OpEd

“Jo më rrëfime pikëllimi”: Studentët kosovarë po negociojnë paragjykimet në Selanik

Nacionalizmi ndër të rinjtë në rajon ka rrënjët e veta në politikën që i ka çuar në ndjenjën se jemi “nën kërcënim” ose nuk po pranohemi

“Më nuk dua të jem e lidhur me gjëra të dhimbshme. Kur njerëzit më pyesin prej nga jam, u them se jam nga shteti më i ri në botë”.

Këto janë fjalët e një studenti shqiptar 25 vjeç nga Kosova në Selanik, të cilat i tha gjatë një interviste kur u pyet se si ua paraqiste vendin e tij grekëve në mjedisin nikoqir të tij shoqëror. Vendosmëria e tij për ta theksuar “jo më” në fillim dukej se nuk po përkonte me moshën e tij rinore. Ai i përket brezit të lindur gjatë ose menjëherë pas luftës në Kosovë. Shumë kosovarë të këtij brezi duket se janë të etur për ta riprezantuar veten dhe vendin e tyre nëpërmjet narratives optimiste me shikim përpara. Ata janë disi ndërmjet pritjeve dhe joshjeve të familjes së tyre dhe shoqërisë më të gjerë të vendlindjes në njërën anë; dhe shoqërisë nikoqire në anën tjetër. Si pasojë, ata negociojnë bindjet kozmopolitane, nacionaliste dhe etnike të vetes në mënyra nëpër të cilat, sipas sociologut Craig Calhoun (2008,434), nuk është e thënë që domosdoshmërisht të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Sipas Erving Goffmanit (1955, 5-19), infraksioni social-njerëzor mund të kuptohet nëpërmjet krahasimit me një lojë teatrale të performuar para një audience: njerëzit zgjedhin “fytyra” të ndryshme me qëllim që t’u përshtaten rrethanave relevante, sikur puna e aktorëve në skenë. Goffman e definon “fytyrën” si imazh të vetes që varet, në anën tjetër, mbi normat dhe vlerat e një shoqërie dhe në anën tjetër, nga situatat në të cilën zhvillohet interaksioni shoqëror.

Negocimi strategjik i identitetit të dikujt është fenomen që është edhe relevant në mesin e studentëve kosovarë në Greqi, sikur se kanë treguar rezultatet e studimit të Drosopulosit gjatë hulumtimit të gjerë të bazuar në intervista në terren, titulluar “Studentët kosovarë në Greqi: sfidomi dhe ndryshimi i paragjykimeve”, i cili kryer pjesërisht në kornizën e programit “Krijimi i njohurisë për Kosovën”, prej Fondacionit për Shoqëri të Hapur ndërmjet majit 2018 dhe dhjetorit 2019. Fokusuar në narrativat e shprehura prej kosovarëve të rinj për të paraqitur (dhe riprezantuar) vendin e tyre para grekëve, hulumtimi ka treguar se studentët kosovarë përdorin strategji të ndryshme për ta prezantuar veten, varësisht prej reagimit respektiv që u manifestohet nga shoqëria lokale dhe leksionet e nxjerra gjatë përvojës së tyre të jetesës në Greqi.

Kosovarët e rinj, sikur se ai i lartcekuri, përderisa synojnë të shkëputin identitetin e tyre prej nocioneve të luftës dhe traumës, priren të përplaseshin me kujtesën kolektive të grekëve, të cilët kanë ruajtur imazhin e mjegullt të Kosovës si pjesë e ish-Jugosllavisë dhe një vendi në konflikt të vazhdueshëm. Një hise e madhe e popullsisë greke është goxha injorante ndaj Kosovës së pavarur (Konstandinis & Armakolas 2014) dhe e kanë të paqartë gjuhën dominuese, fenë dhe popullsinë. Shumë grekë ende i përziejnë kosovarët me serbët. Kjo edhe është arsyeja pse studentët e rinj kosovarë, teksa theksojnë në rend të parë shqiptarinë si identitet parësor, e shohin si mënyrë për ta prezantuar Kosovën moderne para botës gjuhën dhe etnicitetin dominues. Dafina Paca (2015, 68-69) argumenton se “identiteti shqiptar i Kosovës nuk është thjesht unë jam shqiptare e Kosovës, sepse nuk jam serb ose shqiptar, por është më e ndërlikuar dhe sidomos kur vjen në raport me kontekstin e diasporave”. Në të shumtën e rasteve, studentët shqiptarë kosovarë në Greqi e prezantojnë veten qëllimshëm së pari si “shqiptarë” dhe pastaj si “kosovarë”, duke transferuar te kontekst socio-gjeografik grek dilemën e brendshme kosovare lidhur me dominimin e “identitetit etnik kundrejt atij kombëtar” (Sallova, 2015).

Një prej leksioneve të nxjerra, sidoqoftë gjatë qëndrimit të tyre në Greqi është se të qenit “shqiptar nga Kosova” dhe “shqiptar nga Shqipëria” mund të ngjallë reagime të ndryshme të banorëve lokalë. Me të parën, vendasit ju shohin si “viktimë të tragjedisë jugosllave” dhe me të dytin si “emigrant i varfër ekonomik, dhe shpesh ilegal”. Reagimi fillestar i grekëve ndaj një “kosovari” do të ishte përgjithësisht i lidhur me keqardhjen, përderisa ndaj një “shqiptari” mbase me mosbesimin. (Skoulidas in Schwandner-Sievers, 2003, 24). Dyja janë ndjenja negative në fakt dhe dyja përshkruajnë qëndrimin e përgjithshëm të popullit grek ndaj fqinjëve të tyre në Ballkan si tërësi. Argumentueshëm treguese si “Çerdhe orientalizmi” (Bakiq-Hayden dhe Hayden, 1992), përpjekjet e tilla të vetsuperioritetit mund të maskojnë sa për sy e faqe nacionalizmit grek, megjithëse prapa mund të shkaktojnë më shumë nacionalizëm si mjet të vetafirmimit kundrejt palës tjetër.

Stavri Dayo (2015) përdor termin “dyshim reciprok” për të përshkruar mënyrën se si grekët dhe shqiptarët e kanë perceptuar tradicionalisht njëri-tjetrin. Ky mosbesim i dyanshëm është i vërtetë edhe në ditët e sotme dhe goxha evident në narrativat e përdorura prej studentëve të rinj nga Greqia dhe Kosova kur pyeten për të përshkruar njëri-tjetrin. Andaj nuk është aspak e habitshme se grekët dhe kosovarët e konsiderojnë dyanshëm njëri-tjetrin si nacionalistë. Çfarë është habitësh, megjithatë, është fakti i përmasave se si të rinjtë nga të dyja palët mund të bëhen radikalë në përpjekjen e tyre për të ruajtur identitetin e tyre prej asaj çfarë e marrin si kërcënim potencial. Hulumtimi ka dokumentuar se ruajtja e vlerave shoqërore dhe etnike, dhe traditave familjare mund të bëhen më të rëndësishme se shoqëria, dashuria ose partneriteti në përtej linjave ndarëse kombëtare dhe etnike.

Nacionalizmi ndër të rinjtë në rajon ka rrënjët e veta në politikën që i ka çuar në ndjenjën se jemi “nën kërcënim” ose nuk po pranohemi. Ta zëmë, me një regjim të sertë vizash, rinia kosovare përjeton izolim në ngritje e jo zvetënim, dhe kjo ka ndikuar me të madhe se si kosovarët e rinj e shohin “botën e jashtme”, si dhe mënyrën se si “pjesa tjetër e botës” i sheh ata. Interpretimet e ndryshme greke dhe kosovare të tragjedisë jugosllave kanë konsoliduar edhe më imazhin e ngrirë të njëri-tjetrit dhe kanë bërë që shumë kosovarë të përshkruajnë Greqinë si një “Serbi mesdhetare”; vend armiqësor ndaj tyre dhe kulturalisht më të afërt me të tjerët (serbët), edhe për faktin e besimit të tyre të përbashkët të krishterë ortodoksë. Sidoqoftë negocimi i respondentëve, i paragjykimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme personale dhe shtigjet e jetës të dokumentuara në një studim më të gjerë, demonstrojnë se kjo është një mundësi e duhur e komunikimit me njëri-tjetrin, meqë ia mundëson reflektimit kritik për ndryshimin e supozimeve të mëhershme të konsoliduara dhe rrjedhimisht krijimin e kapaciteteve të brezit rinor për ndërgjegjen dhe njohjen e kulturës së tjetrit.

Si një mendim konkluzioni, mund të themi se në kohëra të radikalizmit në ngritje, duhet të kemi parasysh përgjegjësinë që shtetet kanë për qytetarët e tyre të rinj. Vizitat në vendin e tjetrit dhe përvoja personale e kulturës tjetër është mënyra e vetme që grekët dhe kosovarët të kuptojnë njëri-tjetrin dhe t’i sfidojnë paragjykimet ekzistuese. Dy qeveritë e kanë obligim moral që të lehtësojnë këtë shkëmbim. Dhe kur të garantohet kjo, është në duart e rinisë dhe sektorit rinor të gjejë kodet e përbashkëta të njohjes dhe që ta çojnë këtë shkëmbim edhe një hap më tutje.

(Mary Drosopulos, konsulente në fushën e të rinjve, dialogut ndërkulturor, të drejtave të njeriut, edukimit dhe transformimit të konfliktit, që nga viti 2016 është duke kryer hulumtime rreth rinisë kosovare, me fokus të veçantë në çështjet e identitetit, kulturës, pajtimit dhe marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Greqi. Stephanie Schwandner-Sievers (PhD Londër 2012, MA Berlin 1994), antropologe me përvojë të gjatë hulumtuese në Shqipërinë post-socialiste, Kosovën e pasluftës dhe diasporën shqiptare, në punën e saj përqendrohet në politikën e identitetit kombëtar dhe ballafaqimin me të kaluarën. Shkrimi është dërguar për publikim ekskluziv në “Koha Ditore”)