. Diplomacia i njeh me emërtimin ‘konformistë’.
Ngjarja e dytë apo kabllogrami i dytë me të cilin dëshiroj të merrem sigurisht se do të jetë ngjarja në Washington DC. Diçka për të cilën ka kohë se unë personalisht publikisht kam shprehur drojën time se do të mund të vijë deri te një epilog i tillë.
Donald J. Trump, presidenti aktual i SHBA-së, qysh se shfaqi apetitet e tij për t’u kyçur direkt në politikë dhe qysh se kandidoi në garën për president të SHBA-së, krejt çka ka arritur të bëjë është të shkaktojë elektrizimin e skajshëm të dy kampeve politike e ndasinë në popullin amerikan si asnjëherë më parë që nga përfundimi i Luftës Civile më 1865.
Ndoshta po tingëllon pak e vrazhdë kjo analogji, mirëpo ngjarjet e djeshme të cilat ne jemi mësuar t’i shohim vetëm në parlamentet e Bjellorusisë, Serbisë, Rumanisë e Maqedonisë Veriore, ndodhën pikërisht në djepin e demokracisë botërore, në dhomat e Kongresit dhe Senatit amerikan. Për disa orë pamë se si edhe forcat e sigurisë kapitulluan përballë protestuesve të cilët arritën t’i thyejnë barrierat dhe të depërtojnë në hapësirat e brendshme të dhomave të Senatit dhe Kongresit amerikan, ku po mbahej mbledhja e senatorëve dhe zyrtarizimi i numërimit të votave e shpallja e fituesit të garës presidenciale, z. Joe Biden. Ata u detyruan që për shkaqe sigurie të strehoheshin në ambiente të sigurta brenda ndërtesës, përderisa protestuesit po bënin selfie e edhe po demolonin pjesë të caktuara të sallave të ndryshme në kuadër të kësaj ndërtese impozante pishtare të demokracisë botërore. Aty brenda një grua u qëllua me armë zjarri dhe e njëjta më vonë ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra. Kanalet e shumta televizive amerikane nuk hezituan që këtë protestë të ndezur dhe të shtyrë nga vetë presidenti Donald Trump ta quanin "akt terrorist vendor". Në secilën cicërimë të cilën Trumpi e bënte në Twitter, vazhdonte t’i hidhte benzinë zjarrit, gjë të cilën ky e ka bërë gjatë gjithë kohës së tij si president i SHBA-së, mirëpo tash situata kishte arritur në pikën ku më nuk kishte kthim mbrapa.
Me ta kuptuar seriozitetin e situatës e cila tashmë i kishte kaluar të gjitha përmasat e vetëm përçarjeve politike bipartizane, kongresistët dhe senatorët republikanë filluan që publikisht t'ia kthenin shpinën presidentit Trump, gjë të cilën e bëri edhe nënpresidenti Mike Pence, i cili kuptoi se rendi kushtetues dhe vetë demokracia amerikane po ballafaqoheshin direkt me një rrezik të paparë deri më tani. Mirëpo, çmimi i konformizmit të verbër ndaj presidentit Trump tashmë kishte arritur vlerën e madhe dhe gati të papërballueshme.
Më pas, si duket duke e anashkaluar autorizimin e presidentit Trump, ftohet edhe Garda Kombëtare për t’u marrë me çështjet e sigurisë në Capitol Hill dhe rrugëve të cilat dërgojnë aty. Gjithashtu, nga ora 18:00 shpallet ora policore dhe lëvizjet e qytetarëve kufizohen. Pas disa orësh, në orët e mbrëmjes, prapë vjen deri te vazhdimi i mbledhjes së Senatit amerikan, certifikimi i zgjedhjeve dhe shpallja e fituesit të garës presidenciale. Përkundër të gjitha ngjarjeve dramatike të ditës së djeshme, gjatë votimit ende mbetën 6-7 senatorë republikanë lojalë ndaj presidentit dhe ata ishin të vetmit të cilët votuan kundër.
Ajo që mbetet e sigurt është se në historinë amerikane presidenti Trump do të shënohet si presidenti më i dëmshëm për Amerikën dhe demokracinë botërore. Jam i sigurt në pragmatizmin amerikan dhe moshezitimin e tyre që atij t'ia japin vendin meritor në histori, e nuk është larg mendsh që atij t’i jepet edhe vendi meritor në gjyqet amerikane, duke ngritur padi të ndryshme ndaj tij - prej shmangies anti-ligjore të pagimit të taksave e deri te mospërmbushja e detyrave të tij kushtetuese, e pse jo edhe tradhtia?!
Mirëpo, unë mbetem me skepticizmin e njëjtë kur bëhet fjalë për servilët dhe Trumpistët jo të paktë brenda nesh në Kosovë. Ata sigurisht se do të vazhdojnë më tutje pa asnjë ferrë në këmbë dhe do të vazhdojnë me etiketimet e radhës për "anti-amerikanët", me gjuhën e tyre prej konformistësh të çastit.