Ne në Kosovë kemi shumë arsye të ndihemi të zhgënjyer me zgjedhjet, duke pasur parasysh se u desh të presim gjashtë muaj që të niste e të përfundonte një seancë konstitutive. Pra, që të funksiononim me qeveri në detyrë mbi dhjetë muaj, në periudhë krize politike e ekonomike që nuk është përjetuar kaq fuqishëm që nga koha e pandemisë, e që na la me pasoja. Pasoja që do t’i bartim edhe kushedi sa kohë
Nesër do të ketë heshtje zgjedhore, dhe, uroj, ditë të mirë e të mbarë votimi. Pjesa e parë e fushatës mbaroi dhe mirë bëri që mbaroi se, kryesisht, na lodhi. Shumë fjalë, shumë premtime, shumë arrogancë, dhe në fund të çerekshekullit 21, ende premtime për ujë të pijshëm. Dhe kjo në vende ku ka burime uji, pra ku gjithnjë kanë ekzistuar. Kjo tregon për tiparin e dallueshëm të qeverisjes lokale në këta 25 vjet.
Premtim tjetër që thuajse u përsërit nga kandidatët në të gjitha komunat, qe ai për ndërtimin e shesheve në qyteza e fshatra.
Normal, ajo që te njihet shesh, është në fakt rrugë, e cila thuajse pa përjashtim shtrihet me granit e pllaka, që e ngrenë çmimin e projektit në hava.
Çështja e shesheve nëpër fshatra, megjithatë nuk do të ishte ide e keqe po të imitohej, për shembull, përvoja e shteteve në Amerikën Latine. Sheshi do të vendosej në qendër të vendbanimit; do ta kishte një podium për performanca artistike (si në formë karuseli statik), një hapësirë për vendosjen e karrigeve palosëse, një shirit për shëtitore, banka dhe shumë, shumë gjelbërim e lule. Pra, edhe park, edhe shesh.
Nejse. Me pâ ëndrra nuk kushton gjë.
* * *
Pra, nesër qytetari do të vendosë: ose del ose jo në zgjedhje. Por, përzgjedhja e atyre që potencialisht do të mund ta qeverisin komunën, do të bëhet nga votat që do të numërohen.
Ne në Kosovë kemi shumë arsye të ndihemi të zhgënjyer me zgjedhjet, duke pasur parasysh se u desh të presim gjashtë muaj që të niste e të përfundonte një seancë konstitutive. Pra, që të funksiononim me qeveri në detyrë mbi dhjetë muaj, në periudhë krize politike e ekonomike që nuk është përjetuar kaq fuqishëm që nga koha e pandemisë, e që na la me pasoja. Pasoja që do t’i bartim edhe kushedi sa kohë.
Çka tregoi fushata e zgjedhjeve lokale? Na e vërtetoi atë që e dimë prej kohësh: Kosova, me gjithë përpjekjet shumëdekadëshe për emancipim, vazhdon të jetë vend patriarkal.
Në mesin e njëqind e kusur kandidatëve për kryetarë komunash, më duket se nuk ishin më shumë se pesë gra në garë. Dhe pavarësisht se sa të artikuluara dhe kreative në fushatë, mbesin me shumë pak gjasa madje për të kaluar në balotazh. Pra, konstatojmë se për 25 vjet, Kosova e ka pasur “hu” një grua kryetare komune.
Mbase edhe për këtë shkak, komunat, me gjithë milionat që u kalojnë nëpër duar, nuk kanë përparuar ashtu siç është dashur. Mbase për shkak se ata që mbajnë pushtetet komunale, para prakticitetit dhe zgjidhjes së problemeve reale, udhëhiqen nga tenderët, me leje, e pa leje, me kushte e pa kushte.
Nuk e di se si do të vepronin gratë, mundem vetëm të paragjykoj se nuk do të tregoheshin aq grykëse sa janë dëshmuar shumica e kryetarëve, pavarësisht komunës.
* * *
Ndërkohë, derisa fushata komunale po i afrohej fundit, fundit i ra seanca konstitutive e kësaj legjislature që nervat na i ka prishur që nga prilli i sivjetmë.
Pas publikimit të aktgjykimit të radhës të Kushtetueses, vazhdimi i seancës u mbajt dje, dhe, si përherë, nisi me vonesë. Gjysmë orë pas kohës së përcaktuar, deputetët hynë në sallë; shumica votuan 27 herë kundër 9 kandidatëve të Listës Serbe dhe, me votat e LDK-së, e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar kuvendi nga radhët e komunitetit serb.
E ditur edhe pa u paralajmëruar, LS-ja do të ankohet në Kushtetuese, sepse insiston se Kushtetuta është shkelur (shumë ironike që deputetët e LS-së janë ata që vazhdimisht përsërisin se si Kushtetuta po shkelet, e ata po e mbrojnë) dhe se zgjedhja e Rashiqit nuk do të duhej të vlente.
Tash, interpretime nëse ka pasur shkelje ose jo ka sa të duash, porse fakti është se Kuvendi dje u shpall i konstituuar dhe se tash nis të rrjedhë afati për zgjedhjen e Qeverisë. Fakti se LS-ja do ta kontestojë shpalljen, nuk do të thotë medoemos se Kushtetuesja do të marrë masë të përkohshme dhe ta ndalojë veprimin e mëtejmë. Do të mund ta marrë ankesën dhe të dalë me aktgjykim kurdo që i përmbushen afatet.
Nuk do të ishte hera e parë. Do të kujtojmë votimin e Qeverisë Hoti në qershor 2020 dhe aktgjykimin e Kushtetueses në dhjetor të po atij viti – që ishte e para herë që një aktgjykim e rrëzonte qeverinë. Por, të gjitha vendimet që kishte marrë ajo qeveri, mbetën në fuqi dhe nuk u deklaruan nule.
Pra edhe kësaj radhe do të mund të veprohej njësoj.
Në interes të Kosovës është që Kuvendi ta votojë qeverinë, nëse për asgjë tjetër, atëherë për dy gjera: për votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe për nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në për ta ratifikuar atë në formë urgjente. Me këtë rast nuk po i përmendi institucionet e pavarura që kanë mbetur pa borde e pa mbikëqyrje, ngase ato janë pjesë e një procesi tepër të gjatë ku interesat politikë dominojnë, e nuk kemi kohë të merremi me to.
* * *
Kurti tashmë ia ka bërë me dije kryetarit aksidental të Kuvendit se si parti me shumicë në Kuvend do t’ia paraqesin Osmanit emrin e mandatarit për dekretim. Që nga ai çast, Kurti do t’i ketë 15 ditë për t’i siguruar votat që nuk i pati për Albulena Haxhiun, për ta zgjedhur veten për të tretën herë kryeministër.
Po qe se dështon, zor se do të niset për rundin e dytë pas dhjetë ditësh, ngase ai më nuk mund të paraqitet si kandidat. Përderisa Kushtetuta e obligonte kryetarin/en që ta emëronte kandidatin tjetër brenda dhjetë ditësh, aktgjykimi i 2014-s ia shtoj edhe një element të vockël fjalisë, dhe tash , procedura është si vijon:
“...Ne rast se kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet...
e. Nuk përjashtohet që Presidenti i Republikës të vendosë t'i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, te Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për Kryeministër;
E tash, taksirati ynë që të bëjmë llogaritje sërish.
Pra, nëse dekretimi do të ndodhte ta zëmë të hënën, 13 tetor, afati do të konsumohej më 27 tetor. Po qe se nuk do të zgjidhej qeveria, atëherë Kuvendi do të duhej ta shpërndante veten. Kryetarja do ta dekretonte këtë veprim dhe do t’i shpallte zgjedhjet e reja, jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes. Hipotetikisht, data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të ishte 7 dhjetor 2025.
E tash, duke e pasur parasysh përvojën nga zgjedhjet parlamentare të sivjetme, kur numërimi mori një muaj e kusur për t’u përfunduar, kjo i bie se nga fillimi i shkurtit do ta kishim nisjen e seancës konstitutive që do të mund të zgjaste 30 ditë – dhe kjo na shpien në mars, në kohën kur duhet zgjedhur kryetarin/en e ri/re të shtetit.
Që në esencë do të dalë se kjo paskësh qenë aspirata e secilës parti që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të shkurtit. Veçse asnjëra nuk u tregua e sinqertë për të treguar se këtë po e synonin me pingpongun interpretimesh të pafund nga ekonomistët partiakë.
* * *
E diela do të jetë preludi i asaj që na pret më 9 nëntor, kur do të duhej mbajtur balotazhi. Javën që vjen do të marrim vesh se cilat çifte kandidatësh do të garojnë në cilat komuna. Dhe vetëm atëherë do të ndizen motorët propagandues.
Nëse është sipas asaj të vjetrës, atëherë “akoma s’kemi parë gjë”.
A do të kemi nerva edhe për një rund rrenash e përrallash arrogante?