OpEd

Këneta e vogël, krokodilë plot*!

… E pasi që e përmenda krokodilin, titulli i ditarit tim këtë javë nuk ka të bëjë me përmbysje të kanalizimit në ndonjë butik në Kosovë, i cili shet bluza “Lacosta” Made in China, por përrallën ekzotike nga ana e shkrimtarit të njohur botëror nga Danimarka, Hans Christian Asdrenssen, për moçalin përrallor

E enjte, 14 mars 2019

Dje e përjetova njërën ndër ditët më të vështira të jetës sime, e gjithashtu besoj se edhe ju.

Facebooku, Instagrami dhe Whatsappi kishin rënë nga sistemi dhe për ato orët kur qasja në kabllogramet e mia diplomatike në Facebook ishte vështirësuar e të mos them edhe pamundësuar, i ndjeva peshën dhe vuajtjet e të jetuarit.

Por siç duket sot ambasada ime i kthehet punës në normalitet dhe shenjën “POPIS”* do ta heqë nga dera e saj.

Kabllogramet diplomatike kanë filluar të marrin atë elanin e hershëm pranveror dhe ngjarjet sa vijnë e shtohen.

Njëri kabllogram diplomatik, të cilin do ta veçoja për këtë javë në ditarin tim padyshim se do të ishte vizita të cilën Baton Haxhiu, Ben Blushi, Blendi Fevziu dhe Samir Mane po i bënin Panamasë këtë javë. Për ekselencën time si diplomat i kalibrit që jam, më duhet të lexoj mes rreshtash për këtë ekuacion me tre gazetarë-opinionbërës në trevat shqiptare, plus një oligark ose përkthyer në terma matematikorë ekuacion pa asnjë të panjohur. Kur e kemi parasysh se Panamaja së fundmi u bë e njohur me aferën e quajtur “Panama Papers” nga Wikileaks, e cila zbuloi afera të shumta korruptuese me offshore xhirollogari të dyshimta dhe mashtruese financiare nga politikanë dhe fytyra të ndryshme publike botërore. Të gjithë i pamë fotot si dhe videot simpatike të Baglonit, duke vallëzuar “Voodoo Dance” për lirim të Burdushit apo “ndarje të Kosovës”, koha do ta dëshmojë.

Gjithashtu, pamë edhe fotot ekzotike të katër kalorësve të apokapsllëkut medial me kapelat e famshme të Panamasë. E tani ambasadori juaj do ta çmontojë zgjidhjen e ekuacionit pa asnjë të panjohur. Afera “Panama Toilet Papers” nga ShikiLeaks ndërlidhet me prononcimin e kryediplomatit kosovar Behgjet Pacolli para ca ditësh se Kosova dhe Kolumbia do të vendosin marrëdhënie diplomatike, dhe do t’i hapin ambasadat e tyre në përfaqësim të plotë diplomatik dhe nuhatjes për oportunitet në biznes, që dosti i tij Batoni i bën situatës, dhe jam më se i sigurt se ky është edhe ideatori i bashkimit të katër kalorësve të apokapsllëkut medial. Panamaja me Kolumbinë ndahet nga kanali i famshëm i Panamasë. Për turizëm e vend ekzotik kjo katërshe kishte me shku në Maldive si krejt shqiptaria, po Maldivet nuk shquhen për miellin tip 400 edhe tip 800, atje veç kallamari ka. Po përveç Kolumbisë menjëherë aty afër është edhe Venezuela, e cila këtyre ditëve është duke e përjetuar terrin e plotë të furnizimit me energji elektrike, e sa i përket territ informativ ja tash e kanë edhe treshen e famshme, atje plus sponsorin gjeneral të udhëtimit të tyre që të përkujdeset për atë pjesë të programit qeveritar të Venezuelës. Ju thash ekuacion pa asnjë të panjohur, pak shkathtësi diplomatike dhe volla, rezultati i pastër si loti i krokodilit.

… E pasi që e përmenda krokodilin, titulli i ditarit tim këtë javë nuk ka të bëjë me përmbysje të kanalizimit në ndonjë butik në Kosovë, i cili shet bluza “Lacosta” Made in China, por përrallën ekzotike nga ana e shkrimtarit të njohur botëror nga Danimarka, Hans Christian Asdrenssen, për moçalin përrallor!

Kishte qenë një herë prej herësh një moçal, i gjerë, i gjatë, i bukur, i cili premtonte shumë jetë dhe harmoni. Aty thuajse çdo gjë ishte e përkryer dhe natyra po e mbante çdo gjë në balancë, ashtu siç ajo di më së miri. Shumë gjallesa jetonin dhe gjallëronin në moçal, por edhe përreth natyrës së bukur të moçalit.

Një ditë pas një trazire që e shkaktoi një stuhi e madhe, e cila e kishte kapluar moçalin, mëngjesi agoi me banorë të ri në moçal. Një çift krokodilësh, të cilët kishin kërkuar shpëtim nga stuhia tashmë ishin bërë banorë të kësaj oaze, e cila pas stuhisë prapë po e rimerrte veten dhe po i kthehej jeta me vrull. Erdhën lejlekët, erdhën flamingot e bukura këmbëgjata, pilivesat indigo-blu po fluturonin ulët mbi ujë me atë bukurinë e tyre prej helikopterëve natyralë miniaturë, lulet e lotusit kanë çelë dhe sa e shtojnë bukurinë e moçalit, kallamet e gjata buzë moçalit veç sa e shtojnë bukurinë e kësaj pamje idilike. Dëgjohen edhe gumëzhimat e përroskave të shumta që derdhen në moçal dhe mundësojnë filtrimin dhe qarkullimin e ujit të moçalit. Peshq nga më të ndryshmit e popullojnë ujin e moçalit, i cili nuk është i cekët. Drenushat, lepujt, kitrat, të gjitha vijnë aty pranë moçalit për të pirë ujin e freskët të përroskave që derdhen në moçal. Cicërimat e zogjve të shumtë përreth moçalit dhe këngët e tyre të bukura, dhe të pafundme po jehonin në pyjet e dendura me drunj dhe gjelbërim përreth moçalit të madh. Çifti i ri i krokodilëve gjeti habitat më se të përshtatshëm që të krijonte familjen e vet dhe të fillonte të gjallëronte në moçal. Familja e tyre u shtua edhe me shumë anëtarë të tjerë. Shquheshin për apetit të pandalshëm. Ha, pi, rri e BEEP. Secili nga ta do të gllabëronte çka do që do t’i arrinte goja. Do t’i bllokonin përroskat për t’ua zënë kafshëve pritën, do të zaptonin vendbanime dhe strofuj shumëvjeçare. Krokodilët dhe apetiti i tyre po dilnin jashtë kontrollit.

U gllabërua pothuajse gjithçka. Nga ngritja e digave të krokodilëve gati është shtjerrë ai moçal i pasur, që dikur premtonte një ekosistem të pasur për të gjitha gjallesat në të dhe përreth tij. Tani në atë llumin e kënetës kanë ngelur vetëm krokodilët dhe ashtu anash bretkosat me krekosjet e tyre. E në këtë ekosistem tashmë të trazuar, krokodilët do t’i hidhen njëri-tjetrit në qafë aty në llum pasi që e kanë trazuar zinxhirin ushqimor natyror, duke gllabëruar çdo gjë që u kishte dalë përpara. U gllabëruan lejlekët e bukur këmbëgjatë dhe elegantë, u gllabëruan shumë lloje peshqish të cilët jetonin në moçalin e dikurshëm, as pilivesat më nuk shihen me kaltërsinë e tyre indigo, duke fluturuar ulët përmbi ujë, edhe lulet e bukura të lotusit, të cilat notonin mbi moçal më nuk janë. Edhe kafshët e tjera të cilat jetonin buzë moçalit nuk shihen më. Mbetën vetëm llumi dhe krokodilët. Hedhja e tyre mbi njëri-tjetrin mbetet e pashmangshme, krokokanibalizmi në aksion. Idila e moçalit premtues mund të kthehet përsëri kur krokodili i fundit do të karbonizohet në llumin e kënetës. E dhimbshme kjo përralla e Asdrenssenit për fëmijë e për të rritur.

Përndryshe në vazhdën e punësimeve familjare partiake telekomitët vazhdojnë me kërdinë e tyre, me gjithë gërdinë tonë. Mërgim Lushtaku punësoi vjehrrin e tij 60-vjeçar në Telekomb. Ai kishte përgatitje dhe aftësi superiore si agjent i shitjes. Mendoj se kontributi i tij parapensional do të jetë i tejçmueshëm për kompaninë buzë greminës.

Djali i Muharrem Nitajt, deputet i AAK-së, gjithashtu, ishte punësuar në kuadër të marketingut në Telekomb. Sipas prononcimeve të Muharremit, a ka pasë djali me i vdekë uni a? Djalin e paska super të përgatitur dhe ai ka flijuar për komb e ka lëshuar vendin e punës me rrogë më të madhe për të ardhur në vend me rrogë më të vogël dhe pozitë më të ulët. Lavdi!

Donika Kadaj-Bujupi, gjithashtu, e kishte punësuar bashkëshortin e saj në Telekomb. Kishte deklaruar se ai qenka jurist i diplomuar qe 20 vjet, por i papunë dhe tani ekspertiza e tij do t’i hyjë në punë një organizate para falimentimit me pozitën e tij si agjent i shitjes.

Sikur vetëm ta dija se çka janë duke shitur këta agjentët e shitjes së telekombit?

Gjithashtu, më rastisi të pranoj kabllograme të ndryshme në lidhje me disa intervista dhe prononcime, të cilat po i bënte nëpër Kosovë gonzo gazetari britanik, Graham Philipisi. Dëgjo këtu ti Graham Philipisi, pse unë shkruaj për “Kosovën e vogël me komandanta plot*”, ti nuk e ke atë të drejtë me ma përqeshë vendin, as flijimet e as vuajtjet dhe sakrificat tona. Në daç me ndejtë si mysafir të bëjmë muhabet deri në gushë, se ne atë problem me të huajt nuk e kemi, ndërmjet vete pak i kemi shtri brinat. Por nëse vjen në shtëpinë tonë për me na e fy çdo gjë që ka të bëjë me vuajtjet, sakrificën dhe mundin tonë, shkelmin e fundit në La Manche ta japim. Na kemi ditë me njekë njerëz bigajrihak pa na bo send e të pafajshëm në pikë të ditës, 6 prej tyre i kemi shkartiratë për Stamboll sa çel e mshel sytë, jo ty Philipisi i keq. Ptuuu me këlbaz.

*Popis - regjistrim i mallit