Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Hipokrizia e internetit e Indisë

Si demokracia më e madhe e botës, India konsiderohet gjithandej si një prej “përcaktuesve digjitalë” në debatet për normat kibernetike. Por, vendimet e Qeverisë së Modit lidhur me përdorimin e interneti bien ndesh me deklaratën e nënshkruar muajin e kaluar. India nuk mund të hajë me dy lugë

Në samitin e muajit të kaluar të shtatë shteteve më të zhvilluara, India iu bashkua njëmbëdhjetë nënshkruesve të tjerë, nga Kanadaja, Bashkimi Evropian e deri te Koreja Jugore, për të nxjerrë një deklaratë me të cilën afirmojnë “bindjen e përbashkët në shoqëri të hapur, vlera demokratike dhe multilateralizëm”. Deklarata theksonte përkushtimin e firmëtarëve për rregullat dhe normat ndërkombëtare të lidhura me “lirinë e shprehjes, online dhe offline” dhe identifikonte “ndërprerjen e internetit për motive politike”, si kërcënim ndaj lirisë dhe demokracisë. Sipas këtij përkufizimi, India më nuk mund të konsiderohet model i vlerave demokratike.

Potenciali i internetit si një forcë për të mirë është i njohur tashmë, jo vetëm për qytetarët e Indisë. Gjatë valës së dytë shkatërruese të pandemisë së koronavirusit, kur dështuan shërbimet publike, indianët përdorën platformat e mediave sociale, si Twitter dhe WhatsApp si burime të rëndësishme për masat e gjera.

Indianët gjithashtu platformat e tilla për të organizuar dhe mobilizuar përkrahje për protestat kundër reformave agrikulturore kundërthënëse dhe Amendamentit të ligjit diskriminues të shtetësisë. Por partia në pushtet, Bharatiya Janata, e cilësoi këtë si të papranueshme, dhe Qeveria e kryeministrit Narendra Modi vazhdimisht anuloi qasjen online nën maskimin e “ruajtjes së sigurisë publike”.

Në fakt prejse partia BJP erdhi në pushtet më 2014, internetin e ka ndërprerë 521 herë. Por, për shkak se ndërprerjet janë instrument i ashpër, Qeveria po mundohet të krijojë kontroll më konsistent se si mund të operojë interneti, nëpërmjet Rregullave të Informacionit Teknologjik më 2021.

Fuqizuar në shkurt pa konsultime të nevojshme publike e debat parlamentar, dokumenti i jep Qeverisë indiane të drejtën e mbylljes së përmbajtjes online. Kjo përfshin edhe detyrimin e platformave të internetit që të heqin postime ose xhirimet që konsiderohen si shpifje, me gjuhë të urrejtjes ose në kundërshtim me integritetin dhe sovranitetin e vendit.

Edhe India me paralajmërim për Facebookun dhe YouTuben Tech India me paralajmërim për Facebookun dhe YouTuben

Rregullat instruktojnë gjithashtu kompanitë e mediave sociale që të emërojnë shefa ekzekutivë me qëndrim në Indi, që do të mund të mbaheshin përgjegjës për çfarëdo shkeljeje të mundshme. Dhe mbase më e rënda është se shërbimeve të mesazheve u kërkohet të zbatojnë “gjurmimin” e të gjitha mesazheve që dërgohen nëpërmjet shërbimeve të tyre, rrjedhimisht duke thyer rregullat e enkriptimit që i përdorin platformat e ndryshme për përdoruesit e tyre.

Afërmendsh, Qeveria e Indisë ngulmon se po vepron me qëllimet më të mira: për të frenuar krimin dhe për të ruajtur sigurinë e grave dhe të fëmijëve. Në fakt, po e bën pikërisht të kundërtën. Me sulmin kundër enkriptimit, po kërcënon sigurinë e popullit të Indisë, përfshirë edhe shtresat më të cenueshme.

Enkriptimi është mekanizmi më i fuqishëm dhe më i përhapur për të siguruar privatësinë dhe sigurinë për përdoruesit e internetit. Enkriptimi dërgues-marrës – që siguron se askush tjetër pos dërguesit dhe marrësit nuk mund ta dekriptojnë dhe lexojnë – është standard ari për sigurinë e internetit. Kur dobësohet ose thyhet, rreziqet e eksploatimit kriminal, përgjimit të paligjshëm dhe abuzimit, mund të rrezikojnë edhe sigurinë personale edhe atë kombëtare. Debati nuk është thjesht ndërmjet privatësisë dhe sigurisë. Në fakt, Qeveria po i sakrifikon të dyja.

Nuk është e habitshme se rregullat e reja janë kritikuar me të madhe. Twitter, zyrat e të cilit në Indi janë bastisur nga policia në maj pasi platforma i konsideroi postimet e një zyrtari të Qeverisë si “media e manipuluar”, i përshkroi rregullat si “kontroll të rrezikshëm”.

WhatsApp nga ana e vet ka paditur Qeverinë indiane, duke pretenduar se kërkesa për gjurmim përbën shkelje të rregullave të enkriptimit. Meqë kompania nuk mund të parashikojë se cilat mesazhe mund të jenë subjekt i urdhrit për gjurmim, thuhet në padi, do të duhet të identifikojë prejardhjen e çdo mesazhi gjithnjë në platformën e vet.

Fundja, rregullat janë jokushtetuese, thuhet në padi, sepse shkelin privatësinë pa kaluar nëpër testin e nevojshëm trefazor, të përcaktuar në një verdikt të vitit 2017 nga Gjykata Supreme, që u mor me legalitetin, domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin. Edhe pikat e tjera të padisë merren me argumente të ngjashme.

Kompanitë e teknologjisë nuk janë të vetme në kundërshtimin e rregullave të inxhinierisë teknologjike. Tre raportues specialë të Kombeve të Bashkuara – për promovimin dhe mbrojtjen e së drejtës së lirisë së opinionit dhe shprehjes, për të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe mbledhjes, dhe për të drejtën e privatësisë – i kanë bërë thirrje Indisë të tërhiqet, të rishikojë dhe të rivlerësojë aspekte të rregullave. Sikur është shkruar, raportuesit vlerësojnë se rregullat janë jokonsistente me normat e të drejtave ndërkombëtare të njeriut të mishëruara në Konventën ndërkombëtare të të drejtave politike dhe civile, traktat që India e ka ratifikuar më 1979.

Letra e raportuesve spikat edhe faktin se gjuha e dykuptimshme e rregullave lë hapësirë për abuzim. Dhe ekspertët kanë theksuar se gjurmimi, pos që përbën rrezik për sigurinë dhe privatësinë, nuk pritet as të jetë efikas.

Edhe OpEd India në udhëkryq

Si demokracia më e madhe e botës, India konsiderohet gjithandej si një prej “përcaktuesve digjitalë” në debatet për normat kibernetike. Por, vendimet e Qeverisë së Modit lidhur me përdorimin e interneti bien ndesh me deklaratën e nënshkruar muajin e kaluar. India nuk mund të hajë me dy lugë.

(Autorja është menaxhere e politikave në Shoqërinë e Internetit, shoqatë globale joprofitabile që punon internet globalisht të hapur, të lidhur, të sigurt dhe të besueshëm. Pikëpamjet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e Shoqërisë së Internetit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)