OpEd

Histeria

Cilido që të ketë qenë plani, skandali që e shkaktoi Brovina i pati dy rezultate të tmerrshme për Kosovën. Një qe tronditja masive psikologjike e popullatës. I dyti qe një autogol që Kosova, nëpërmjet PDK-së dhe Brovinës, ia bëri vetes në kohën kur Serbia insiston se masakrat në Kosovë janë trillime. Me dorën e vet të zgjatur, PDK-ja doli me një foto të rreme, tamam për t'i dhënë material Serbisë për të thënë: "ja, e shihni se kemi të drejtë se janë trillime, ngase provat e vetme që mund t'i paraqesin janë foto pornografike"

Përfundim të javës më të rëndë e dëshpërues moti nuk kemi përjetuar si shoqëri. Midis fushatës agresive dhe kakofonike të Kadri Veselit për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet që serbët i kanë kryer në Kosovë, arriti pika histerike e kësaj fushate, me një spektakël të neveritshëm ku aktorja kryesore u bë deputetja e përhershme e PDK-së, Flora Brovina.

Në një paraqitje mediatike të paparë, doli me sigurinë më të madhe në botë për t'ua treguar gazetarëve një fotografi të një dhunimi, duke qenë kategorike tek shpjegonte se viktima është ende e gjallë dhe se kjo kishte autorizimin të fliste në emër të saj. Sipas saj, nuk kishte dëshmi më të fuqishme se kjo që e arsyetonte nevojën për themelimin e një tribunali që do t'i gjykonte serbët, ngase ja, e kishte provën për dhunimet që kishin ndodhur në Kosovë.

E se dhunimet kanë ndodhur na e dëshmoi Vasfije Krasniqi-Goodman me rrëfimin e saj, si dhe me paraqitjen e saj para Kongresit amerikan. Dhe asnjë dëshmi tjetër nuk do të mundë të ishte më e fuqishme se Vasfija ia shpalosi fytyrën e vet publikut dhe po atyre deputetëve të PDK-së që kishin refuzuar ta votonin ligjin që i trajtonte gratë e dhunuara gjatë luftës së Kosovës. E në mesin e atyre që nuk morën pjesë fare në votim atë ditë, ka qenë edhe Flora Brovina.

Pse, Flora?

Më 2014, në kohën kur PDK-ja bënte luftë për ta marrë pushtetin, të cilin edhe e mori duke iu falënderuar interpretimit katastrofik të Gjykatës Kushtetuese, Flora Brovina, si deputetja më e moshuar, sillej si të ishte shef i shefave. Fitonte kohë për shefin e vet Thaçin, thërriste mbledhje vend e pavend dhe jepte deklarata pa ndonjë kuptim. Rolin e kreu shumë mirë falë nënshtrimit absolut ndaj “disiplinës partiake” (lexo udhëzimeve të shefit), ani që jo pak njerëz kishim ngritur zërin për t'i thënë që kjo që po e bënte nuk ishte në interes të Kosovës. Madje në njërën zgafellë i kisha bërë thirrje që t'ia shpëtonte vetes fytyrën e të mos merrej më me seanca, nëse për asgjë tjetër, atëherë për hir të nderimit të gruas kosovare që aq shumë e mbron, në teori, prej vitesh.

Kur në opinion dolën incizimet Pronto, dhe ku shefi i shefave me dosta përdornin gjuhën më banale për ta kritikuar për një veprim, Brovina zgjodhi të mos ulej me grupin e vet parlamentar. Në vend se të jepte dorëheqje nga partia dhe ta ruante dinjitetin e vet, jo vetëm që pranoi të kthehej, por edhe garoi sërish në zgjedhjet e radhës.

Më pas kaloi një kohë e gjatë ku nuk iu dëgjua zëri deri pardje. Pos që ia doli ta trondiste komplet një shoqëri me mënyrën e vrazhdë të paraqitjes së "një dëshmie", e mbajti veten në fokus gjithë ditën duke e paraqitur edhe një fotografi në seancë, përderisa gjithë kohën thoshte se e kishte autorizimin e viktimave për të folur në emër të tyre.

Me supozimin se fotoja që e mbante në dorë ishte autentike, është dashur të vepronte ndryshe: është dashur të shkonte te Prokuroria Speciale, ta bënte paraqitjen e fotos dhe t'i thoshte Prokurorisë se po qe se nuk do të ndërmerrej asnjë veprim, do të mundë të dilte në opinion me të dikur pas një kohe. Pas dorëzimit të kësaj "dëshmie" do të mundë t'i thërriste gazetarët e t'u thoshte se e ka dorëzuar një provë të rëndësishme dhe të bënte thirrje që edhe të tjerët të paraqisnin prova. Por jo, nuk e bëri. Zgjodhi të bëhet ylli i ditës duke na lënë të gjithëve të shokuar me atë që na e paraqiti.

Cili paska qenë qëllimi?

Pasdite e morëm vesh nga disa burime që fotoja në fjalë ishte një nga disa fotot e nxjerra nga një film pornografik, thuhej irakian, po fundja nuk është edhe me rëndësi origjina. Të nesërmen do të merrnim vesh se filmi është xhiruar në Hungari; që ishte përdorur nga një gazetë amerikane për t'i akuzuar ushtarët amerikanë për dhunime në Irak, dhe e cila gazetë kishte kërkuar falje menjëherë të nesërmen diku në mars të 2004-s.

Po atë natë, Brovina insistonte se fotoja ishte autentike dhe se këtë do t'ua dëshmonte Policisë dhe Prokurorisë.

Dje, doli para Kuvendit për të kërkuar falje dhe për të pranuar se fotografia ishte e rreme. Por nuk u mjaftua me aq, por tha edhe se këtë fotografi e kishte në dorë që nga 2003-a dhe se atë ia kishte dhënë dikush nga KMDLNJ-ja (që e mohoi kategorikisht) dhe nga Mevlyde Saraçi (e cila gjithashtu e mohoi kategorikisht, duke paralajmëruar edhe padinë për shpifje).

Por, të supozojmë se këtë foto e paska mbajtur në sirtar qe 16 vjet, pse pikërisht e zgjodhi ditën e enjte për ta bërë publike? Pse përnjëherë u zgjua nevoja për të folur për gratë e dhunuara, pse përnjëherë nevoja për ta shpalosur një fotografi aq të shëmtuar? Nëse e paska bërë krye më vete, atëherë mbase do të ketë kërkuar protagonizëm. Por gjasat janë se dikush nga partia e saj ta ketë udhëzuar të vepronte kështu, duke e pasur parasysh faktin se ajo ka qenë e burgosur politike që ende mund të gëzojë besimin e popullit -- pra njerëzit nuk do të mundë të dyshonin në atë që e thotë, duke e marrë parasysh se gjithashtu ka qenë aktiviste për të drejtat e grave.

Por pse pikërisht tash, dhe pse me një foto të tillë që qarkullon nëpër internet që sa e sa vjet?

Mund të jetë teori konspiracioni, por më shkojnë në mendje dy gjëra: e para që nëpërmjet fotos, është mëtuar zemërimi i popullatës që do të duhej të shpërthente në trazira të vrullshme, e të cilat trazira do të mundë t'i kontrollonin vetëm dikush si shefi i shtetit që nuk ia di emrin as shërbimit të spiunimit të cilin e quan AIK apo edhe shefi i saj aktual, kryeparlamentari. Pra, njerëz që do të duhej të dëshmoheshin të fuqishëm për t'i ndalur trazirat për shkak të autoritetit që e gëzojnë dhe si të tillë të paraqiteshin shpëtimtarët e këtij vendi dhe faktorët e stabilitetit. Me fjalë të tjera, do të dëshmoheshin aq të domosdoshëm, saqë nuk do të duhej të prekeshin nga Specialja. Sepse përndryshe ky vend do të shkatërrohej.

Teoria e dytë që më shkon nëpër mendje rrjedh nga përpjekja për ta shfajësuar veten duke i përfshirë KMDLNJ-në dhe Saraçin në gjithë këtë skemë. Për të parën dihet se e ka punuar monografinë e krimeve të luftës dhe se që nga themelimi është marrë me mbledhjen e materialeve që e dëshmojnë shkeljen e të drejtave të njeriut. Për të dytën e dimë që para pak kohësh ka dorëzuar në prokurori një grumbull materialesh që flasin për krimet serbe në Gjakovë. Pra, me implikimin e tyre në këtë ngjarje, thuajse qëllimi është që të monopolizohet e drejta për të mbledhur dhe ofruar dëshmitë që duhen përfunduar gjithsesi me themelimin e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që i kanë kryer serbët. Dhe njëkohësisht të diskreditohen të gjithë të tjerët.

Plani në hije

E meqë Tribunali ka shumë pak gjasa të krijohet, mbase po insistohet me shumë ngulm në këtë çështje ashtu që të rihapet çështja e ligjit për Gjykatën Speciale, dhe që ai të amendohet. Teknikisht ka mundësi për një punë të tillë, ngase do të mjaftonte të riformulohej alineja 1 e nenit 6 i ligjit që thotë: Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi krimet e parapara në nenet 12–16 që kanë të bëjnë me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës" dhe t'i shtohet "edhe krimeve të kryera në Kosovë e që nuk janë përfshirë në raport".

Porse duke e ditur intencën e të gjitha partive të dala nga lufta për ta shlyer këtë ligj, nuk e besoj se shtetet perëndimore që mezi e ndalën turrin për ndalimin e veprimit të tij, do të lejonin që ky ligj të rihapej për amendamente. Kjo, ngase ekziston droja e bazuar se ky amendim do të shfrytëzohej, në fakt, për ta shfuqizuar atë, ashtu që personat më të përfolur se do të akuzohen nga ky institucion do të shpëtonin nga ndjekja penale. Nëse kështu e ka menduar Veseli se do ta arrijë qëllimin e tij të vërtetë, nuk e besoj se kjo do t'i funksionojë. Sepse edhe të huajt tashmë janë ngopur me gjepura të tilla.

Cilido që të ketë qenë plani, skandali që e shkaktoi Brovina i pati dy rezultate të tmerrshme për Kosovën. Një qe tronditja masive psikologjike e popullatës. I dyti qe një autogol që Kosova, nëpërmjet PDK-së dhe Brovinës, ia bëri vetes në kohën kur Serbia insiston se masakrat në Kosovë janë trillime. Me dorën e vet të zgjatur, PDK-ja doli me një foto të rreme, tamam për t'i dhënë material Serbisë për të thënë: "ja, e shihni se kemi të drejtë se janë trillime, ngase provat e vetme që mund t'i paraqesin janë foto pornografike".

* * *

Për këtë skandal, prej PDK-së u deklarua vetëm Veseli, duke i larë duart dhe duke ia lënë fajin Brovinës për gabimin e madh. Nuk u dëgjua zëri i asnjë gruaje të vetme nga kjo parti - thuajse edhe këto mund të flasin vetëm kur këtë ua urdhërojnë shefat (varet se me cilin fraksion janë). Asnjë fjalë qortimi a solidarizimi, nuk është me rëndësi. Vetëm heshtje oportuniste.

E di që është shumë për të kërkuar, porse në një shtet normal, madje edhe kryetari i partisë do të duhej të dorëhiqej për këtë punë, se deputetja po se po. Dëmi që ia kanë shkaktuar kredibilitetit edhe ashtu përtokë të Kosovës, është i pariparueshëm.

Në vend të fushatës kakofoniko-histerike për themelimin e një tribunali ndërkombëtar, që madje as që varet nga ne, më mirë të ishin marrë me riparimin e dëmit të shkaktuar kur është mbyllur Instituti për Krime Lufte. Pa ndonjë arsyetim të mirëfilltë, e kanë shndërruar në një copëz të një departamenti jofunksional brenda Ministrisë së Drejtësisë. Për shkak se kjo e fundit e ka parë më të arsyeshme që paratë e Institutit t'ua ndajë atyre që do të shkojnë në Hagë, sesa që vërtet të punojë në mbledhjen e fakteve që do t'i qitnin më në fund në pah krejt krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë.

Provincializimi me të cilin e kanë udhëhequr politikën në Kosovë në 20 vjetët e fundit gradualisht na ka fundosur në pozitën e dhunuesit, kur në të vërtetë kurrë nuk prajtëm së qeni viktima: një herë të Serbisë e tash edhe të kumandatave injorantë, kapës të shtetit.

[email protected]